Festa e Flamurit në klasën e mësimdhënëses nga Prishtina Filloreta Mustafa-Dermaku
Filloreta Mustafa-Dermaku, mësimdhënëse në shkollën fillore të mesme të ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë, së bashku me nxënësit e saj të klasës IV ka realizuar një gamë aktivitetesh në klasë për Ditën e Flamurit.
Sapo hyra në klasë, të gjithë nxënësit më mirëpritën veshur kuq e zi, me buzëqeshje të madhe në fytyrë, dhe duke mbajtur balona në duar… Sa pamje e bukur!
Në këtë ambient të ngrohtë, ora mësimore filloi me nxënësit duke kënduar me shumë zemër “Xhamadani vija-vija” dhe “Kuq e zi”.
Mësimdhënësja Filloreta Mustafa-Dermaku u shpjegoi nxënësve rreth festës së 28 Nëntorit dhe ata e dëgjonin me shumë kujdes. Më pas, ajo shpërndau edhe disa fleta pune me motive të Ditës së Flamurit. Aktiviteti zgjati rreth 10 minuta.
Më pas, më shumë dëshirë e vullnet, nxënësit modeluan me fara të zeza shqiponjën.
Për këtë aktivitet duheshin:
- ngjitës
- fara të zeza
- letër e printuar me shqiponjë.
Nxënësit u kënaqën nga ky aktivitet dhe pamja më e mrekullueshme ishte t'i shihje ata me sa vullnet bashkëpunonin dhe i shfrytëzonin bashkë mjetet e njëri-tjetrit. Aktiviteti zgjati rreth 15 minuta.
“Jam shumë e lumtur që jam mësimdhënëse e një klase të mbushur me nxënës kaq të edukuar dhe me shumë interes në mësim”, tha mësimdhënësja Filloreta Mustafa - Dermaku për Portalin Shkollor.
Gjatë bashkëbisedimit me disa nxënës, kuptova se Festa e 28 Nëntorit festohej edhe në shtëpitë e nxënësve bashkë me familjet e tyre, duke dëgjuar muzikë dhe duke shikuar ndonjë dokumentar rreth kësaj dite të rëndësishme.
Ora mësimore u mbyll nga nxënësit që luajtën me balona.
Më poshtë gjeni një video dhe foto të realizuara gjatë aktiviteteve.
Përgatiti: Era Baliu, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën
©Portali Shkollor– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Urimet më të bukura që mund t’i dërgoni njerëzve të dashur për ditëlindje
Lojërat më të bukura të viteve ’90 që mund t’ua tregoni nxënësve apo fëmijëve tuaj
"Lojëra matematikore"