“7 Marsi ynë” nga Behare Kasa
“7 Marsi ynë”, është shkrimi letrar i mësueses Behare Kasa, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
“7 Marsi ynë”, është shkrimi letrar i mësueses Behare Kasa, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
Pas dy ditësh ishte 7 Marsi. Kisha kohë që mendoheshim për dhuratën që do t’i bënim si klasë mësueses. Donim të ishte e veçantë, në shenjë respekti e dashurie për atë që kishte bërë për ne. E kishim mërzitur shpeshherë dhe donim të ishte një mënyrë për t’i kërkuar falje. Donim t’i tregonim që ishim prapë ajo klasa e urtë, me nxënës të mirë e mbi të gjitha me shpirt të bukur, ashtu siç është shpirti i fëmijëve.
Idetë si klasë nuk na mungonin, por prapë kishte diçka që ngecte e nuk vendosnim dot. Secili jepte mendimin e tij dhe koha kalonte duke i analizuar me kujdes. Isha përhumbur në vizitën e fundit që bëmë si klasë në Pogradec, në nëntor, ku atje, siç e kishim zakon, bëmë shumë foto. Befas diçka më ra ndër mend dhe u kthjellova, sikur më kishte rënë dikush me shpullë.
-E gjeta,- thirra me zë të lartë.
Shokët e klasës filluan të më ngacmonin me batuta e të talleshin.
-Kam një ide, -u thashë, -dhe njërën nga dhuratat dua ta bëj unë. Më besoni, do të jetë e bukur.
-E mirë de, mirë, -tha Ana,njëra prej vajzave të klasës, -se na trembe. Pa na thuaj, çfarë bluan në mendje?
-Nuk jua them, -u thashë shokëve, -por pasnesër dhurata do të jetë gati!
Mezi prita që të mbaronte mësimi. Orët në vazhdim më dukeshin të gjata e nuk mbaronin. Më në fund mbaroi edhe ora e gjashtë. Bashkë me Laertin dolëm nga klasa dhe duke biseduar, kaluam oborrin e shkollës. I tregova dhe prisja reagimin e tij. E pëlqeu idenë time.
-Shkojmë që tani te fotografi,-tha.
Shkuam te fotografi dhe nga telefoni nxorëm foton që kishim dalë si klasë, bashkë me mësuesen tonë. Ia treguam fotografit dhe i thashë që fotoja të ishte sa më natyrale e pa asnjë element shtesë. Doja që edhe në foto, ne të ishim ashtu siç jemi gjithmonë, të çiltër, çapkënë e, pse jo, edhe trazovaçë, por me shpirt fëmije,shpirt të bukur që qesh brenda nesh.
- E keni gati nesër,-na tha fotografi.
U kthyem në shtëpi, ku edhe aty mendja më rrinte te fotoja. Si do të dilte vallë? A do ta pëlqenin shokët idenë time, apo do të talleshin e do të më thumbonin. Kush i duronte pastaj. Po mësuesja, a do ta pëlqente vallë?
Orët kalonin dhe shkuam të merrnim fotografinë. Fotografi, sa na pa, zgjati dorën dhe e ktheu nga ne. Dukej shumë e bukur dhe korniza i shkonte aq shumë. Vështrova Laertin dhe të dy buzëqeshëm. Mbetëm të kënaqur. Fotografi na e paketoi dhe ne u larguam.
Ja dhe e nesërmja erdhi. Vajzat ishin marrë me organizimin. Donim që këtë 7 Mars ta bënim më të bukur, sepse ishte viti i fundit i nëntëvjeçares.
Ra zilja dhe u futëm brenda, sipas klasave. U ulëm nëpër vende dhe, për çudi, sot ishim nxënësit më të urtë të shkollës, a thua nuk ishim ajo klasa trazovaçe e dikurshme.
***
U futa në klasë, dhe të gjithë nxënësit u ngritën në këmbë për të më përshëndetur. Tavolina e klasës ishte kthyer në tavolinë kokteji, përplot me gjërat që ata kishin përgatitur. Ra qetësia dhe Ana hapi telefonin me këngën që kishin zgjedhur për të më përshëndetur (sot ata kishin të gjithë të drejtën e botës për të marrë telefonin në klasë dhe për këtë më kishin vënë dijeni edhe mua). Unë u ndala dhe po e dëgjoja me vëmendje. Klasa ishte në qetësi të plotë, dëgjoheshin vetëm tingujt e këngës.
***
M’u mbushën sytë me lot dhe nuk guxoja t’i ngrija, sepse më dukej se do të talleshin me mua, e me zor kapërdiva gulçin që m’u mblodh në grykë. Kënga mbaroi dhe vështrova përreth. Mësuesja i kishte sytë me lot, po ashtu edhe shokët e shoqet. U qetësova. Nuk isha i vetmi që isha përlotur. Në emër të klasës, kishim ngarkuar Mozën që t’i jepte mësueses dhuratat. Buqeta e luleve qeshte në mesin e tryezës. Moza e mori dhe ia dha në dorë duke e falënderuar dhe uruar për festën. Buqeta kishte 28 trëndafila të bardhë (aq nxënës sa ishim në klasë) dhe secili nxënës kishte shkruar nga një frazë të shkurtër në gjethet e trëndafilit të tij. Ne nuk e dinim se ç’ishte shkruar veç frazës sonë. Mësuesja i mori një për një dhe filloi t’i lexonte. Ishte bukur, plot emocion, plot dashuri e lot. Dukej si një çast poetik. Më në fund i erdhi radha e dhuratës që kisha përgatitur unë. Moza hapi paketimin dhe prej saj doli korniza me foton e përgatitur.
***
Vendosa lulet në tavolinë dhe mora kornizën. Buzëqeshja më nderej lehtas në fytyrë dhe herë shihja foton, e herë nxënësit e mi. Me gjithë përpjekjet për të mbajtur lotët, nuk ia dola. Po kështu edhe ata. I përqafova të gjithë një për një, duke i falënderuar. Ishte ndjesia më e bukur që mund të ketë një mësuese për nxënësit e saj, për brezat që bart nga duart e saj. E ndjeva veten të fituar. Kishim fituar së bashku dhe ishim bërë mësim për njëri-tjetrin, unë mësuesja e tyre, edukatorja e skalitësja e vlerave tek ata, dhe ata brumi i së ardhmes sonë.
***
Ishin çaste që te të gjithë ne, lanë mbresa. Ishte 7 Marsi ynë i organizuar bukur dhe, mbi të gjitha, i përjetuar bukur. Ishte 7 Marsi që ne si klasë na bëri të ndihemi më të rritur dhe na vuri para përgjegjësive. Tashmë, për ne gjithçka do të ishte ndryshe. Ndoshta duhej të ishte ai 7 Mars, që ne të kuptonim se tani ishim më të rritur dhe se bashkëpunimi të jep forcë. Tashmë, përveçse mësuesja jonë, për të ne u bëmë shokët e shoqet e saj e gjërat në klasë tashmë do të ishin ndryshe në marrëdhëniet me gjithsecilin.
Ishte 7 Marsi ynë!
Behare Daja Kasa
Behare Daja Kasa ka lindur në Koçaj të qytetit të Rrogozhinës, më 25 nëntor të vitit 1971. Arsimin bazë dhe të mesëm e kreu po në vendlindje. Është diplomuar në degën e gjuhë-letërsisë në Universitetin "Aleksandër Xhuvani", në Elbasan. Prej njëzet e gjashtë vitesh punon si mësuese e lëndës gjuhë-letërsi në ciklin nëntëvjeçar. Është autore e tri vëllimeve me poezi: "Prelud", "Buzëqeshje" dhe "E dua zgjuar ëndrrën time”.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Buzëqeshja që pas fshihte dhimbje” nga Dhurata Hoj (Haxhia)
“Ai nuk mundi të kurorëzohet maturant...”, nga Antoneta Zaja
“Botë shumëngjyrëshe” nga Dorina Saraci