Vlerësim maksimal i poezisë së Rita Petros në Rumani
Në datat 21 dhe 22 qershor, në Rumani, u zhvilluan dy promovime të vëllimit poetik “Vrima” të poetes Rita Petro. Në Bukuresht promovimi u zhvillua në Muzeun Kombëtar të Historisë të Rumanisë, ndërsa promovimi i dytë në qytetin bregdetar të Konstancës..
Në datat 21 dhe 22 qershor, në Rumani, u zhvilluan dy promovime të vëllimit poetik “Vrima” të poetes Rita Petro. Në Bukuresht promovimi u zhvillua në Muzeun Kombëtar të Historisë të Rumanisë, në sallën Lapidarium, ndërsa promovimi i dytë në qytetin bregdetar të Konstancës, në sallën prestigjioze “Adrian Radulescu” të Muzeut Kombëtar të Historisë dhe Arkeologjisë. Evenimenti kulturor, që zgjoi interesin e mediave vendase, u organizua nga shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR), në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Historisë të Rumanisë, gjegjësisht me Muzeun Kombëtar të Historisë dhe Arkeologjisë të Konstancës, Lidhjen e Shkrimtarëve të Rumanisë si dhe me Grupin Editorial “Corint”, një nga Shtëpitë Botuese më të mëdha të Rumanisë.
Në përurim shkrimtarja e njohur rumune Ana Barton do të shprehej për vëllimin (që në rumanisht ka titullin “Origjina e botës”) se: “Poezia e Rita Petros ka qenë një befasi e madhe për mua, e kam lexuar brenda një nate, me një frymë, me një rumanishte të mrekullueshme, falë përkthimit të shkëlqyer të Marius Dobrescut dhe Luan Topciu. Në vendin e saj ky libër ka zgjuar mjaft debate, i konsideruar tejet erotik-eksplicit, duke u konsideruar një sprovë tejet e guximshme. Për mua pikërisht erotizmi dhe seksualizmi i poezive, të shtjelluara, në të shumtën e herës, nën një perspektivë kozmogonike e mistike, madje edhe biblike, krijon impaktin emocional që mund të ta falë vetëm një poezi e shkëlqyer. Më pëlqeu shumë, kur e kur e ashpër, kur e kur shpuese, por edhe e mëndafshtë njëkohësisht.”
Ndërsa Prof. Univ. Dr. Angelo Mitchievici vlerësoi se: “Kemi të bëjmë, në një pjesë të mirë të librit, me poezi erotike të cilësisë më të lartë. Rolin që luan Rita Petro është ajo e bakantes (priftëresha që shoqëron perëndinë e Bakus-it), një bakante, e cila, në mënyrë paradoksale, nuk është e dehur me verë, por me ndjesitë e veta dhe është tejet e kthjellët në këtë gjendje dehjeje, duke bërë të mundur kësisoj që ndjesitë e saj të bëhen të komunikueshme nëpërmjet vargjeve poetike”.
Referenti tjetër, shkrimtari Ovidiu Dunareanu, manifestoi befasinë e lëçitjes së vëllimit poetik “Vrima” duke vlerësuar se ky vëllim luhatet mes modernes dhe klasikes. Sipas tij, vëllimi poetik ka strukturën e një romani lirik, me momentet më të rëndësishme të jetës, nga lindja deri në vdekje .Më tej ai u shpreh se: “Prej kohësh nuk kam pasur kënaqësinë të lexoj një libër të tillë: të bukur, të vlefshëm, gjithëpërfshirës, nga të gjitha perspektivat, konstruksion, përmbajtje (...) Ky libër ka një forcë të posaçme, një çiltërsi të jashtëzakonshme”.
Studiusi Luan Topçiu, bëri prezantimin e autores dhe të veprës së saj. Gjithashtu, ai u ndal në domethënien e veçantë që ka qyteti i Konstancës për kulturën shqiptare, duke nënvizuar, mes të tjerash, se në këtë qytet u hap shkolla e parë shqipe (1905) dhe se në tipografinë “Albania” të Konstancës panë dritën e botimit dy vëllimet poetike të Lasgush Poradecit, por dhe libra të tjerë të një rëndësie të veçantë për kulturën dhe letrat shqipe.“Rita Petro, është tashmë një emër mjaft i rëndësishëm në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Është poete, sipërmarrëse e suksesshme, autore tekstesh shkollore etj (...). Vëllimi poetik “Vrima” shënoi një sukses në Shqipëri, jo vetëm nga pikëpamja letrare, por dhe jashtë letrare, duke qenë një sfidë e hapur për opinionin publik shqiptar, përmes trajtimit të disa temave tabu, pasi gjuha dhe tematika e poezisë u dalluan për kurajën e jashtëzakonshme....Në limitet e lirisë, poetja ka prekur kufij të rinj estetikë”.
Shkrimtari dhe përkthyesi, Marius Dobrescu, në fjalën e tij, përpos të tjerash, duke shpjeguar procesin e përkthimit të një poeteje femër, theksoi se: “Poezia e Rita Petros meriton gjithë vëmendjen tonë…, është një këngë e pandërprerë që i dedikohet dashurisë, dashurisë mishtore, të cilën pikërisht ajo, një femër që përballet me të gjitha paragjykimet tona ballkanike, e lartëson dhe i përulet. Është një flijim i vendosur në këmbët e feminitetit. Kësisoj, duhet të njohim faktin se Rita Petro bën atë që asnjë burrë nuk guxon ta bëjë, dhe e kryen me çiltërsi të plotë, që prek kur lartësitë e Parajsës, kur thellësitë e Ferrit. Është triumfi i sinqeritetit absolut”.
Në këto evenimente u përfshi dhe një recital poetik nga aktorja e Teatrit Kombëtar të Rumanisë, Olimpia Mălai, aktorja Lavinia Dumitrascu, të cilat recituan në rumanisht vargje nga ky vëllim, si dhe vetë poetja lexoi vargje në gjuhën shqipe.
(Portali Shkollor)
“Shqipja qysh u është dukur? Sa e ëmbël, sa e bukur!”
Shoqja ime Koni
Libri digjital, Albas bashkëbisedim me mësuesit