Gabime në përdorimin e trajtave të shkurtra në gjuhën shqipe
Në këtë shkrim do të ndalemi te trajtat e shkurtra të përemrave vetorë, si dhe ju paraqesim disa tituj të lajmeve online, në të cilat trajtat e shkurtra janë përdorur gabimisht...
Në gjuhën shqipe kemi gjashtë lloje përemrash: vetorë, pronorë, pyetës, lidhorë, e pacaktuar dhe vetvetorë. Në këtë shkrim do të ndalemi te trajtat e shkurtra të përemrave vetorë, të cilat janë karakteristikë për rasën kallëzore dhe dhanore. Trajtat e shkurtra të përemrave vetorë janë të thjeshta dhe të bashkuara. Më poshtë shihni lakimin epëremrave vetorë në rasën emërore, kallëzore dhe dhanore, si dhe trajtat e shkurtra gjegjëse:
Rasa emërore (Kush?) –Rasa kallëzore (Kë?) – Rasa dhanore (Kujt?)
Unë - mua (më)- mua (më)
Ti - ty (të) -ty (të)
Ai/ajo - atë (e) -atij/asaj (i)
Ne - ne (na) -neve (na)
Ju - ju (ju) -juve (ju)
Ata/ato - ata/ato (i)- atyre (u)
Trajta e shkurtër shumë herë zëvendëson formën e plotë të përemrit vetor. P.sh.:
Më ftuan në mbrëmjen e fundvitit.
Të mora mbrëmë në telefon, por nuk u përgjigje.
Na vjen keq, por nuk kemi vende të lira.
Për ta kuptuar se në ç’rasë është përemri ose trajta e shkurtër bëjmë pyetjen e duhur.
P.sh. Nëse përemri vetorose trajta e shkurtër i përgjigjet pyetjes “kush?” është në rasën emërore. Për rasën kallëzore kemipyetjen “kë”?, ndërsa për rasën dhanore pyetjen “kujt?”.
Përpos trajtave të shkurtra të thjeshta, kemi edhe trajtat e shkurtra të bashkuara. Zakonisht bashkohet trajta e dhanores (e çdo vete, njëjës e shumës) me trajtën e kallëzores (e vetës III, njëjës e shumës).
(mua) më (dhanore)+ (atë) e (kallëzore) = ma dha librin
(ty) të (dhanore)+ (atë) e (kallëzore) = ta dha librin
(atij/asaj) i (dhanore)+ (atë) e (kallëzore) = ia dha librin
(ne) na (dhanore)+ (atë) e (kallëzore) = na e dhalibrin
(ju) ju (dhanore)+ (atë) e (kallëzore) = jua dha librin
(atyre) u (dhanore)+ (atë) e (kallëzore) = ua dha librin
(mua) më (dhanore)+ (ata/ato) i (kallëzore) = m’i dha librat
(ty) të (dhanore)+ (ata/ato) i (kallëzore) = t’i dha librat
(atij/asaj) i (dhanore)+ (ata/ato) i (kallëzore) = ia dha librat
(ne) na (dhanore)+ (ata/ato) i (kallëzore) = na i dha librat
(ju) ju (dhanore)+ (ata/ato) i (kallëzore) = jua dha librat
(atyre) u (dhanore)+ (ata/ato) i (kallëzore) = ua dha librat
Trajtat e shkurtra shpesh paraqiten problematike për përdoruesit e gjuhës shqipe. Ato përdoren gabimisht në shkrime, në libra, në tituj të lajmeve, në rrjetet sociale etj.
Më poshtë do të paraqesim disa tituj të lajmeve online, në të cilat trajtat e shkurtra janë përdorur gabimisht:
1. “De Biasi lavdëron futbollistët – ja çfarë i tha atyre pas ndeshjes”
Më lart thamë se trajta eshkurtër për përemrin “atyre”, i cili është në rasën dhanore, është “u”. Në këtë titull vërejmë se është përdorur gabimisht trajta e shkurtër “i”, e cila i takon përemrit “ata/ato” në rasën kallëzore. Po ashtu thamë se përdorimi i trajtës së shkurtër zëvendëson formën e plotë të përemrit vetor. Kjo do tëthotë se përemri “atyre” në titull është i tepërt dhe mund ta heqim fare.
Titulli i saktë: “De Biasi lavdëron futbollistët – ja çfarë u tha pas ndeshjes”
2. Molliqaj i përgjigjet akuzave të V.V-së: “Vajtimi tashmë iu është bërë përditshmëri”
Edhe në pjesën e parë tëkëtij titulli kemi të njëjtin problem sikurse në titullin e parë. Në vend të trajtës së shkurtër “u”, e cila i përgjigjet përemrit “ata/ato” në rasën kallëzore, është përdorur trajta e shkurtër “i”, e përemrit “atyre” në rasën dhanore.
Te pjesa e dytë e titullit: “Vajtimi tashmë iu është bërë përditshmëri” vërejmë se përsëri trajtae shkurtër e bashkuar është gabim. Ngaqë nga teksti kuptohet se përgjigjja iështë drejtuar një grupi njerëzish, trajta që duhet përdorur në këtë rast është“ju”.
Titulli i saktë: Molliqaj u përgjigjet akuzave të V.V.-së: “Vajtimitashmë ju është bërë përditshmëri”
3. “Inteligjenca amerikane nuk iu dha medieve dokumentin për Trumpin”
Trajta e shkurtër ebashkuar “iu” është vendosur gabimisht, sepse në këtë rast duhet të jetë trajta“ua”. Këtu kemi bashkim të trajtës së shkurtër të thjeshtë “u” për emrin medieve(atyre u) dhe të trajtës “e” për emrin dokumentin (atë, e); u + e = ua.
Titulli i saktë: “Inteligjenca amerikane nuk ua dha medieve dokumentin për Trump-in”
4. Taksisti: “Paguani sa të iu dojë zemra”
Rasti i fundit që kemigjetur në internet paraqitet më i ndërlikuar. Kemi foljen “të dojë” në mënyrën lidhore dhe trajtën e shkurtër të bashkuar “iu”. Nga konteksti se “taksisti” i drejtohet dikujt në vetën e dytë shumës. Prandaj, në këtë rast kemi përemrin“ju” dhe trajtën e shkurtër gjegjëse “ju”.
Titulli i saktë: Taksisti: “Paguani sa t’ju dojë zemra”
(Për Portalin Shkollor, Medina Mehmeti)
Përdorimet e gabuara të apostrofit/Si ta përdorim drejt apostrofin
75 emra, nga njëjësi në shumës
Pse në disa raste parimi fonetik i gjuhës shqipe “nuk gjen zbatim”? Pse disa fjalë ndryshe shkruhen e ndryshe lexohen?