BOTIM I RI

Gëzim Selaci: Një histori e Zotit nga fillet e monoteizmit deri sot nga Karen Armstrong

Vështrim i shkurtër i librit “Një histori e Zotit: Studim për 4 mijë vjet histori të Judaizmit, të Krishterimit dhe të Islamit” nga Karen Armstrong (Albas, 2020).

“I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Jahve, Zoti i ushtrive!”,  thirrën serafinët kur prania e beftë e Zotit Jahveut mbushi Tempullin në Jeruzalem ku Isaia, një pjesëtar i familjes mbretërore të Judës, ishte duke u lutur fill pas vdekjes së Uziahut, Mbretit të Judës. Në shekullin XVIII para Epokës së Re nuk ishte e pazakonshme që zotat të zbrisnin në tokë dhe të takonin njerëzit herë pas here, ose së paku, nuk ishte e pazakonshme që njerëzit të kishin vegime të tilla, herë pas here. Për dëshpërimin të mendjes kureshtare moderne të etur për përvojë të drejtpërdrejtë ndijore, askush nuk e pa Zotin Jahve atë ditë, askush nuk e përkapi atë me shqisa, as serafinët që mbyllën sytë me flatrat e tyre, e as Isaia, shikimi i të cilit u pengua nga një tym i dendur që mbushi Tempullin.


Në kohën e këtij takimi të mistershëm, izraelitët nuk kishin qenë monoteistë, ani se më parë, bashkë me patriarkun Moisi kishin lidhur besë me Jahveun, Zotin e ushtrive, për ta adhuruar vetëm atë dhe për t’i braktisur perënditë tjera, në këmbim të mbrojtjes së veçantë të tij. Mirëpo, izraelitët e kujtonin Jahveun vetëm në kohë lufte, por jo edhe në kohëra paqeje, mirëqenieje dhe bollëku. Pikërisht ky “mister drithërues dhe magjepsës”, siç është quajtur, që e kishte përjetuar Isaia afër 3 mijë vjet më parë, mund të ketë qenë fillimi i historisë së monoteizmit tek tri fetë semite, e rrëfyer për mrekulli nga autorja, studiuese e fesë krahasuese, Karen Armstrong në librin “Një histori e Zotit”. Në të vërtetë, përshkrimi i kësaj ngjarjeje në shkrimet e shenjta hebreje nuk mund të merret fjalëpërfjalshëm, pasi që është një përpjekje për të përshkruar me simbole të papërshkrueshmen për veshin e mendjen e izraelitëve të lashtë: misterin e përjetimit të pranisë së shenjtë, që nuk mund të shprehet me fjalë, e as të rroket me arsye. 


Sidoqoftë, pjesa tjetër e këtij tregimi na është e njohur si histori e besimit dhe përvojës fetare në Judaizëm, Krishterim dhe Islam, që u themeluan mbi këtë ide revolucionare monoteiste të lashtë, por që e ritrajtësuan “Zotin një” për t’ia ujdisur atë nevojave shoqërore, politike, mendësisë dhe shijes së ithtarëve të tyre. Mirëpo, sa e njohim dhe si e njohim këtë histori? A e besonin patriarkët: Abrahami, Mosiu dhe Isaia Zotin e tyre siç besohen ata sot nga ithtarët e tri feve? Teologjia hamendëson se po, por kjo nuk është e thënë të jetë kështu. 


Armstrong argumenton se në kohën e lashtë të patriarkëve, besimi kishte kuptimin e mirëbesimit, domethënë, me i zënë besë dikujt, dhe jo miratimit intelektual të një besoreje të vënë nga ndonjë autoritet fetar. Pra, në krye të herës, t’i besoje Zotit nuk do të thoshte të pranoje një listë besimesh të detyrueshme të një shkolle teologjike a një kishe, por të kishe besim në Zotin. Jahveu u pranua si i vetmi Zot pasi që ai kishte një funksion ose një dobi për izraelitët e lashtë të cilët u ndien të kërcënuar nga pushtuesit e jashtëm pas vdekjes së mbretit të tyre, Uziahut, dhe jo pse për ta kishte ndonjë arsyetim filozofik ose shkencor. 


Kësisoj, pragmatizmi është faktor që e ka përcjellë në vazhdimësi “historinë e Zotit”, domethënë zhvillimin e konceptit të Zotit, deri në ditët tona. Në të vërtetë, këtë pragmatizëm autorja e vë në kontekst të forcave të cilat e zhvilluan ose ndikuan në zhvillimin e idesë së Zotit. Libri i saj shpjegon se si forcat shoqërore, si pushteti i tregut, nevoja për të legjitimuar rendin dhe pushtetin politik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, e të tjera, përcaktuan historinë e kalimit nga një nocion i Zotit te një tjetër gjatë 4 mijë vjetëve histori të përmbledhura në këtë libër. 


Veç kësaj, libri demonstron se besimi në Zotin nuk ka pasur të njëjtën domethënie as edhe brenda secilës nga tre fetë semite monoteiste. Autorja i kushton vëmendje secilës prej tri traditave të zhvilluara në të trija fetë: traditës teologjike, traditës filozofike dhe traditës mistike. A është Zoti i teologëve, Zoti i mistikëve dhe Zoti i filozofëve i njëjti? Nocioni i Zotit si i ndarë nga bota që e ka krijuar vetë nxiti një parehati te ithtarët e mëvonshëm të feve të Zotit një, prandaj në traditat mistike dhe filozofike u zhvilluan nocione të ndryshme që Zotin e integruan në botën tonë dhe nuk e konsideruan atë si vetëm edhe një qenie personale të largët e të ndarë prej nesh dhe botës dhe që mund të rroket me logjikë e arsye, por si një prani të shenjtë e pandashme prej nesh që mund të përjetohet vetëm me ndjenja.


Vrullin e ideve dhe përfytyrimeve për Zotin që e karakterizonte filozofinë klasike dhe misticizmin mesjetar e ftohi iluminizmi dhe e mbyti epoka moderne e mosbesimit. Megjithëkëtë, Zoti nuk vdiq, përkundër të gjithave. Prirjet reformuese në epokën moderne u morën me sfidën që arsyeja kritike iluministe dhe mosbesimi modern përbënin për misterin e të pakonceptueshmen, duke rimenduar vetë nocionet për Zotin. Shpeshherë, ky rimendim nënkuptonte kthim tek traditat e harruara mistike dhe filozofike të mesjetës, të cilat ishin më pak të kërcënuara nga kultura shkencore dhe mosbesimi modern. 


Zoti vazhdon të rrojë në përjetimet e së shenjtës në zemrat e njerëzve dhe në mitet për krijimin e botës dhe për ekzistencën njerëzore. Tregimi për Zotin ka të bëjnë me ndjesinë e të panjohurës dhe misterit në jetët e njerëzve, si dhe me vetë ekzistencën njerëzore. Përderisa të ketë jetë, do të ketë edhe pyetje për të: për psetë dhe domethëniet e saj. Mitet e krijimit dhe besimet e simbolet fetare që i japin kuptim jetës janë përgjigje në ato pyetje. Natyrish, ato përgjigje kushtëzohen nga gjendjet njerëzore: forcat ekonomike, politike, kulturore e psikologjike, siç shtjellohen në këtë libër të shkëlqyeshëm mbi zhvillimin e ideve dhe pikëpamjeve për Zotin një.


Nga Gëzim Selaci, përkthyesi i librit “Një histori e Zotit”

(Marrë nga Koha.net) 



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,334 Lexime
3 vjet më parë