Aktualitet

Turi i takimeve me prindër, Rama dhe Manastirliu, në Kamëz: Plan masash, kamera inteligjente dhe edukim digjital

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja Ogerta Manastirliu zhvilluan një takim në Kamëz për të prezantuar masat për sigurinë dhe edukimin digjital në shkolla. Diskutimet përfshinë instalimin e kamerave inteligjente, ndikimin e rrjeteve sociale, mbështetjen psiko-sociale dhe forcimin e kurrikulave moderne.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu vijojnë takimet këshilluese me prindërit, duke ndarë masat dhe projektet e reja në funksion të forcimit të sigurisë dhe cilësisë në arsimin parauniversitar.


Takimi i radhës u zhvillua në shkollën 9-vjeçare “Halit Coka” në Kamëz, ku u diskutuan tema që prekin sigurinë, teknologjinë dhe përfshirjen e komunitetit në procesin arsimor.


Kjo nismë synon të adresojë ndikimin e rrjeteve sociale si TikTok dhe Snapchat te fëmijët dhe të rinjtë, duke promovuar ndërgjegjësimin për rreziqet dhe pasojat e tyre.


Në këtë takim Kryeministri Rama prezantoi projektin inovativ të instalimit të kamerave inteligjente në shkolla, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe sigurisë.


“Ne kemi një vit që po punojmë për një projekt që besoj do të na japë një dorë të madhe të gjithëve, bashkë me Ministrinë e Arsimit, drejtoritë e shkollave, mësuesit dhe prindërit. Ky është një projekt për sigurinë e lartë të shkollave përmes sistemit të kamerave inteligjente. Falë një bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara, ky sistem është instaluar me sukses të jashtëzakonshëm dhe ka sjellë një rënie drastike të dhunës dhe bullizmit. Gjithçka bëhet transparente. Do të kemi mundësi të kemi në dorë një pasqyrë të gjithçkaje dhe çdo prind që do të dojë të shikojë fëmijën e vet, qoftë në klasë apo nëse ka bërë diçka që duhet ballafaquar, do të ketë mundësinë ta bëjë. Mësuesit do të jenë edhe të monitoruar edhe të mbrojtur. Kemi shumë besim në këtë sistem, sepse është fjala e fundit e teknologjisë dhe fillojmë menjëherë vitin e ardhshëm me instalimin e tij.”, tha Kryeministri Edi Rama.


Kryeministri Rama u ndal edhe te rezultatet e nxënësve në vlerësimin ndërkombëtar TIMSS.


“Kemi pasur edhe një lajm shumë të mirë, të një testimi ndërkombëtar që bëhet me vendet për të vlerësuar aftësitë në matematikë dhe në shkencë të nxënësve, ku Shqipëria rritet shumë në klasifikimin e cilësisë së arsimit parauniversitar për matematikën dhe për shkencat. Kjo është një e dhënë shumë inkurajuese për ne, është një provë që gjërat që po bëjmë po sjellin përmirësim, është një provë që mësuesit i kemi më të motivuar dhe më të angazhuar dhe që nxënësit nuk janë për tu parë si kriminelë potencialë”, tha Kryeministri Rama.


Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u ndal te turi i konsultimeve publike me prindërit, ku këta të fundit janë angazhuar për hapat konkretë që duhen ndërmarrë për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe fëmijëve të tyre, për të fuqizuar mekanizmat mbrojtës.


“Përgjatë këtyre ditëve kemi zhvilluar 250 takime dhe do të vijojmë duke diskutuar me njëri-tjetrin. Janë angazhuar më shumë se 7 mijë prindër deri tani, dhe sugjerimet e tyre kanë qenë shumë të vlefshme. Një prej masave që do të ndërmarrim është forcimi i instrumenteve ligjorë për kufizimin ose mbylljen e platformave pa kontroll, siç është TikTok.”, tha Manastirliu.


Ministrja foli dhe për shërbimet që janë funksionalë sot në shkolla për sigurinë e nxënësve në shkolla që nga mbështetjen psiko-sociale dhe oficerët e sigurisë.


“Jemi me një mbulim me 240 oficerë sigurie në shkolla dhe do ta rrisim numrin e tyre në 270, ndërsa vitin e ardhshëm do ta rrisim edhe më shumë, duke planifikuar edhe rritjen e numrit të punonjësve socialë dhe psikologëve. Kjo do të ndihmojë në parandalimin e incidenteve të çdo forme dhune apo bullizmi, si dhe do të jemi më afër nxënësve përmes shërbimeve sociale.”


Ministrja u ndal edhe te modernizimi i kurrikulave dhe përfshirja e edukimit digjital.


“Jemi duke punuar për të krijuar kulturën digjitale duke filluar nga cikli fillor. Me kurrikulat e TIK-ut, që nga klasa e parë, po ndërtojmë një bazë solide për edukimin digjital. Përmes sistemit SMIP, po punojmë që prindërit të marrin informacione periodike jo vetëm për notat dhe mungesat, por edhe për sjelljen, talentin dhe prirjet e fëmijëve të tyre.”


Ky dialog i vazhdueshëm me prindërit synon të fuqizojë trinomin mësues-prind-nxënës dhe të rrisë efikasitetin e mekanizmave mbrojtës në shkolla.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

955 Lexime
2 javë më parë