21 Mars, Dita Botërore e Poezisë / Rita Petro në “Qemal Stafa”: Të shkruarit na ndan, të përjetuarit na bashkon

Në Ditën Botërore të Poezisë, poetja Rita Petro u takua me nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa”, ku u interpretuan poezi nën tingujt e kitarës. Në një atmosferë frymëzuese, poetja foli për procesin krijues dhe rolin e poezisë në emancipimin shoqëror, duke theksuar fuqinë e artit për të bashkuar njerëzit.

Në kuadër të Dita Botërore të Poezisë, poetja e njohur Rita Petro zhvilloi një aktivitet të paharrueshëm në gjimnazin e Tiranës “Qemal Stafa”. Ky takim, i mbushur me emocion dhe krijimtari, solli një bashkëbisedim të veçantë mes poetes dhe nxënësve të talentuar, të cilët kishin përgatitur interpretimin e poezive të saj, të shoqëruara me tinguj melodiozë të kitarës.

Në përshkrimin e këtij takimi, poetja Rita Petro u shpreh me fjalë të ngrohta dhe emocionuese: “Një takim i mrekullueshëm në gjimnazin tim të dashur, ku kam kujtime aq të bukura, të cilat m’i sollën në kujtesë gjimnazitët e Qemal Stafës. Të shkruash poezi është diçka aq vetmitare e personale, por të interpretosh vargje me tinguj kitare dhe të flasësh për bukurinë dhe misionin e poezisë, kjo gjë krijon një atmosferë aq mbresëlënëse. Procesi i të shkruarit na ndan. Procesi i të përjetuarit na bashkon me njëri-tjetrin.”

Pjesëmarrësit, nxënësit e gjimnazit, ishin veçanërisht të angazhuar, duke bërë pyetje të zgjuara lidhur me procesin krijues të poetes, sfidat e krijimit origjinal dhe bashkëkohor, si dhe misionin që poezia ka në emancipimin e shoqërisë. Ky ishte një moment i veçantë për nxënësit, të cilët patën mundësinë të njihen më afër me një nga poetët më të njohur të letërsisë shqipe, si dhe të thellonin njohuritë e tyre për rëndësinë e artit të poezisë.

Poetja Rita Petro theksoi se përtej shkrimit të poezisë, është ndërveprimi me publikun dhe përvoja kolektive ajo që bën që poezia të ketë një ndikim të vërtetë. Ajo falënderoi me mirënjohje stafin e mësuesve të letërsisë dhe drejtoreshën për organizimin e këtij aktiviteti: "Falënderoj nga zemra stafin e mësuesve të letërsisë, zonjat e nderuara Erdisa, Rovena, Genta, Elfrida për ftesën dhe mënyrën e organizimit të aktivitetit në mjedisin e bibliotekës së shkollës. Falënderoj drejtoreshën, Klotildën, për praninë dhe për fjalët frymëzuese që mbajti. Falënderoj gjimnazistet e gjimnazistët për interpretimin e poezive të mia dhe për pyetjet aq pikante në lidhje me procesin e të shkruarit, sfidat për krijim origjinal e bashkëkohor dhe për misionin e poezisë në emancipimin e shoqërisë".

Poetja Rita Petro dhe drejtoresha e gjimnazit "Qemal Stafa", Klotilda Jaupi 

Poetja Rita Petro dhe mësueset e letërsisë së gjimnazit "Qemal Stafa" 

Ky aktivitet nuk ishte vetëm një nderim për poezinë, por edhe një mundësi për nxënësit që të kuptojnë më mirë forcën dhe ndikimin e saj në shoqëri, duke nxitur reflektimin dhe diskutimin mbi vlerat që poezia sjell në jetët tona. Një ditë e veçantë, që mbeti në mendjen e të gjithëve të pranishëm, duke e bërë këtë 21 mars të paharrueshëm.

Aktiviteti u organizua në mjediset e bibliotekës së shkollës, një vend simbolik për frymëzimin dhe dijen, dhe ishte pjesë e aktiviteteve që po zhvillohen për të shënuar 100-vjetorin e Gjimnazit “Qemal Stafa”, institucioni arsimor i parë shtetëror në Tiranë. Ky jubile shënon një histori të pasur me emra të njohur dhe ngjarje të rëndësishme për arsimin shqiptar.

Përgatiti: Nanila Allkja Biçaku


© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

283 Lexime
1 javë më parë