“Më quajnë... Musine Kokalari”

“Teksa shkruaja u ndjeva një njeri i lirë, në mendje e në zemër”

Libri “Më quajnë... Musine Kokalari” u vlerësua libri më i mirë për fëmijë në Panairin e Librit 2017. Persida Asllani dhe Albas sollën më pranë lexuesve të vegjël figurën e Musine Kokalarit.

Çmimin e parë për librin më të mirë për fëmijë në Panairin e Librit 2017 e fitoi Persida Asllanin me librin “Më quajnë... Musine Kokalari” pjesë e serisë me personalitete shqiptare nga Albas


Libri është shkruar në vetën e parë duke e bërë kështu më të gjallë komunikimin e Musinesë me fëmijët; idealet e larta të saj, kurajoja dhe idealizmi, mençuria dhe shkollimi evropian mbizotërojnë mbi notat e jetës së saj tragjike. 


Këtë tonalitet ka mbajtur dhe ilustruesja Semela Mero e cila ka sjellë për herë të parë një Musine të vogël dhe të madhe, të gëzuar e të brengosur, të vuajtur dhe plot vullnet e kurajo për jetën. 


Sot ju sjellim një intervistë të shkurtër të autores së librit Persida Asllani, lidhja e saj me Musinene dhe ndjesitë që përjetoi gjatë shkrimit të këtij libri. Ndër të tjera, Asllani thotë se: “Në një farë mënyre u ndjeva bashkë me të edhe fëmijë kurreshtar, edhe shkrimtare, edhe politikane, edhe e burgosur, edhe internuar apo e përgjuar, por mbi të gjitha u ndjeva një njeri i lirë, në mendje e në zemër, edhe në momentet më të rënda të persekutimit e të dhunës.”


Si ishte për ju të shkruanit këtë libër në vetë të parë?

Të shkruash në vetë të parë është një mënyrë e njohur në letërsi. Shkrimi në vetën e parë merr ngjyresa autobiografike dhe fiton subjektivitet më të madh. E veçantë për librin mbi Musine Kokalarin në serinë “Më quajnë...” është fakti se dukej shkruar në formë autobiografike jeta e dikujt tjetër, pra një lloj biografie e Musine Kokalarit e shkruar në trajtën e një autobiografie. Por kjo gjë më lejoi të jem më personale, më brenda natyrës së vetë personazhit dhe të ndjej brenda vetes ndoshta emocione dhe ndjesi që më afronin me Musinenë në faza të ndryshme të jetës së saj. Në një farë mënyre u ndjeva bashkë me të edhe fëmijë kurreshtar, edhe shkrimtare, edhe politikane, edhe e burgosur, edhe internuar apo e përgjuar, por mbi të gjitha u ndjeva një njeri i lirë, në mendje e në zemër, edhe në momentet më të rënda të persekutimit e të dhunës. Shpresoj shumë t’ia kem përcjellë këtë ndjesi të pangatërrueshme me asgjë tjetër fëmijëve shqiptarë përmes këtij libri.


Si jeni njohur me personazhin, keni lexuar shumë, ishte zgjedhja juaj Musine Kokalari?

Unë jam pedagoge dhe studiuese letërsie, prandaj njohja me veprën dhe jetën e Musine Kokalarit është e hershme dhe e lidhur me punën time studimore kryesisht mbi letërsinë moderne shqipe. Por 10 shkurti i vitit 2017 shënjoi 100-vjetorin e lindjes së saj dhe në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, institucioni që kam nderin të drejtoj prej disa vjetësh tashmë, ndërmorëm kremtime të veçanta gjatë gjithë vitit, duke e shpallur vitin 2017 si “Vitin e kujtesës” kushtuar Musine Kokalarit. Pata mundësi të thellohem edhe më shumë në njohuritë e mia si dhe të bashkëpunoj me njerëz të informuar më së miri rreth saj, që nga familjarët e deri të studiues nga Shqipëria, Kosova, Italia etj. Ishte një shkëmbim profesional shumë i vlefshëm e pasurues përmes konferencave shkencore të mbajtura në Tiranë, Prishtinë dhe Romë. Biblioteka Kombëtare dhe Ministria e Kulturës u përgatitën dhe botuan edhe një seri më tri vëllime të “Veprave të zgjedhura” të Musine Kokalarit. Pra, siç e shihni, lidhja ime me Musinenë ka qenë e gjatë dhe e thelluar. Nuk mund të zgjidhja asnjë personazh tjetër! Kur botuesja Rita Petro e botimeve ALBAS më pyeti nëse mund ta shkruaja këtë libër, nuk mund veçse t’i përgjigjesha thuajse pa u menduar fare me një “PO” të madhe....


Si u ndjetë kur fituat çmimin? Çfarë do të thotë ky çmim për ju ? 

Natyrisht, si çdo autor që sheh se i vlerësohet vepra (sado e vogël qoftë ajo) u ndjeva e gëzuar dhe e vlerësuar. Por më shumë jam gëzuar për vetë personazhin, Musinenë time të dashur! Jam e lidhur fort me figurën e saj. Më ka pëlqyer gjithmonë si shkrimtare, madje ajo është e para shkrimtare në letërsinë shqipe. E kam çmuar edhe si intelektuale, si një femër të emancipuar dhe emancipuese, si njeri aktiv në jetën kulturore por edhe politike të vendit. Më ka bërë përshtypje të madhe qëndresa e saj e jashtëzakonshme përballë dhunës dhe persekutimit  komunist, vetëdija e lirisë së brendshme, shpirtërore e botëkuptimore, të cilën, edhe në rrethanat më të errëta, nuk ia rrënoi dot askush. Nëse do të më pyesnin se me cilën figurë tjetër shqiptare do ta krahasoja për nga vetëdija e qëndresës, ai do të ishte për mua At Zef Pllumi. Vlerësimi me çmim i këtij libri është për mua vlerësim dhe dritë mbi jetën e veprën e Musine Kokalarit, është një moment përuljeje me respekt e mirënjohje përpara kujtimit të saj të paharrueshëm. Lexim të mbarë!


Librin mund ta blini online duke klikuar në www.librarialbas.al


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

2,788 Lexime
7 vjet më parë