Sociologu Gëzim Tushi: tërmeti si realitet fizik dhe perceptim psiko-emocional
Është e udhës që këtë kulturë të bashkëjetesës me rreziqet dhe të mënyrave të sjelljes përballë tyre, të fillojmë t’ia mësojmë të gjithëve. Fëmijëve në kopshte e shkolla, të rinjve në gjimnaze e universitete, por dhe gjithë qytetarëve.
Besoj se nuk ka njeri që nuk e ka perceptuar me shqetësim material dhe emocional ngjarjen e frikshme të 26 nëntorit. Një tërmet që ka lënë pasoja tragjike e katastrofike në jetën sociale dhe individuale. Një datë që na ka vënë në mendime të gjithë. Si individ, shoqëri dhe shtet. Një datë që na detyron të reflektojmë në mënyrë adekuate brenda raporteve dhe përgjegjësive të këtij trekëndëshi.
Tërmeti është një fenomen i paparashikuar se kur mund të ndodhë dhe cilat mund të jenë pasojat e tij. Ajo që duhet të na shërbejë është që tashmë ne duhet jo vetëm ta pranojmë që jetojmë në “shoqërinë e rreziqeve” që nuk parashikohen, por dhe të bindemi që koha që vjen kërkon një tjetër stil jete e sjellje, duke bërë të mundur bashkëjetesën pa shumë pasoja me rreziqet e mundshme e të paparashikuara sikurse janë tërmetet. Mbase këto ditë të gjithë i kemi sytë tek përballja imediate me pasojat e tërmetit në Durrës, Thumanë, Laç, Tiranë e në ndonjë zonë tjetër.
Të cilat kërkojnë angazhim, mbështetje e solidaritet për individët dhe familjet që pësuan dëme kritike e tragjike nga ky tërmet. Por unë besoj se në vështrimin perspektiv, përtej panikut, ankthit dhe dëshpërimit të përgjithshëm social që ka kapluar shoqërinë tonë, na duhet të mendojmë e të përgatitemi në mënyrë strategjike.
Së pari, me rregull e disiplinë qytetare të mund të kapërcejmë sa më shpejt të jetë e mundur pasojat materiale, financiare e psiko-sociale.
Por pastaj për të rregulluar disa gjëra që janë në dorën tonë. Të individit, shoqërisë dhe shtetit. Kjo do të thotë që të krijojmë një kulturë të re të bashkëjetesës urbane, duke respektuar në mënyrë më rigoroze ligjet dhe standardet e natyrës, por dhe kondicionet teknike e urbane. Kjo do të thotë që duhet t’i japim fund sa nuk është vonë sjelljes brutale me natyrën, pyjet, tokat, lumenjtë, ndotjen e ajrit, respektimin e parametrave të lejuar të ndërtimit.
E gjithë kjo kërkon një atmosferë sociale më kompakte e mirëkuptuese të të gjithë shoqërisë, sepse tërmeti nuk është me pasoja vetëm individuale dhe as nuk përballohet individualisht. Ai prek tërë shoqërinë dhe reagimi duhet të jetë kompakt, tërësor, social. Është e udhës që këtë kulturë të bashkëjetesës me rreziqet dhe të mënyrave të sjelljes përballë tyre, për t’i përballuar pasojat të fillojmë t’ia mësojmë të gjithëve. Fëmijëve në kopshte e shkolla, të rinjve në gjimnaze e universitete, por dhe gjithë qytetarëve.
Mbase ky tërmet mund të shërbejë për të përmirësuar disa patologji të sjelljes sociale të papërgjegjshme. Mundet të jetë pikë kthese për të rregulluar disa parametra të shkalafitur të shpërthimit pa fre të egoizmit, etjes së shfrenuar për pasuri, konceptit të individit të “suksesshëm” të vetmuar, të vetëmjaftueshëm dhe të vetmuar në guaskën e pasurisë. Ky lloj solidariteti që u shfaq këto ditë mbase është fillimi i një epoke të re të përmirësimit të patologjive në lidhjet e marrëdhëniet sociale të njerëzve tanë.
Kjo do të thotë që kemi nevojë për parametra të rinj të humanizmit, solidaritetit dhe forcimit të ndjenjës komunitare.
Le të shpresojmë…
Gëzim Tushi
Sociolog, Mjeshtër i Madh
(Portali Shkollor)
"Për Aftësinë e Kufizuar dhe rolin e mësuesit ndihmës në shkolla" nga Fiqiri Çifliku
Bashkëpunimi sjell sukses
Arti i komunikimit mësues-nxënës, si vlerë e dobishme