Udhëzues renditjeje

Udhëzuesi “Renditja kombëtare e gjimnazeve”

Renditja e gjimnazeve është krijuar për të ofruar informacion sistematik (1 herë në 3 vjet) mbi efektivitetin e çdo gjimnazi në veçanti dhe të gjithë gjimnazeve në tërësi. Në vijim gjeni dokumentin për “Renditjen kombëtare të gjimnazeve”.

Çdo nxënës e meriton një arsimim cilësor, një e drejtë e siguruar edhe me ligj në Republikën e Shqipërisë. MAS nëpërmjet Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Prauniversitar (ASCAP) dhe në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për sigurimin e cilësisë së arsimit parauniversitar realizojnë vlerësimin e cilësisë së shërbimit arsimor, që ofrojnë gjimnazet mbi bazën e treguesve zyrtarë.


Renditja e vlerësimit të performancës së gjimnazeve në nivel kombëtar, realizon një transparencë të bazuar në llogaridhënie ndaj përfituesve të shërbimit arsimor, promovon përhapjen e praktikave të suksesshme dhe njëkohësisht informon palët e interesuara.


Renditja kombëtare e gjimnazeve mbështetur në vlerësimin e performancës së gjimnazeve, në vijim “Renditja e gjimnazeve” është një dokument që përmban “një bateri treguesish sinergjik” të hartuara për të identifikuar realitetin e qartë e të paanshëm, kompleks dhe relativ të veprimtarisë mësimore – edukative të gjimnazeve.


Renditja e gjimnazeve është krijuar për të ofruar informacion sistematik (1 herë në 3 vjet) mbi efektivitetin e çdo gjimnazi në veçanti dhe të gjithë gjimnazeve në tërësi.


Kjo renditje synon të krijojë një “platformë” për mbledhjen, përpunimin, vlerësimin e të dhënave mbi kulturën, konsideratën për këtë shkollë dhe konkurrencën arsimore, bazuar në situatën aktuale, duke siguruar një bazë kërkimore dhe analizë të të dhënave kryesisht për zhvillim të qëndrueshëm të procesit të mësimdhënies dhe të të nxënit për çdo gjimnaz.


Renditja e gjimnazeve vë në dukje ndikimin dhe ndryshimet në përparimin e gjimnazit me gjimnazet e tjera, në mënyrë që ai të mësojë më shumë nga ato me performancë më të lartë, si dhe të përmirësojë konkurrencën e tij në të ardhmen. Platforma plotësohet nga ASCAP-i në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar (DPAP), drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar (DRAP) dhe zyrat vendore të arsimit parauniversitar (ZVAP). Renditja kombëtare e gjimnazeve shpallet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS), në ceremoninë e shkollave të suksesshme.


Mënyra e llogaritjes dhe përpunimi i të dhënave bazohet në parimet e drejtësisë, paanshmërisë, përgjegjësisë, barazisë dhe mosdiskriminimit. Renditja e gjimnazeve bëhet e ditur, për ta bërë atë më të besueshme, transparente dhe llogaridhënëse për nxënësit, prindërit, mësuesit, drejtuesit dhe komunitetin.


Të dhënat e platformës së renditjes së gjimnazeve janë të vlefshme për drejtuesit dhe mësuesit e gjimnazit që të njohin anë të veçanta të shkollës që kanë nevojë për më shumë vëmendje, për t’i përfshirë në planet zhvillimore të tyre, si dhe për vendimmarrësit që të bëjnë parashikimet në mënyrë eficiente dhe efikase për rezultatet e ardhshme, për të synuar zhvillimin e mëtejshëm të kompetencave të fituara nga arsimi bazë për çdo nxënës, përforcimin e individualitetit të çdo nxënësi, tërësinë e vlerave e të qëndrimeve, zgjerimin dhe thellimin në fusha të caktuara të dijes, si dhe përgatitjen për arsimin e mëtejshëm të tyre ose për tregun e punës.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

5,840 Lexime
1 vit më parë