“Gjiro Open Air”

60 sportistë nga Ballkani zbarkuan në Gjirokastër

Për tre ditë pilotët organizuan fluturime duke u nisur nga mali i Çajupit përballë Gjirokastrës, ndërsa u parashikuan edhe guida për t’u njohur me disa nga vendet historike të zonës

Rreth 60 sportistë nga vende të ndryshme të Ballkanit zbarkuan në Gjirokastër për eventin “Gjiro Open Air”, i cili nuk është vetëm një aktivitet sportiv. Për tre ditë pilotët organizuan fluturime duke u nisur nga mali i Çajupit përballë Gjirokastrës, ndërsa u parashikuan edhe guida për t’u njohur me disa nga vendet historike të zonës, si: në Parkun Arkeologjik Antigone, Kisha e Saraqinishtit, Manastiri i Spilles, Teatri i Adrianopulit. 

“Gjirokastra vërtetoi edhe një herë që është një nga vendet më të mira në Shqipëri për zhvillimin e aktiviteteve të tilla dhe urojmë që në vitet në vijim kjo mbështetje të vazhdojë të fuqizohet që edhe ne të ofrojmë, si nga ana teknike, por edhe nga anë të tjera si njerëzore, turistike, maksimumet tona”, deklaroi Renis Tërshana, president i Federatës së Aeronautikës.

Ndërsa Artion Vreto, sekretari i përgjithshëm i Federatës, tha se eventi i tejkaloi pritshmëritë e tij. Kampionati u fitua nga Ardall Celina. Vendi i dytë shkoi për Jovan Severov dhe vendi i tretë për Berat Bejtullahun e Zlatko Spirkovski.


Në janar të këtij viti, Ministria e Kulturës dhe Federata Shqiptare e Aeronautikës nënshkruan marrëveshjen për Promovimin e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare gjatë zhvillimit të Kampionatit të 9-të Botëror të Fluturimeve të Lira në “Paragliding në Disiplinën në Preçizion ”, i cili do të zhvillohet në qytetin e Vlorës në datat 05-14 maj 2017.

1,594 Lexime
7 vjet më parë