Arti në Zi/ Ndahet nga jeta poeti i njohur i këngëve shqipe Agim Doçi, fitues i mbi 50 çmimeve
Poeti dhe autori i teksteve të mijëra këngëve shqipe, Agim Doçi, mbylli sytë sot në moshën 76-vjeçare. Emri dhe vepra e tij do të jetojë përgjithmonë në këngët të cilave u dha jetë. Ai është fituesi i mbi 50 çmimeve, ndër to dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion.
Zemra e Agim Doçit, poetit të talentuar, autorit të teksteve të mijëra këngëve shqipe, të qindra këngëve për Kosovën, që i këndoi pa pushim jetës, atdheut, lirisë, dashurisë dhe njerëzve, pushoi së rrahuri. Poeti mbylli sytë sot në moshën 76-vjeçare në reanimacionin e Shërbimit të Neurologjisë në QSUT ku ndodhej i shtruar prej 22 qershorit pasi pësoi hemorragji cerebrale.
Duke qenë se kjo goditje nuk ishte hera e parë për të, gjendja shëndetësore e tij ishte shumë e rëndë. Ai u shtrua në spital mëngjesin e së premtes, pasi shfaqi çrregullim të të folurit dhe pamundësi në ruajtjen e ekuilibrit. Agim Doçi u referua nga Spitali i Pogradecit ku kishte ndodhur goditja e më pas u transportua menjëherë drejt QSUT me autoambulancë. QSUT tha se poeti kishte pësuar ishemi cerebrale. Fatkeqësisht ai nuk ka arritur t’ia dalë duke mbyllur sytë përgjithmonë mëngjesin e sotëm.
Lajmi për ndarjen nga jeta të poetit të mirënjohur u konfirmuar nga familjarët e tij. Ceremonia e varrimit do të mbahet ditën e nesërme në Tiranë, ndërsa homazhet do të zhvillohet në orën 11:00.
Jeta e poetit
Agim Doçi ka lindur më 9 maj 1948. Është një poet dhe autor këngësh shumë i njohur shqiptar. Është arsimuar në Shkodër deri në gjimnaz dhe ka vazhduar më pas studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike.
Ka punuar si inxhinier në Montimet Industriale duke marrë pjesë në shumë objekte të rëndësishme si Fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat Laç, Poligrafik Tiranë etj. Në vitet e fundit të ’80 ka punuar pranë Kombinatit të Drurit “Misto Mame” si kryeinxhinier për energjinë. Në 1989 dënohet duke u caktuar të punojë me tre turne në fabriken e letër-kartonit. Përfshihet në lëvizjet e dhjetorit 1990.
Është autor i rreth 3.000 tekste të këngëve që janë kënduar nëpër festivale i kanë rezistuar kohës dhe vijojnë të dëgjohen dhe sot; fituesi i mbi 50 çmimeve. Është dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion.
Me vargjet e këngës "Imazhi yt” dhe zërin e këngëtares së talentuar Anjeza Shahini, në vitin 2004 Shqipëria arriti të merrte renditjen më të lartë deri tani në Festivalin europian të këngës. Kënga e kënduar në anglisht, me titull ”The Image Of You” u vlerësua me 106 pikë duke u pozicionuar në vendin e 7 nga 24 vende konkurruese. Agim Doçi ka shkruar edhe tekstin e një tjetër kënge pjesëmarrëse në Eurovizion, në vitin 2009, e kënduar nga Kejsi Tola me titull “Më merr në ëndërr” e renditur në natën finale në vendin e 17-të.
I këndonte gëzimit, dashurisë dhe jetës Mes tyre "Nata" e Aurela Gaces, "Loçka jeme" kënduar nga Albërie Hadërgjonaj, “Ma ke prish gjumin e natës” kënduar nga Sabri Fejzullahu dhe Ledina Çelo. Veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri.
I këndonte dhe Kosovës e patriotizmit. Ka shkruar dhjetëra këngë patriotike dhe 100 këngë për luftën e Kosovës, ndër të cilat “A vritet pafajësia”, “Ti Shqipëri më jep nder” të kënduar nga Kastriot Tusha dhe Manjola Nallbani, i “Marrshi i UCK-së” kënduar nga Arif Vladi, “A vritet pafajësia” nga Leonora Jakupi.
Për kontributin e tij të pashoq, Presidenti i ndjerë, Bujar Nishani, i dha titullin “Mjeshtër i Madh”.
Më poshtë sjellim një prej poezive të tij aq domethënëse...
KISHA VDEKUR…NUK E DIJA!?
Kisha shumë vite që kisha vdekur
Erdhën plot njerëz dhe në varrim
Sa fjalë të bukura që kishin gjetur
I kishin shkruar mbi varrin tim…
Sa turp më vinte, sa më peshonte
Rrasa e varrit me ato fjalë.
Ndonëse parajsa nuk më pranonte
Ndoshta dhe shpirti s’më kishte dalë…
Sa isha gjallë më ndenjën ftohtë
Nuk e kuptoja çfarë kisha bërë
Doja nga njerëzit një fjalë të ngrohtë
Vetëm më iku, jeta e tërë…
Tani që s’jam, mos u frikësoni!
Se larg prej jush vendin e gjeta.
Rri kuvendoj me Perëndinë
Ai s’paska frikë nga e vërteta!
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shkolla e mesme profesionale "Kolin Gjoka" në Lezhë prezanton projekte inovative dhe artistike
Magjia e fundvitit vjen në Petrelë me "Christmas Market", më 22 dhjetor
Përmbledhje e “Ferri”-t të Dante Aligerit nga Drita Topjana