Adoleshencë apo brez i keq?!
Në këtë shkrim, Rita Petro reflekton mbi sfidat që has brezi i adoleshentëve, duke kritikuar hipokrizinë e të rriturve dhe mungesën e sinqeritetit në marrëdhëniet me ta. Ajo thekson rëndësinë e komunikimit të hapur dhe mbështetjes nga prindërit dhe shkolla për t’i ndihmuar ata të përballojnë vështirësitë.
Nga Rita Petro, poete, shkrimtare
"Po rritet një brez i tmerrshëm, i shthurur!!! Në kohën tonë ishte ndryshe..."
Çdo brez ka fatin e keq ta dëgjojë këtë refren. Edhe brezi im, e njëjta gjë.
Të gjithë e dimë që adoleshenca është mosha më delikate, kur fëmija kalon pragun për t’u bërë i rritur. Prindërit janë të parët që nuk e kapërcejnë kollaj këtë. Nga justifikimet për çdo gabim: “Hajde se fëmijë është”; ata ndryshojnë sjellje: “U rrite tani, mos guxo të gabosh!”.
Edhe mësuesit, nga kujdesi i madh për nxënësit kur janë të vegjël, bëhen arrogantë në klasat me adoleshentë.
“Mos pi cigare!” - i thotë babai apo nëna adoleshentit, kur vetë e mbajnë cigaren në buzë. “Mos gënje! - i thonë ata, kur ai e kupton se dhe prindërit e tij gënjejnë. “Mos u bëj i dhunshëm! - i thonë në shkollë, kur ai dëgjon përditë gjuhën e urrejtjes së politikanëve që mbush ekranet, apo mllefin dhe vrerin e të rriturve në rrjetet sociale.
Kjo i bën adoleshentët që nga adhurimi për prindërit apo mësuesit kur janë të vegjël, të kalojnë në sjellje arrogante ndaj tyre, sepse nuk u besojnë më. Fillon tek ata prirja për t’u bërë të dhunshëm apo pesimistë dhe për ta parë jetën pa dritë perspektive.
Ndaj, i vetmi shpëtim është të heqim para tyre maskën e moralit hipokrit. Duhet folur shumë sinqerisht me adoleshentët, që ata të na besojnë të fshehtat dhe shqetësimet që i mundojnë.
Se për t’u besuar prindërve, nuk u mjafton vetëm dashuria e tyre, por që ata t’i kuptojnë e t’i pranojnë, edhe kur adoleshentët veprojnë ndryshe nga ajo që presin prindërit.
Rol të rëndësishën në këtë rast ka dhe shkolla, veçanërisht me përfshirjen e adoleshentëve në projekte të përbashkëta për mbrojtjen e mjedisit, për pranimin e të ndryshmëve; në projekte teatrale, ku të dënohet dhuna në skenën e teatrit, që të shmanget tragjedia në skenën reale të jetës.
Në fund do të doja të shtoja se "nxirja" e realitetit nuk sjell asnjë dobi, përkundrazi shton panikun, heq shpresën për ndryshim dhe…e vërteta është që ka shumë prindër të përgjegjshëm, që ecin me hapin e fëmijëve të tyre, shumë mësues të përkushtuar ndaj nxënësve të tyre, dhe plot adoleshentë që nuk kanë zgjedhur t’i realizojnë ëndrrat e tyre me rrjete sociale, por me dije dhe duke ecur në rrugën e vështirë të suksesit.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
“Litar të kambanës” nga Myrto Hysaj
Vizitë në Mozaikun e Tiranës