FJALIM PËR MËSUESIT

"Unë besoj se mësuesit mund ta bëjnë botën më të mirë!"

“Nëse do t’ju pyesja: A lodhemi? A jemi të ngarkuar? Përgjigjja do të jetë 'Po'. Por nëse do të pyesja a do të tërhiqeni? Unë jam e bindur se shumëkush do ta mendonte mire përgjigjen! Përgjigjja do të jetë 'Jo'!”- Msc.Oriana Osmani.

"Një fëmijë, një mësues, një stilolaps dhe një libër mund të ndryshojnë botën", po e nis me një citim  nga vajza e një mësueseje, nga nobelistja e paqes Malala Yousafzai. 


Po është e vërtetë, ne mund të ndryshojmë, ne mund të frymëzojmë jetët e nxënësve tanë, përmes punës tonë të përditshme. Me lejoni të përkulem përpara jush,përpara çdo edukatori, për çdo minutë të shpenzuar në drejtim të arsimit! Unë besoj se mësuesit mund ta bëjnë botën më të mirë! 


E kam parë mësuesinë jo thjesht si një profesion por mision e një mision fisnik ku çdo ditë të duhet të shkrihesh si qiriu për të ndriçuar mendjet e nxënësve të tu. Pa ne, pa mësuesit nuk do të kishte iluminizëm, përveç  se jemi burim njohurish, jemi udhëzuesit e motivuesit më të mirë. 


Kur kujtoj mësuesit e mi, kujtoj pasionin e tyre, kujtoj që e luajtën kaq bukur rolin e modelit te mua sa më tërhoqën brenda vorbullës së tyre, nuk më thanë se kishte sfida, nuk më shpjeguan që kishte vështirësi, nuk më treguan as do të duhej të harroja çdo gjë kur të kaloja portën e hekurt të shkollës e të përballesha me çdo problem të mundshëm, më thanë vetëm se është e bukur! 


Nëse do t’ju pyesja: A lodhemi? A jemi të ngarkuar? Përgjigjja do të jetë "Po". Por nëse do të pyesja a do të tërhiqeni? Unë jam e bindur se shumëkush do ta mendonte mire përgjigjen! Përgjigjja do të jetë "Jo"! Edhe pse përballemi me ndryshime të shpeshta e të shpejta ne nuk tërhiqemi, përkundrazi sfidat duken se na kanë bërë më të fortë! 


Nëse do të përshkruaja ditën e një mësuesi, javën, muajin vitin, ngjarjet do të jenë të shumta, aq shumë sa nuk kujtohen dot, por ajo që çdonjëri nga ne kujton është pyetja: A ndikova në jetën e nxënësve të mi? A mund të bëja më tepër? A frymëzova? 


Në një tubim për krijimin e Lidhjes së Mësuesve të Prefekturës së Durrësit, botuar në revistën “Arsimtari”, viti 1922. Mithat Frashëri do të shkruante : 

"Pritmi jonë varet nga puna e mësuesve, varet nga arsimi dhe edukata e djelmënisë. Edhe pse kanë kaluar gati 100 vjet, besoj se bini dakord me mua që shprehja e Mithat frashërit mbetet aktuale!".  


Dhe për ta mbyllur:  A e dini që mësuesit kthehen në legjenda? Ka mësues që mbeten në kujtimet e nxënësve përgjithmonë, përjetë për shkak të ndikimeve që ata kanë në jetët e tyre, ka mësues që frymëzojnë në jetë të jetëve! 


Do të doja të kthehesha në legjendë sepse ne mësueset jemi: 

 Ato të urtat gjer në dhembje,

 Të thjeshtat gjer në madhështi,


Gëzuar mësuese të dashura, festën tuaj fisnike! 


Msc.Oriana Osmani, mësuese e letërsisë në shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi” 



(Portali Shkollor) 

2,987 Lexime
4 vjet më parë