Festa e abetares në shkollën Mileniumi i Tretë
Nxënësit para prindërve, gjyshërve e shumë pjesëmarrësve tjerë shfaqën pika të larmishme si: vjersha, këngë, vallëzime, lojëra ritmike dhe pjesë tjera interesante duke i bërë edhe mysafirët pjesë të programit me fakte e gjëegjëza
Kaluan ditët, javët e muajt që nga fillimi i klasës së parë, ditës kur për herë të parë nxënësit e klasave të para u takuan me shkollën për t’u nisur në një rrugëtim të gjatë drejt dijes.
Shkronjë pas shkronje, numër pas numri arritën të shkruajnë e të lexojnë për bukuri fjalët e tyre më të ëmbla si: nënë, baba, gjysh, gjyshe, mësuese, shkollë e deri te krijimi i ngjarjeve të ndryshme kuptimplota.
E gjithë kjo punë u kurorëzua me Festën e Abetares, si ditën dhe ngjarjen më të veçantë për shkollarët e vegjël, e cila u mbajt më datë 19.5.2016, në teatrin “Dodona” me një program të përgatitur nga departamenti i klasave të para në bashkëpunim me arsimtaren e arteve, Mirlinda Ramadani, arsimtaren e muzikës, Yllnora Gashi, arsimtaren e gjuhës angleze, Krenare Lleshi dhe gatishmërinë e gjithë stafit të shkollës. Nxënësit para prindërve, gjyshërve e shumë pjesëmarrësve tjerë shfaqën pika të larmishme si: vjersha, këngë, vallëzime, lojëra ritmike dhe pjesë tjera interesante duke i bërë edhe mysafirët pjesë të programit me fakte e gjëegjëza.
Të pranishmit dhe fëmijët i përshëndeti drejtoresha e shkollës Afrore Lila me fjalët më të ëmbla për shënimin e kësaj dite duke përçuar mesazh domethënës për të vegjëlit:
“… Me përmbylljen e mësimit të Abetares, shkolla po e përmbyll edhe vitin e 12-të të punës së saj me mësimin e tingujve, shkronjave e numrave qindra yllkave e fatosave, gjeneratë pas gjenerate me të veçantat e tyre ashtu sikur këta artikulues të alfabetit dinë t’i japin melodinë më të ëmbël librit të parë.
E ligjërimi i tyre melodioz bëhet edhe më tërheqës, thesari i këtyre filizave mbushet çdo ditë me ndihmën e përkushtimin e mësueseve duke i nxitur të qëndisin ese, të thurin fjali për çastet më të bukura në shkollë e jashtë saj, të marrin dhe të lënë porosi për gjyshërit, për nënat, baballarët dhe shokët e tyre.
Sot, nga kjo festë e madhe kalamajtë e pallatit Mileniumi po hyjnë në një kapitull të ri të jetës së tyre, në universin e madh të dijes, në botën e madhe të librit e shkencës…”
Festa e Abetares në shkollën 9-vjeçare “Besëlidhja e Malësisë”
Udhëzues për mësuesit kujdestarë mbi parandalimin e fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm
Nxënësit e gjimnazit “Ismail Qemali” ekspozitë kundër dhunës në familje