Folja e parregullt

Forma paralele të së pakryerës së foljes "them" nga Prof. asoc. Adelina Çerpja

Kjo folje ka pësuar mjaft ndikime prej foljeve jam e kam, veçanërisht nga folja jam si në temën e saj, dhe në mbaresat që merr gjatë zgjedhimit. Ndryshimet që ka ajo pësuar në të dyja dialektet e gjuhës shqipe pasqyrohen si në tema, dhe në mbaresat që marrin foljet në këtë kohë.

Folja e parregullt them bën pjesë në grupin e foljeve atematike të indoeuropianishtes në gjuhën shqipe, krahas foljeve jam dhe kam. Buzuku dhe autorë të tjerë të vjetër përdorin formën me zanoren -o- të shqipes së përbashkët thom, por krahas saj, në vazhdimësi janë përdorur format them në dialektin e Jugut dhe tham në dialektin e Veriut.


Kjo folje ka pësuar mjaft ndikime prej foljeve jam e kam, veçanërisht nga folja jam si në temën e saj, dhe në mbaresat që merr gjatë zgjedhimit. Ky ndikim vihet re dhe te format e së pakryerës së kësaj foljeje. Në raport me kohët e tjera, e pakryera njihet si kohë e paqëndrueshme. Ndryshimet që ka ajo pësuar në të dyja dialektet e gjuhës shqipe pasqyrohen si në tema, dhe në mbaresat që marrin foljet në këtë kohë. 


Format e së pakryerës së foljes them janë formuar nën ndikimin e foljes jam, e cila njihet si e vetmja folje e padyshimtë e zgjedhimit atematik që ka ndikuar dhe te folja kam. Ky ndikim duket qartë dhe te shtegorja e formave të së pakryerës -sh. Sipas Shaban Demirajt: “Te folja tho-m, që në përgjithësi mbahet se është zhvilluar nga trajta zanafillëse *ḱē(n)s-mi, pas gjithë gjasash, bashkëtingëllorja */-s/ ka rënë prej kohësh. Megjithatë, s’duhet përjashtuar mundësia që ajo të jetë ruajtur në të pakryerën dhe të ketë evoluar në /-sh/.” Ndërsa Kolec Topalli e përjashton mundësinë e ruajtjes së kësaj bashkëtingëlloreje në të pakryerën. Kjo bashkëtingëllore nuk është ajo që ka pasur në temën e saj folja them (ie. ḱēns-), sepse tema e së pakryerës ndërtohet nga e tashmja dhe shtegorja e kohës së tashme ka rënë te kjo folje. Shtegorja -sh ka qenë pjesë e rrënjës vetëm te folja jam (ie. esmi) dhe prej andej, në mënyrë analogjike, është shtrirë dhe te foljet kam e them, duke u bërë kështu pjesë e temës në të gjitha vetat e së pakryerës së këtyre foljeve. Pra format me -sh: (thoshë, thoshe etj.) janë ndërtuar sipas atyre të foljes jam: jeshë, jeshe. Sipas studiuesit Ethem Likaj, ky riformim duhet t’i përkasë periudhës parashkrimore të gjuhës shqipe, sepse tema e re e riformuar dëshmohet përgjithësisht tek autorët tanë më të vjetër, si dhe në shumicën e të folmeve të shqipes.


Pavarësisht nga analogjitë gramatikore dhe nga prirja që ekziston në sistemin morfologjik të shqipes për njësimin e temave, këto forma të vjetra janë ruajtur, dhe kjo sipas studiuesit K. Topalli shpjegohet me shkallën e lartë të përdorimit të tyre, si folje që bëjnë pjesë në fondin autokton dhe që si të tilla i ruajnë mirë format e vjetra.


Krahas formave të vjetra, për foljen them janë krijuar me rrugë analogjike dhe forma të reja të së pakryerës. Këto, si p.sh. format e të folmeve toske thoshnja, thoshnje etj., dallojnë në paradigmën e tyre nga mbaresa dhe janë në analogji me foljet e zgjedhimit tematik më -n: duke u nisur nga format bënja, bënje etj., pjesa fundore e këtyre foljeve -nja, -nje u konsiderua si mbaresë dhe iu shtua temës të së pakryerës, duke dhënë në këtë mënyrë një paradigmë të re të së pakryerës së foljes them: thosh-nja, thosh-nje etj. Shpesh sonantja -nj e mbaresës është zbutur në -j, duke bërë që mbaresat të paraqiten në format -ja, -je: thosh-ja, thosh-je.


Te arbëreshët e Greqisë hasen dhe format e së pakryerës thojë, thoje, thoj etj. Sipas gjuhëtarit Sh. Demiraj, këto forma janë gjithashtu riformime analogjike sipas tipit ve-j-ë, ve-j-e, ve-j etj. Ndërsa studiuesi K. Topalli mendon se për krijimin e kësaj të pakryere të foljes them mund të ketë ndikuar folja dua: “Modeli i analogjisë mund të ketë qenë forma e mënyrës urdhërore, ku bien në emërues të përbashkët duaj e thuaj, si rrjedhim, edhe në të pakryerën sipas doj do të jetë krijuar thoj”.


Dhe sot shpesh vihen re përdorime paralele të formave të së pakryerës së foljes them, si dhe të foljes së prejardhur prej saj parathem, dhe kjo, jo vetëm në gjuhën e folur, por dhe në atë të shkruar. Krahas formave të ndryshme dialektore, si: thonja, thonje ...; thesha, theshe ...; thoshnja, thoshnje ...; thoshja, thoshje ..., në shqipen e folur, por dhe në atë të shkruarën, mbizotërojnë këto dy paradigma paralele të formave të së pakryerës: thosha / thoja, thoshe / thoje, thoshte / thonte, thoshim / thonim, thoshit / thonit, thoshin / thonin.


Në përgjithësi veprat normative të gjuhës shqipe, si gramatika e fjalorë të ndryshëm, pasqyrojnë format e para. Në Gramatikën e gjuhës shqipe I folja them përfshihet te foljet e parregullta josupletive. Në format gramatikore të kohëve të mënyrës dëftore sqarohet se temat e foljeve jam, kam dhe them në të pakryerën janë: ish‑a, kish‑a dhe thosh‑a. Dhe në shembujt që ilustrojnë veçori të ndryshme gramatikore të gjuhës shqipe janë përdorur vetëm këto forma: 


  • Dhe cili do të ishte shkaku që ai do të nisej në natën pa hënë, siç thoshte balada ...? (Gramatika e gjuhës shqipe, I – GGjSh I, f. 287)
  • Na thoshit se nuk i bihet murit me kokë, por ne i ramë dhe muri zuri të lëkundej. (GGjSh, f. 244)


Në “Gjuha letrare shqipe për të gjithë” vihet theksi në përdorimin e formave thosha, thoshe të vetës së parë dhe të dytë të së pakryerës, duke këshilluar mospërdorimin e formave thoshja, thoshje (pika 5, paragrafi 114). 


Edhe në fjalorët shpjegues të shqipes, si dhe në Fjalorin sinonimik të gjuhës shqipe vihet re një vijimësi e përdorimit të këtyre formave. Në ilustrime përdoren përgjithësisht format thosha, thoshe etj. të së pakryerës së foljes them, me ndonjë përjashtim tek-tuk të përdorimit të formave thoja, thoje etj. Këto forma dalin dhe te disa kohë të tjera të foljes, e pikërisht te kohët që ndërtohen mbi bazën e së pakryerës së dëftores, si: te e pakryera e lidhores, e ardhmja e së shkuarës e dëftores, e tashmja e mënyrës kushtore


Për të krijuar një tablo më të qartë rreth gjendjes së përdorimit të këtyre formave paralele të së pakryerës së foljes them në gjuhën e shkruar, kemi kryer një vëzhgim në motorin e kërkimit Google, nga ku dolën të dhëna interesante, të përmbledhura si më poshtë.


-Nuk vihet re një ndjekje e përpiktë e njërit model formash ose e modelit tjetër, përkundrazi, në ndonjë vetë mbizotëron një formë, në ndonjë vetë tjetër mbizotëron forma e ndryshme me të.


-Në numrin njëjës forma me -sh mbizotëron vetëm në vetën e tretë thoshte, ndryshe nga format e vetës së parë dhe të dytë thoja, thoje që përdoren shumë më dendur se thosha, thoshe.


-Një gjendje tjetër paraqitet në numrin shumës. Në vetën e parë mbizotëron dukshëm forma me -sh: thoshim, në vetën e dytë ndodh e kundërta, përdoret shumë më dendur forma thonit sesa forma thoshit, ndërsa në vetën e tretë kemi pak a shumë një përdorim të ekuilibruar si të formës thoshin, dhe të formës thonin.


-Vihet re se për vetën e parë njëjës të së pakryerës përdoret pothuaj dyfish më shumë forma thoja krahasuar me atë thosha:

  • Unë thosha se gabimisht e kemi pagëzuar si tolerancë! ...
  • I thoja që ky ishte vërtet një fat tjetër shumë i madh për mua.


-I njëjti raport vihet re dhe në dendurinë gati dy herë më të madhe të formës së vetës së dytë njëjës thoje kundrejt asaj thoshe:

  • Mbaj mend kur më thoshe ëmbël si mjaltë ‘të dua’.
  • Përderisa thua qe je edhe ti pjesë e senatit, duhet të ishe i fundit që i thoje këto.


-Ndërsa në shembujt e vetës së tretë njëjës mbizotëron dukshëm forma thoshte kundrejt formës thonte:

  • Kujtoj mamanë që thoshte: "Ndërruan kohërat”.
  • Shpesh thonte: -U lumtë fëmijëve të mi ! 


-Po kështu, dhe forma e vetës së parë shumës thoshim ka shumë përparësi në raport me formën thonim:

  • Thoshim po çka nuk thoshim në atë kohë kur dashuroheshim.
  • Këtu është teksti dhe videoklipi i këngës ‘Fjalët s’i thonim’.


-Në vetën e dytë shumës mbizotërojnë dukshëm shembujt me formën thonit krahasuar me atë thoshit:

  • Çfarë i thoshit njeriut tuaj të zemrës në ato çaste?
  • Ju thonit se transparenca e numërimit do të përcaktojë suksesin e zgjedhjeve.


-Ndryshe paraqitet gjendja në vetën e tretë shumës, ku vihet re një përdorim pothuaj paralel i formave thoshin dhe thonin:

  • Disa thoshin se është i mirë, e të tjerë thoshin: Jo, por gënjen turmën ...
  • Të afërmit e familjes më thonin që të mos shkoja.


Gjatë përpunimit të të dhënave të nxjerra nga ky kërkim vihet re se krahas formave normative thosha, thoshe etj. të së pakryerës së foljes them, format thoja, thoje etj. tashmë nuk i përkasin më vetëm të folurit, por dhe gjuhës së shkruar, madje disa prej tyre (thoja, thoje, thonit) po mbizotërojnë dukshëm ndaj formave përkatëse normative, duke dëshmuar kështu për zhvillime të brendshme që po ndodhin në sistemin foljor të gjuhës shqipe, të cilat meritojnë të bëhen objekt i rregullt vëzhgimi nga studiuesit.


Bibliografi

Demiraj, Sh., Gramatikë historike e gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave, Tiranë, 2002.

Demiraj, Sh., “Rreth foljevet jam, kam e thom dhe rreth alternimit -e-/-je-:-i- në sistemin foljor të shqipes”, Studime rreth historisë së gjuhë shqipe. Universiteti Tiranës. Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë. Katedra e gjuhës shqipe. Tiranë, 1973, f. 349-374.

Fjalor i gjuhës së sotme shqipe (FGjSSh), ASHSH, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1980.

Fjalor i gjuhës shqipe, ASHSH, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 2006.

Fjalori sinonimik i gjuhës shqipe, ASHSH, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 2004.

Gramatika e gjuhës shqipe I, ASHSH, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1995.

Gjuha letrare shqipe për të gjithë, ShBLSh, Tiranë, 1976.

Likaj, E., “Çështje të normës morfologjike në sistemin foljor”, Gjuha jonë, 13/1993, 1-4, 11-15.

Likaj, E., Zhvillimi i eptimit në gjuhën shqipe, Tiranë, 2003.

Topalli, K., Evolucioni i sistemit foljor të gjuhës shqipe, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 2007.

Topalli, K., Gramatikë historike e gjuhës shqipe. Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Botimet Albanologjike. Tiranë, 2011.



Nga prof. asoc. Adelina Çerpja 

(marrë nga gjuhashqipe.com) 


Publikim N. Allkja Biçaku 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.


4,547 Lexime
3 vjet më parë