“Zing City”, jepini ngjyrat që doni qytetit
"Zing City" prezanton përmes 22 ilustrimeve te tij, një copëz nga Shqipëria e sotme. Në çdo faqe ka kompozime të ndryshme të cilat paraqesin skena nga arkitektura dhe mjedisi urban. Jam përpjekur që çdo ilustrim të vijë me elementë të ndryshëm.
Ledia Kostandini sjell për herë të parë në Shqipëri librin e ngjyrosjes për të rritur. Ky është një zhaner i panjohur te ne, por në botë është kthyer në tendencë. Gjatë një interviste ju do të njiheni me librin “Zing City” dhe rrugën që përshkoi për të ardhur tek ju nëpërmjet Shtëpisë Botuese Albas.
Ledia, si lindi ideja për të realizuar një libër të tillë?
Librin e ngjyrosjes për të rritur e hasa para dy vitesh, kur mora si dhuratë një botim francez me titullin, Art Therapy. Libri në fjalë përmbante shumë figuracione, kryesisht dekorative, floreale dhe gjeometrike. Kam rreth 10 vjet që merrem me dizajnin e librit dhe ilustrimin, por këtë zhaner nuk e kisha hasur më parë, sepse realisht në Shqipëri ngjyrosja nuk i është prezantuar ndonjëherë të rriturve. Pasi mora në dorë librin francez, fillova kërkimet e mia dhe zbulova se ky tip libri ishte një tendencë e kohës në botën perëndimore. Gjithashtu, zbulova se ngjyrosja për të rritur daton që në vitet ’60. Ngjyrosja ka shërbyer për të transmetuar mesazhe sociale, për të nxitur meditimin dhe vetë përqendrimin, për t’u argëtuar etj.
Unë e lidha këtë zbulim të ri me motivet e mia dhe interesin që kam ndaj arkitekturës urbane dhe mjedisit publik. Kërkimet e mia lidhur me këtë temë kanë vijuar për disa vite me radhë, në formën e pikturës, instalacionit, vizatimit e fotografisë. I gjithë ky akumulim me shërbeu si material për të krijuar Zing City-n. Kështu lindi ky libër, i cili prezanton qytetin e sotëm shqiptar. Ky botim është një ndërthurje e eksperiencës sime të gjatë si ilustratore dhe kërkimeve të mia artistike. Doja që Zing City të ishte një qytet i mbushur me detaje, por të ishte përsëri i zbrazët, pa ngjyrë. Ngjyra është një element i rëndësishëm për një qytet. Këtë tipar ia kam lënë në dore publikut. Ata mund t’i japin pamjen përfundimtare qytetit Zing, duke e ngjyrosur sipas dëshirës.
Është një zhanër i panjohur në Shqipëri, a ju trembi kjo?
E vërtetë, në Shqipëri, ky zhanër nuk njihet fare, madje duhet thënë se e kam pasur të vështirë jo vetëm ta prezantoja nëpër librari, por edhe t’i gjeja një vend të përshtatshëm në raft mes librave të tjerë. Kam kuptuar se na mungojnë tërësisht botimet që nxisin kreativitetin praktik për të rritur. Mendoj se shumë aktivitete praktike në libër, nuk ka pse të lidhen vetëm me fëmijët. Edhe të rriturit kanë nevojë për stimuj artistikë. Ngjyrosja për shembull është një proces që të çliron nga stresi i ditës, të kënaq syrin dhe mendjen. Nga ana tjetër, ngjyrosja bëhet një aventurë interesante përmes së cilës mund të “lexosh” librin. Pak nga pak njerëzit po i afrohen këtij zhanri, megjithëse duhet ta pranoj se është një sfidë për mua integrimi i librit në publikun shqiptar. Nga ana tjetër jam e lumtur që Zing City hap një sipar të ri dhe për momentin është unik në llojin e vet.
Si u prit libri?
Deri tani them se ka ecur me një ritëm të kënaqshëm. Njerëzit jo vetëm e kanë blerë, por kanë filluar ta ngjyrosin dhe madje me dërgojnë herë pas herë foto nga fletët e punuara. Libri ka një faqe të veten në Facebook dhe gjithashtu në Instagram. Ato funksionojnë edhe si pika kontakti mes meje dhe njerëzve të interesuar. Jam e kënaqur që jehona e tij ka shkuar edhe përtej Shqipërisë. Ka njerëz që më shkruajnë nga Gjermania, Amerika, Franca etj. I falënderoj për përshtypjet e tyre gjithnjë entuziaste dhe për mbështetjen në këtë projekt. Një arritje për t’u nënvizuar është pjesëmarrja e librit në ekspozitën prestigjioze të Muzeut Pompidou Metz me titullin “Le Corbusier et Leger, visiones polychromes”. Zing City qëndronte i hapur në zonën interaktive të ekspozitës dhe publiku kishte mundësi ta ngjyroste.
Çfarë sjell të re ky libër?
Zing City prezanton përmes 22 ilustrimeve te tij, një copëz nga Shqipëria e sotme. Në çdo faqe ka kompozime të ndryshme të cilat paraqesin skena nga arkitektura dhe mjedisi urban. Jam përpjekur që çdo ilustrim të vijë me elementë të ndryshëm. Në një kompozim mbizotërojnë tubacionet, në tjetrin dritaret e qytetit apo depozitat e ujit, reklamat dhe posterat, shtesat e pallateve etj. Në momentin kur ndërtoja kompozimet, mbaja parasysh ngjyrosjen e mëtejshme, faktin që publiku nuk duhet të mërzitet. Ilustrimet nuk duhet të kenë përsëritje, raporti mes detajeve dhe figurave të gjera duhet ruajtur me kujdes. Ngjyrosja e mëvonshme, është po aq e rëndësishme sa figura ime. Prandaj do e quaja ketë formë libri si një bashkautorësi ndërmjet piktorit dhe publikut. Arsyeja pse Zing City iu adresohet të rriturve lidhet se pari me nivelin e vështirësisë në ngjyrosje sepse figurat janë të dendura dhe shpesh të vogla. Së dyti, dua që stresi i përftuar në qytet, të mund të përkthehet në qetësi dhe argëtim. Së treti, secili mund të ofrojë këndvështrimin e tij koloristik lidhur me pamjen e qytetit.
Cilës grupmoshë i dedikohet ky libër?
Grupmosha ideale për librin është nga 12-120 vjeç. Pra këtu përfshihen të rriturit dhe adoleshentët. Kjo nuk do të thotë se fëmijët e kanë të ndaluar ta shfletojnë apo ta ngjyrosin. Megjithatë jam e bindur se ata gjejnë me dhjetëra libra për veten vërdallë. Këtë herë t’i japim mundësi mamit, babit, motrës apo vëllait të madh për të gjetur pak çlodhje dhe kënaqësi te ngjyrosja. Iu sugjeroj prindërve të vënë fëmijët në gjumë, dhe t’iu “vjedhin” atyre lapsat me ngjyrë. Ndërkohë që dëgjojnë muzikë, shohin TV, flasin me njëri-tjetrin, le të hedhin disa ngjyra mbi letër. Askujt s’do i bënte keq një aktivitet si ky. Adoleshentëve do iu sugjeroja një bisedë të këndshme në lokalin e preferuar, me librat dhe ngjyrat mbi tavolinë. Ndërkohë që smartphonet janë në karikim, një kafe me ngjyra mund të nxisë biseda interesante.
A do ketë një libër tjetër të ngjashëm?
Do më pëlqente që Zing City të mos mbetej një episod i shkëputur. Në fakt e kam në mend librin pasardhës, megjithatë e kam lënë për një kohë tjetër sepse për momentin po i përkushtohem disa projekteve të tjera. Por nuk e përjashtoj mundësinë e një libri të ngjashëm.
(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)
Teste për vetëkontroll dhe teste për vetëvlerësim
Dhurojuni të vegjëlve tuaj Abetaren mbarëkombëtare!
Libri digjital, Albas prezanton metodologji të mësimdhënies bazuar në TIK