UDHËZUES ORIENTUES

Udhëzues orientues, për vetëvlerësimin e shkollës qendër komunitare

Shkolla Qendër Komunitare (ShQK) është një model promovues dhe zhvillues për ta kthyer shkollën në vendin ku ndërtohet partneriteti shkollë-familje-komunitet dhe bashkëpunohet për zhvillimin e potencialit të plotë të çdo nxënësi.

Nëpërmjet kësaj guide synohet lehtësimi i procesit të vlerësimit të treguesve të standardeve të Shkollës Qendër Komunitare (ShQK), si dhe të jepen udhëzime për plotësimin e portalit nga aktorët që ndihmojnë në hartimin dhe zbatimin e planit të ShQK-së në shkollë. Në mirëfunksionimin e këtyre shkollave, që punojnë për mirëfunksionimin e Shkollës Qendër Komunitare drejt arritjes së standardeve, shihe si një tregues shumë i rëndësishëm:

• ngritja e kapacitetit të strukturave të shkollës, si dhe

• bashkëpunimi ndërmjet aktorëve dhe partnerëve të Shkollës si Qendër Komunitare, mësuesve, prindërve, nxënësve, pushtetit vendor, bizneseve.


Pse ngrihen ShQK-të?

Shumë njerëz i shohin sot shkollat si “ishuj të izoluar” nga komuniteti, madje dhe familjet. Ata i shohin shkollat si institucionet që i shërbejnë një qëllimi të vetëm: mësuesit japin mësim dhe nxënësit nxënë (mësojnë). Shkolla, familja dhe komuniteti, sot përballen me një sfidë të përbashkët: edukimin më të mirë të mundshëm për fëmijët dhe të rinjtë, si dhe kërkojnë rrugë për t’iu përgjigjur nevojave të tyre përtej përgatitjes akademike. Fëmijët dhe të rinjtë duhet të përballen me çështjet dhe problematikat sociale të komunitetit dhe, në të njëjtën kohë, partneriteti me prindërit dhe aktorët e tjerë krijon mundësinë e ngritjes dhe realizimit të projekteve të përbashkëta me tematika nga komuniteti, që lidhen specifikisht me treguesit e standardeve të ShQK-së, duke mundësuar gjetjen e rrugëve për zgjidhjen e problemeve dhe duke aftësuar nxënësit, prindërit dhe mësuesit për të kontribuar në komunitetet e tyre.


Në procesin e vlerësimit të standardeve të shkollës si qendër komunitare, familjet dhe komuniteti punojnë së bashku:

• për të ndërtuar strategji të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për fëmijët, të rinjtë dhe familjet;

• për të pasuruar dhe nxitur të nxënin përmes veprimtarive formale dhe joformale;

• për të siguruar një mjedis që ofron dhe integron shërbime, të cilat aftësojnë për jetën, për shkollën familjen dhe komunitetin.

Studime të ndryshme, të kryera vitet e fundit, tregojnë se fëmijët dhe të rinjtë që kanë një perspektivë pozitive të mirëqenies së tyre, janë më të predispozuar për të bërë zgjedhje të shëndetshme në jetën e tyre, të cilat kontribuojnë direkt në të mësuarin e tyre gjatë gjithë jetës. Nxënësit nuk mund të kenë rezultate të larta mësimore nëse nuk ndihen të mirëpritur në shkollë, nuk aftësohen për jetën dhe nuk kanë një stil të jetuari të shëndetshëm, si në shkollë, ashtu dhe në komunitet.


Prindërit si partnerë

Çfarë mund të bëjë shkolla dhe mësuesi që prindërit të përmbushin këtë rol?

• Ndihmojnë prindërit për të kuptuar përgjegjësitë dhe të drejtat e tyre.

• Japin informacion për:

o rëndësinë që ka ndjekja e shkollës rregullisht nga fëmijët;

o rregullat dhe procedurat shkollës, duke treguar edhe mënyrat sesi zbatohen ato;

o programet e shkollës dhe përmbajtjen e fushave të ndryshme kurikulare.


Prindërit si partnerë dhe zgjidhës të problemeve të shkollës

Çfarë mund të bëjë shkolla dhe mësuesi që prindërit të përmbushin këto role?

• Të sigurojnë materiale dhe të iniciojnë programe apo trajnime, që ndihmojnë prindërit të kuptojnë

rregullat dhe procedurat shkollore.

• Të vënë në dukje rëndësinë e komunikimit të prindërve me mësuesit.

• Të vlerësojnë rëndësinë e pjesëmarrjes së prindërve në mbledhjet që organizon shkolla.

• Të iniciojnë programe për t’u mësuar prindërve se si t’i ndihmojnë fëmijët në kryerjen e detyrave

të shtëpisë.


-Prindërit si vëzhgues

-Prindërit si vullnetarë

-Prindërit si këshillues dhe partnerë në vendimmarrje

-Ç'është Këshilli i prindërve?

-Roli i Këshillit të prindërve

(Izha; Portali Shkollor)

3,508 Lexime
5 vjet më parë