Magjia e dhjetorit!
Fëmijët entuziazmohen jo vetëm nën dritat e pemës së Krishtlindjes, por dhe te dritat që lëshojnë fytyrat e të rriturve dhe kërkojnë që kjo të zgjasë e të zgjasë, deri sa dhjetori tjetër të vijë.
Që fëmijë, i prisja me emocion të veçantë festat e fundvitit. Si me “magji” ato të largonin në një botë më të bukur. Të gjithë rreth meje ishin më të gëzuar, me buzëqeshje të panumërta midis tyre, duke ndarë “bollëkun” e tavolinave së bashku, pa menduar asnjë çast se nesër shpenzimet do të reflektonin në kuletën e familjes. Fytyrat e të rriturve ishin më të qeshura, të gjithë i thonë njëri-tjetrit “gëzuar!” sikur edhe midis tyre të kishte patur ndonjë mosmarrëveshje e vogël. Inatet dhe zemërimet liheshin mënjanë, vëmendja drejt më të dobtit ishte më e madhe, ndjeshmëria ndaj familjes ishte më e pranishme dhe në përfundim, njerëzit dukeshin më të mirë. E gjithë kjo pamje ishte kaq e bukur. Do doja të ndalesha atje për një kohë të gjatë. Edhe sot gjërat nuk kanë ndryshuar shumë. Sot po ashtu vëren se njerëzit kërkojnë pak paqe, qetësi, dashuri dhe duket sikur e kërkojnë këtë te simbolika e ditëve të fundit të dhjetorit, dhe jo tek vlerat e qëndrueshme që sjellin këtë qetësi në jetën e individit. Në kurthin e këtyre simbolikave, bien edhe fëmijët. Ata entuziazmohen jo vetëm nën dritat e pemës së Krishtlindjes, por dhe te dritat që lëshojnë fytyrat e të rriturve dhe kërkojnë që kjo të zgjasë e të zgjasë, deri sa dhjetori tjetër të vijë. Por, janari vjen shpejt, dhe shëtitja e paqtë e asaj dite, është si një mëngjes pas një feste të bukur, mbeten kujtimet, por magjia ka mbaruar.
Këto janë ndjesitë që përshkrojnë qëniet vulnerabël këtu në tokë. Thuajse të gjithë ne jemi nga pak të prekur, por më të prekur janë ata të cilët mbajnë mbi supe fatin e mbrapsht të jetës: fëmijët jetim, fëmijët e sëmurë, fëmijët e pastresë, fëmijët e braktisur, fëmijët e varfër dhe fëmijët e abuzuar. Kam parasysh vetëm fëmijët pasi ata më së shumti do e trashëgojnë këtë tokë dhe mbi të gjitha, ata do të duhet të kuptojnë më së miri sistemin e vlerave që duket si i pandashëm nga ai i simboleve. Sepse, ata do të duhet të mos zhgënjehen dhe të besojnë se bota është një vend i mirë për të jetuar.
Pas këtij fillim-refkeltimi, me vjen natyrshëm pyetja: a mundet ne të shkëputemi nga simbolikat sociale, të cilat i trashëgon masa dhe nëse kjo është e vështirë, pse ndodh kështu?
Ndoshta ne tashmë kemi trashëguar një nevojë kolektive për t’u kapur pas simboleve për të kujtuar vlerat që kemi në dorë t’i shfaqim. Ne duam të jemi njerëz më të mirë dhe ky është një fillim i mbarë. Sigurisht që të njëjtën gjë duam edhe për fëmijët tanë, duam që ata të jenë njerëz më të mirë, por kjo nuk mjafton vetëm me “magjinë” e dhjetorit. Kompasioni, dhembshuria, mirëdashja, dashuria, shpresë-dhënia, mbështetja, përkrahja, nxitja pozitive, ngushëllimi dhe ndihma materiale, nuk mundet kurresesi të zgjasin më pak seç zgjasin vet fjalët. Fjalë si këto janë të mëdha, zemërgjerë, dhe presin të përdoren në të gjithë kuptimin e tyre.
Kështu, ne sot si të rritur, jemi përballë përgjegjësisë që janarin ta shndërrojmë në fillimin e themelimit të vlerave dhe si rrjedhojë, ngritjes së shpresës.
Unë, ai fëmija syqeshur dhe shpirtlumtur i atyre çasteve, vëzhguese e kujdesshme e fytyrave të njerëzve që aq pranë i ndjeja, shpresoja që ditët e dhjetorit të ishin më të gjata, që pema e Krishtlindjes (dikur pema e vitit te ri) të mos thahej asnjëherë, që poçat shumë ngjyrësh të mos i zbrisnim nga pema, dhe dritat me shkëlqim të mos i fiknim kurrë, nëse paga që do të paguanim do të ishte pandjeshmëria ndaj ditëve të tjera. Unë, do të doja që fëmija i atyre ditëve, të vinte dhe në familjen tuaj sot, te fëmijët tuaj. T’i sillni atyre modelin e përkujdesjes, dhembshurisë, faljes, mirë-qënies shpirtërore, durimit, buzëqeshjes, haresë, etj.
A nuk do të silleshit ju kështu në festat e fundvitit me të gjithë fëmijët në nevojë, me atë me aftësi ndryshe, me jetimët, me fëmijët e sëmurë, me të varfërit, me fëmijët në nevojë? A nuk keni treguar më të mirën tuaj këto ditë festash ndërsa i keni vizituar këta të fundit? Dhe nëse nuk e keni bërë akoma, kjo do të ishte dëshira juaj, sepse “magjia” e dhjetorit, ondet e tij transmetohen tek ju dhe ju prekin zemrat sikur të mos kishte ekzistuar asnjëherë konflikti, urrejtja, egoizmi, dasha-keqësia, paragjykimet, stigmat…
Unë ju kam njohur në këto festa, ashtu sikurse edhe fëmijët tuaj dhe e di që ju mund të jeni më të mirë edhe në muajt e tjerë. Unë do të doja një vit “magjik.” Do të doja shumë që babagjyshi të ma plotësonte këtë dëshirë, edhe pse Babagjyshi që njoh unë, punon gjithë vitin. Do të doja që njerëzit të ishin me të mbushur me besim dhe të shpresonin dhe të punonin që të bëhen njerëz më të mirë. Se unë sot, do të doja t’i tregoja fëmijës tim, se ia vlen të jetosh te toka dhe vendi yt, se ia vlen të jesh shqiptar, se ia vlen të besosh se ato që shpresohen për shëndetësinë, arsimin, mirëqënien dhe ekonominë, do të realizohen. Vetëm atëherë kur njerëzit mendojnë se tashmë janë më të mirë se dje, mund të besojnë dhe punojnë që vendi i tij të jetë më i mirë për fëmijët e tyre.
Unë për veten time do zgjedh ta ruaj këtë simbolikë, se me kujton që mund të bëhem një njeri më i mirë. Preferojë ta ruaj magjinë e dhjetorit për një kohë të gjatë, deri sa dhjetori tjetër të vijë.
(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)
Jepi stresit vendin që i takon
Denata Toçe: A po festojnë mësuesit?
Denata Toçe: Të kujdesemi për mësuesit tanë