"Udhëtime të shpirtrave vetmitare..."
Të gjashtë tregimet e këtij vëllimi rrokin tërë përvojën e gjerë njerëzore, duke na vendosur në çdo cep të botës, që nga viset e thata të brigjeve mesdhetare deri te faqet e shkrimtarit gjenial serb Milorad Paviç: ky është i gjithë udhëtimi.
"Teori e shkurtër për udhëtimin dhe shkretëtirën" është një sfidë e vërtetë ndaj shumicës së rregullave të pranuara të letërsisë sonë, kur bëhet fjalë se cila duhet të jetë forma e një tregimi. Të gjashtë tregimet e këtij vëllimi rrokin tërë përvojën e gjerë njerëzore, duke na vendosur në çdo cep të botës, që nga viset e thata të brigjeve mesdhetare deri te faqet e shkrimtarit gjenial serb Milorad Paviç: ky është i gjithë udhëtimi.
Falë një proze jashtëzakonisht elastike, një stil shkrimi endacak, që u përshtatet vendeve të ndryshme shpirtërore, fizike apo imagjinare të çdo tregimi dhe individualitetit të brishtë të personazheve të tij, Krusati i çon këto personazhe të rropatura drejt humnerës së frikës, dyshimit dhe dëshirës që përbëjnë botën bashkëkohore. Të gjithë këto presin, kërkojnë apo eksplorojnë mundësinë e një zbulimi që nuk mbërrin në të tashmen e tyre të mpirë, edhe pse, çuditërisht, ata duken të paaftë që të ndërmarrin ndonjë lloj veprimi të dobishëm, me përjashtim, ndoshta, të Lenës joshëse, e cila na shkruan që nga bota pluskuese e ëndrrave. Siç na thotë mistika e sufíve, shpirti kërkon ndryshimin dhe, për pasojë, palëvizshmëria është njësoj me vdekjen e ngadaltë që na përgjon gjithandej, duke na përndjekur nëpër rrugë dytësore, vendparkime të zbrazëta apo hotele plot me turistë, ‒ kjo është shkretëtira e realitetit – ku, fatlumë ose jo, jemi robër, në atë mënyrë që fati apo rastësia (një ngjarje e parëndësishme, një humbje ndjenjash në një plazh nudist, një aksident avioni që nuk ndodhi kurrë) është ai që, si ndonjë shpërthim, na zbulon fytyrën e vërtetë të vetmisë sonë.
Cristian Crusat (1963) është autor i vëllimeve me tregime Statujat (Pre-Textos, 2006) dhe Të qetë në kohë lufte (Pre-Textos, 2010). Ka publikuar ese, përkthime dhe artikuj letrarë, në revista të ndryshme spanjolle dhe hispanoamerikane, si Revista de Occidente, Letra Internacional, Punto de partida.
Aktualisht punon si lektor i spanjishtes për të huajt.
Vëllimi "Teori e shkurtër për udhëtimin dhe shkretëtirën" ka fituar çmimin Premio Internacional de Cuentos “Manuel Llano”, 2010.
Fragment nga libri
Kur mbaroj së treguari gjithë këtë, ajo, lehtë dhe tërë dhimbje, ngrihet nga karrigia e saj lëkundëse, pasi më kërkon falje gjithë edukatë. Për herë të parë, arrij t’ia shikoj trupin plotësisht. Madje, fare nga afër. Zakonisht, jam unë ai që braktis bisedat tona, përnatë të njëjtat: për inventarin e aq shumë ndyrësive të hedhura, për bukurinë e Haselës dhe Nolas, për dashurinë që derdhin ato tek unë, ngaqë nuk dinë ç’ta bëjnë, për origjinën e shtegtimit tonë larg rrymave elektrike... Ndoshta, prandaj janë të mangëta të dhënat për atë vetë. Është zhdukur dhe nuk e di nëse, përsëri, bashkë me të edhe kujtesa e saj kristalore. A thua qenka banori i parë i kampingut që shikoj kështu? Shtati i saj është mesatar, ndërsa struktura e tij është kockore, vërtet duket mjaft e fortë. Për pasojë, brishtësia e saj buron nga një zonë tjetër e trupit të vet: një zonë e brendshme, e fshehur në ndonjë skutë të qenies së saj. Afrimi i vdekjes?, pyes veten pa arsye. Nuk e di nga i vjen ajo brishtësi në pamje: ka temperament, është magnetike, mund ta ndiej, madje (megjithëse më pushton të nxehtit dhe lodhja) nuk mund të iki prej saj dhe as prej vullnetit të saj mimetik. Çdo ditë të njëjtat gjeste dhe biseda. Ç’vullnet mund të shkaktojë një gjendje të tillë bllokimi? Dhe pse këtu, midis qeniesh të mjera e të fshehura në mes të shkretëtirës? (Duhma është e qelbur dhe shpresa e zvjerdhur.) Pa frikë se mos gabohem, them me vete se të paktën nuk është e sëmurë, ndryshe nga pjesa tjetër e komunitetit. Pse? Kyçet e duarve të saj atë tregojnë. Simptoma e parë e një sëmundjeje përherë shfaqet te kyçet e duarve: duken të dobëta, të thyeshme, aq të bardhëlleme... Peshq të kapur në një rrjetë që përplasin bishtin pothuaj pa jetë. Por ajo jo. Madje, çdo sekondë që kalon e shikoj gjithnjë e më të re. E tashme e pastër. Një grua që zotëron hapësirën e vet në këtë botë, në shumë kuptime, e papërkulshme ndaj fatit: jo si unë, i dënuar të hedh ujë në një kanë me fund të hapur. Kur ajo ngjit shkallët e rulotit të vet, i vrojtoj këmbët, vithet, flokët e thinjur që i derdhen çapkënë deri te beli, si ata të një mikeje që sapo e ke ritakuar pas një kohe të gjatë (ndërsa ti mban foton e saj të panjohur në kartonin e qumështit të thartuar). Nuk ndez asnjë llambë, prandaj e kam të pamundur të shikoj se çfarë bën atje brenda.
Cv e përkthyesit Bajram Karabolli
Bajram Karabolli ka lindur në Mavrovë (Vlorë) më 1943. Ka kryer fakultetin Gjuhë-Letërsi-Histori në Institutin e Lartë të Shkodrës (1964), po ashtu ka kryer studimet në UT në Fakultetin Historisë dhe të Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi (1975). Përkthyes i shumë veprave nga gjuha spanjolle. I nominuar prej Akademisë Kult për vitin 2011 si një ndër tre përkthyesit më të mirë në Shqipëri, për përkthimin e romanit "Festa e cjapit" të nobelistit Mario Vargas Llosa. Në vitin 2012, Ministria e Kulturës së Shqipërisë, në konkursin kombëtar të organizuar prej saj për çmimin Pena e Argjendtë, e renditi në katër përkthyesit më të mirë të vitit, me përkthimin nga spanjishtja të vëllimit me tregime "Muaji më mizor" i shkrimtares spanjolle Pilar Adón. Po ashtu është fitues i konkursit të Ministrisë së Kulturës për përkthimet për vitet 2015, me përkthimin e romanit "Detektivët e egër" të Roberto Bolanjos dhe në vitin 2016 për përkthimin e vëllimit me tregime "Tregime të jashtëzakonshme" të Carlos Fuentes.
* Ky projekt realizohet falë ndihmës financiare të Komisionit Europian. Çdo botim pasqyron vetëm pikëpamjet e autorit dhe Komisioni nuk mund të konsiderohet përgjegjës për përdorimet e mundshme të informacioneve që përmbajnë tekstet.
65 tituj të rinj, ALBAS ju pret në Panairin e Librit!
Planet mësimore dhe ditarët e teksteve shkollore të Albas Shqipëri
"Më quajnë Nexhmije Pagarusha", intervistë me autoren Meliza Krasniqi