Arti i komunikimit mësues-nxënës, si vlerë e dobishme
Mësuesit përmes artit të komunikuarit, të kuptuarit të stilit të nxënit të çdo nxënësi, dëgjimit aktiv arrijnë të menaxhojnë dhe të krijojnë një marrëdhënie pozitive, një klimë të ngrohtë, mbështetëse mësues-nxënës, e cila inkurajon nxënësit për një sjellje sa më pozitive.
Komunikimi është një proces interaktiv dhe kompleks. Përcillet përmes aftësisë së ndarjes së informacionit, kuptimit se çfarë informacioni dhe ndjenjash po transmeton tek të tjerët por dhe në vetvete. Komunikimi manifestohet në shumë forma dhe secila nga këto forma është art më vete. Përpos fjalës, në komunikim përfshihen edhe gjeste, shprehje të fytyrës, shenja, intonacioni dhe komunikimi me shkrim. Në arsim dihet që fjala e mësuesit ka ndikim tepër të madh në edukimin e nxënësve, impaktit ndaj prindërve, kolegëve dhe komunitetit. Klima emocionale dhe ndërveprimi janë tregues që ndikojnë në komunikimin e vlerave ose jo. Aftësitë ndërpesonale në të komunikuar në arsim janë dhe duhet të jenë të pakontestueshme pasi janë vlera themeltare dhe shumë të rëndësishme për krijimin e lidhjes me të tjerët dhe edukimin e brezave të rinj. Angazhimi për një formë komunikimi efektiv me baza të rregullta është aftësi kyçe, që frymëzon zhvillimin e punës, nxitjen e motivimit, zhvillimin e edukatës dhe kulturës për shoqëritë e ardhshme. Sjelljet etike, aftësitë profesionale të mësuesve janë çështje të tjera të rëndësishme për nxitjen e një marrëdhënie progresive mësues – nxënës.
Mësuesit përmes artit të komunikuarit, të kuptuarit të stilit të nxënit të çdo nxënësi, dëgjimit aktiv arrijnë të menaxhojnë dhe të krijojnë një marrëdhënie pozitive, një klimë të ngrohtë, mbështetëse mësues-nxënës, e cila inkurajon nxënësit për një sjellje sa më pozitive si dhe ju ofron një nxitje sa më frytdhënëse në aspektin e dijes. Komunikimi efektiv promovon një vetëdije që lidhet me interesat dhe nevojat e nxënësve.
Nëse mësuesit përvetësojnë aftësitë e nevojshme arrijnë të menaxhojnë dhe të transmetojnë tek nxënësit më së miri dhe format e komunikimit si të menduarit kritik, të komunikuarit verbal, të komunikuarit jo verbal, të dëgjuarit dhe të parashtruarit të pyetjeve në mënyrë korrekte. Mësuesit që përvetësojnë të tilla vlera dhe arrijnë ti transmetojnë tek nxënësit janë dhe mbeten model i pëlqyer i sjelljes për nxënësit, pasi ato ju sigurojnë nxënësve një model sjellje qytetare, të një njeriu të civilizuar e të socializuar. Me personalitetin e vet, nëse mësuesit përpiqen të sjellin një model të tillë komunikimi efektiv, ato rrezatojnë tek nxënësit cilësi vlerash të tilla si: të qenit të drejtë, ndershmëri dhe respekt, shembullin e korrektesës, të drejtësisë, të tolerancës dhe të paanshmërisë. E theksojmë këtë, pasi mësuesit si figurë autoritare dinë të orientojnë sjelljen dhe qëndrimet e nxënësve, sepse janë ata që fillojnë të ndërtojnë modelin e marrëdhënieve komunikatave sipas standardeve sociale, që ju japin tonin marrëdhënieve në klasë, që organizojnë dhe udhëheqin punën e nxënësve dhe plot çështje të tjera si këto.
Në aspektin edukativ, ndikimet e mësuesve mund të jenë të shumta, por kjo varet dhe kushtëzohet kurdoherë nga mënyra se si ato pozicionohen në rol. Mësuesit që mbajnë qëndrim pozitiv, që besojnë se nxënësit janë të aftë, ngjallin shpresën dhe vetëdisiplinën, realizojnë marrëdhënie e bashkëpunim të dobishëm. Ky model komunikimi efektiv përveçse është art, në momentin që arrin të transmetohet tek nxënësit dhe modelohet prej tyre, mund të kthehet në një pasuri dhe vlerë e dobishme për zhvillimin dhe edukimin e gjeneratave të reja në formimin e personalitetit, edukimit, socializimit dhe të manifestohet më pas si model i reflektimit të sjelljes pozitive në shoqërinë aktuale.
Nga Mimoza Dosti
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Simbolika e një dhurate”
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi
Përditësimi i kurrikulave, sugjerime nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku