MBYLLJA E VITIT AKADEMIK

Urdhri për universitetet, Ministrja Shahini: “Studentët që do të diplomohen duhet të kthehen në auditore në qershor”

Studentët që janë për t’u diplomuar do të kthehen në auditore në qershor, provimet dhe riprovimet i zhvillojnë në korrik dhe javën e parë të gushtit. Nga 25 gushti deri në fund të shtatorit kthehen në auditore ata që nuk janë për t’u diplomuar ndërsa provimet dhe riprovimet i zhvillojnë në tetor.

Nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ka dalë një urdhër i fundit nëpërmjet të cilit i bëhet thirrje universiteteve publike për marrjen e masave për mbylljen e vitit akademik. 


Ministrja e Arsimit, Besa Shahini në një komunikim të sotëm ka thënë se studentët do të rikthehen në universitete, por do të ketë një ndarje mes të diplomuarve dhe atyre të ciklit të parë dhe të ndërmjetëm. Shahini thotë se ata që janë për t’u diplomuar do të kthehen në auditore për 3-4 javë në qershor kurse provimet dhe riprovimet i zhvillojnë në korrik dhe javën e parë të gushtit. Më pas nga 25 gushti deri në fund të shtatorit kthehen në auditore ata që nuk janë për t’u diplomuar ndërsa provimet dhe riprovimet i zhvillojnë në tetor.


“Zv.ministri Rrumbullaku ka mbajtur komunikime me gjithë rektorët. Rektorët kanë sjellë edhe propozimet për mbylljen e vitit akademik. Mbështetje për studentët që nuk kanë pasur mundësi për mësimin online por dhe siguron shëndetin”, ka thënë Shahini.


Urdhëri ka katër elemente kryesorë:


Elementi i parë kërkon që të prioritizohet puna me studentët që diplomohen në të gjitha ciklet e studimeve të tyre. Duke marrë parasysh se mësimi online i ka vendosur në situatë të pabarabartë studentët, duhet të mundësohet kthimi në auditorë për përsëritjet apo edhe seminare dhe laboratorë, për një periudhe 3 apo 4 javore gjatë qershorit 2020. Provimet dhe riprovimet për studentët që diplomohen në të gjitha ciklet e studimit zhvillohen në muajin korrik dhe javën e parë të gushtit.


Elementi i dytë i përket gjithë studentëve të tjerë të viteve të para dhe të viteve të ndërmjetme, të gjitha cikleve që kthehen në auditorë me 25 gusht të vitit 2020, për një periudhë 3 deri në 5 javore deri në fund të shtatorit, në varësi të nevojave që kanë për përsëritje apo edhe për punë laboratorike. Ndërkohë, vazhdon mësimi online dhe mbyllen të gjitha pjesët e lëndëve që mund të kryhen në kushte shtëpie. Provimet dhe riprovimet për këta studentë zhvillohen në tetor të vitit 2020.


Elementi i tretë i urdhërit ka të bëjë me më mësimin online, i cili vazhdon deri në përfundim të orëve të parashikuara apo programit të planifikuar. 


Elementi i katërt i urdhërit ka të bëjë me përfundimin e vitit akademik, i cili do të zgjatet për rreth 2 javë. Pra, nuk do të zgjatet më shumë se dy javë përfundimi i vitit akademik dhe fillojmë vitin e ri akademik në nëntor të vitit 2020. 


Këto katër elemente vlejnë për universitetet publike që kanë një densitet më të madh të studentëve dhe nuk kanë arritur të organizojnë mësimin online për të gjithë studentët në të njëjtën mënyrë.


Ky është urdhëri i plotë : 



(N.Allkja Biçaku) 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,223 Lexime
4 vjet më parë