Aktiviteti shkollor

Aktivitet letrar me nxënësit e shkollës “Tringë Smajli”

Në këtë aktivitet janë zgjedhur nxënësit që e duan librin dhe leximin, nga të gjitha klasat e shkollës nëntëvjeçare. Krijimi i situatave të të lexuarit në klasë, përjetimi i ndjesive të një krijuesi dhe teknikat e interpretimit janë në qendër të punës së mësimdhënësve.

Tema: Unë e dua librin.


Nëntema: Të punojmë me nxënësit me qëllim që të rrisim krijimtarinë artistike të tyre.


Qëllimi: Krijimi i konceptit të leximit dhe krijimit si mënyrë interpretimi, informimi, reflektimi dhe qasjesh me parimet dhe vlerat universale të librit.


Kompetencat kyçe:


1. Rritja e numrit të lexuesve të librit artistik duke iu afruar atyre natyrshëm dhe pa kufizime.


2. Nxitja e nxënësve për të krijuar në prozë apo poezi.


3. Hapja e ekspozitës në bashkinë e qytetit me 20 krijimet më të mira.



Lëndët që përfshihen në këtë aktivitet të rëndësishëm: Gjuhë shqipe, Informatikë, Edukim figurativ, Edukim muzikor.


Është një aktivitet i konceptuar si risi për shkak të pjesëmarrjes së shtatë shkollave të rrethit tonë, i cili finalizohet me bërjen e ekspozitës në hollin e bashkisë së qytetit. Në këtë aktivitet janë zgjedhur nxënësit që e duan librin dhe leximin, nga të gjitha klasat e shkollës nëntëvjeçare. Krijimi i situatave të të lexuarit në klasë, për të përjetuar magjinë e rrëfimit artistik, përjetimi i ndjesive të një krijuesi dhe teknikat e interpretimit janë në qendër të punës sonë. Librat janë marrë kryesisht nga biblioteka lëvizëse Albas, dhe janë këshilluar nxënësit në përzgjedhjet e tyre që të lexojnë libra të ndryshëm, duke filluar nga klasikët, fantashkencë dhe ngjarje të përshkruara me humor dhe me ndjenjë të lartë realizmi që japin skena nga jeta e përditshme dhe nga shqetësimet që kanë fëmijët sot.


Veçanërisht me nxënësit jemi ndalur tek ata fëmijë që e duan krijimin letrar dhe kanë fantazi të zhvilluar duke u treguar teknikat e ndryshme që përdorim për të krijuar një poezi të thjeshtë e të bukur me rimë. Marrim si shembull një pasazh që një nxënës ka shkruar në fletoren e tij të klasës, që neve na bën përshtypje për sinqeritetin dhe mendimin në dukje të thjeshtë, por që përfaqëson atë që bën të bukur një rrëfim fëmijëror. Kemi punuar vazhdimisht me nxënës të veçantë që e kanë pasion leximin dhe krijimin. Dhe është menduar kjo tematikë për t’i afruar nxënësit me librin dhe për të shfrytëzuar në mënyrë më efektive kohën e lirë. Gjatë kësaj kohe është bërë edhe takimi me shkrimtarin e njohur dhe pedagogun shkodran Arben Prendi. Ishte një takim shumë i bukur dhe nxënësit ishin të përfshirë në këtë bashkëbisedim në mënyrë të tillë që na habiti edhe ne. Pyetjet e tyre ndonjëherë shumë naive, ndonjëherë të thella, na bënë krenare dhe njëkohësisht na bënë të mendohemi për çiltërsinë dhe origjinalitetin e tyre.


Krijimet më të mira janë përzgjedhur dhe janë interpretuar nga nxënësit në aktivitetin e shkollës që është organizuar me këtë rast. Gjithashtu është bërë gati edhe një përmbledhje me të gjitha punimet dhe i është derguar shoqatës së librit për t’u redaktuar dhe për t’u botuar më pas, së bashku me punimet e nxënësve të shkollave të tjera.

Përgatitja e ekspozitës ka qenë një aktivitet që është bërë me shumë dashuri nga nxënësit. Ata kanë punuar në kompjuter dhe kanë printuar në letra me ngjyra të gjitha krijimet e tyre. Më pas i kanë ngjitur nëpër kartona dhe kanë ekspozuar në mënyrë të tillë që të japin impakt sapo i sheh. Idetë e tyre origjinale janë shpalosur thjesht dhe bukur. Nxënësit e fillores kanë punuar me dashuri një kukull të mbuluar me jorganin e alfabetit, një libër të bërë me krijimet dhe vizatimet e nxënësve, një shishe boje dhe një pendë të bërë me plastelinë, një libër të krijuar bukur me fletëpalosje si krahët e një engjëlli etj. Krahas kartonave që kanë mbajtur peshën më të madhe në këtë ekspozitë me krijimet e nxënësve, janë gjetur edhe mënyra të ndryshme për t’i paraqitur sa më mirë ato. Nxënësit panë në internet dhe gjetën materiale për shkrimtarin Arben Prendi, gjetën thënie të ndryshme, një shtëpi të bërë me tituj dhe emra autorësh nga vendi dhe bota, stendat e mëdha me titujt e librave të bibliotekës lëvizëse, të Harry Potter-it si një nga personazhet e tyre më të dashur, ide për të paraqitur punimet e nxënësve në pëllumba që fluturojnë drejt qiellit të krijimtarisë etj., e po këto i dhanë bukuri dhe larmishmëri ekspozitës. Ajo qëndroi e hapur për një javë në një ambient që u improvizua (pasi neve na mungojnë ambientet) në palestrën e shkollës dhe u vizitua nga të gjithë nxënësit.


Me datë 23 janar ishte planifikuar që të bëhej ekspozita në ambientet e bashkisë së qytetit ku merrnin pjesë disa nga shkollat e rrethinave. Atë ditë ne shkuam bashkë me nxënësit dhe me prindërit për të shpalosur aftësitë krijuese të fëmijëve dhe për të kaluar një ditë ndryshe të organizuar me këngë dhe valle. Fëmijët ndiheshin të lumtur sepse gjetën mishërimin e botës së tyre, të librave dhe muzikës. Pasi pamë edhe ekspozitat e shkollave të tjera, kryetarja e bashkisë ndau nga tri dhurata për çdo shkollë të krijuesve më të mirë. Nga shkolla jonë u nderuan me dhurata simbolike, por të bukura dhe jetëgjata, tre krijuesit më të mirë. Izabela Shelna, Ornela Fierzi dhe Edisona Taflaj morën si dhuratë mirënjohjeje nga dy libra që do të jetojnë gjatë në kujtesën dhe në bibliotekat e tyre.


Në këtë veprimtari u përfshinë të gjithë mësuesit e letërsisë, mësues të fillores dhe drejtoria e shkollës. Ishte një punë e gjatë që ka filluar në shtator dhe u finalizua me sukses në muajin janar. Është një aktivitet që ka në qendër letërsinë dhe librin; dhe na ka dhënë mjaft kënaqësi, sepse është një punë e vazhdueshme gjatë së cilës jemi ndier mirë. Është ngulur këmbë te kjo tematikë për t’i afruar nxënësit me librin dhe për të shkëputur fëmijët nga interneti. Vetë nxënësit janë ndier të kënaqur dhe në fund të lumtur për punën e bërë dhe mirënjohjen që morën.



Punoi: Arina Gjoni, Shkodër


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,901 Lexime
2 vjet më parë