Financat në shkolla

Udhëzimi për hapjen e mbylljen e llogarive buxhetore në degën e thesarit të shkollave përballë nevojave reale

Ka dal udhëzimi i përbashkët për hapjen e mbylljen e llogarive buxhetore në degën e thesarit të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar. Por cilat janë nevojat reale në shkolla sa i takon kësaj çështje?! I kemi renditur më poshtë nga specialisti i arsimit Fiqiri Çifliku.

Para disa javëve kemi publikuar analizën “Menaxhimi i financave të shkollës dhe mbështetja e MAS” marrë ekspertit të arsimit Fiqiri Çifliku. Aty trajtohet situata reale e institucioneve arsimore sa i përket çështjes së financimit të tyre. 


Ndërkohë këto ditë ka dal edhe udhëzimi për hapjen e mbylljen e llogarive buxhetore në degën e thesarit të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar. 


Më poshtë risjellim analizën e ekspertit dhe këtë udhëzim, për të lexuar edhe ju ndryshimet e për të qenë të informuar. 


Analiza 

Shkroi Fiqiri Çifliku


Shkollat e kanë të nevojshme të sigurojnë mjete monetare dhe materiale, të planifikojnë dhe menaxhojnë vetë buxhetin, në bazë të kërkesave dhe prioriteteve të shkollës, për të përmbushur sa më mirë nevojat e tyre. 

Plan pa buxhet nuk ka, e si i thonë,“në të thatë noti nuk mësohet”. Aktet nënligjore për menaxhimin financiar sot nuk ekzistojnë fare ose janë rudimente të ligjit të mëparshëm të arsimit parauniversitar. (Udhëzimi nr. 29, datë 25.09.2007, “Për grumbullimin, ruajtjen dhe përdorimin e të ardhurave nga dhurimet nga prindërit e nxënësve të shkollave të arsimit parauniversitar”).

Kalimi i disa përgjegjësive buxhetore në nivel shkolle, për të mundësuar realizimin e veprimtarive të përcaktuara në planin afatmesëm dhe atë vjetor të shkollës do të ishte zgjidhja më e mirë. Në këtë mënyrë shkolla përcakton prioritetet, projektet që janë më urgjente, sidomos atyre që lidhen me cilësinë dhe përmirësimin e kushteve për mësim.

Decentralizimi financiar (i kufizuar), nuk është i thjeshtë në zbatim, më parë duhet t’i japim përgjigje një sërë pyetjesh të cilat lindin natyrshëm.

A kanë shkollat burime njerëzore të mjaftueshme për planifikimin dhe menaxhimin e buxhetit? Është i trajnuar stafi drejtues i shkollës për planifikimin dhe zbatimin e buxhetit? Cilat janë vështirësitë dhe pengesat që mund të hasin gjatë planifikimit, zbatimit dhe raportimit të buxhetit?

Sa më sipër, institucionet drejtuese të arsimit parauniversitar (MAS/AKAP/ASCAP) duhet të miratojnë sa më shpejtë një udhëzim/rregullore, për të unifikuar procedurat që duhet të zbatojë drejtuesi i institucionit arsimor në funksion të autonomisë financiare, planifikimit, zbatimit të buxhetit, procedura vetë blerjes/prokurimit, shpenzimin e parave, raportimin etj. Më së shumti udhëzimi/rregullorja duhet të adresojë çështjet e mëposhtme:

  • Mënyrat për sigurimin e të ardhurave që mund të grumbullojë shkolla, si: dhurime, sponsorizime, projekte, donacione, të ardhura për shërbime ndaj të tretëve;
  • Vendin ku duhet të depozitohen të ardhurat. Këtu duhet të vendosim theksin tek kryerja e veprimeve vetëm nëpërmjet bankës, duke mos lejuar në asnjë rast veprime me para në dorë. Për këtë është e nevojshme një marrëveshje më Ministrinë e Financave për hapjen e llogarive në bankat e nivelit të dytë në emër të shkollave (rreth 1100 shkolla), duke mundësuar që veprimet në këtë llogari të kryhen pa komisione, si në arkëtim ashtu edhe në pagesë;
  • Një listë shteruese me aktivitetet që planifikon shkolla e mund të mbulohen nga fondet e siguruara nga institucioni arsimor. Kjo listë duhet të jetë e vetmja që do të zbatohet dhe duhet të dalë si produkt i konsultimeve me drejtues shkollash, mësues, prindër dhe ekspertë të arsimit;
  • Të përcaktohen qartë procedurat e blerjes së shërbimeve, mallrave si dhe të pagesave që kryhen ndaj furnitorëve/të tretëve.
  • Gjithashtu shumë e rëndësishme është dhe përcaktimi i formateve për raportimin e veprimeve financiare, si: tabela e të ardhurave dhe shpenzimeve, realizimi i buxhetit, etj.
  • Formatet e raportimit të veprimeve financiare, afatet e raportimit, organet tek të cilat raportohen, afatet e ruajtjes së dokumentacionit, etj;

Të jenë të shprehura qartësisht masat disiplinore në rastet e shkeljeve financiare që konstatohen nga personat përgjegjës.

Duke e planifikuar dhe menaxhuar vetë buxhetin, shkollat do të bëjnë përpjekje më të mëdha për të siguruar burimet që u nevojiten. Të kursejmë në shërbime dhe t’i përdorim paratë e kursyera për ndërhyrje emergjente, si dhe t’i kryejnë punët shumë më shpejt, sidomos riparimet e vogla.

Mundësia që u jepet shkollave në këtë drejtim do të ndikonte në reduktimin e shpenzimeve e tepërta,të panevojshme, sidomos sa u përket energjisë elektrike, ujit apo materialeve të tjera shpenzuese;gjithashtu do të rriste përgjegjshmërinë dhe efikasiteti në punë si dhe do të ndikojnë në përmbushjen e vizionit të shkollës dhe në rritjen e cilësisë në arsimin parauniversitar. 

Sigurisht në drejtim të aftësimit të stafit drejtues me kompetencën për menaxhimin e financave dhe materialeve shkolla e drejtorëve (CSL), i ka dhënë një mbështetje teorike, por këto do të mbeten teori për aq kohë sa nuk mbështeten me mjete konkrete ose në rastin më të keq drejtuesit e shkollave futen në spirale jo komode, duke u munduar të sigurojnë fonde për projekte të ndryshme, ca nga halli e ca nga qejfi…


Udhëzimi 


© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,197 Lexime
3 muaj më parë