Mësimdhënie

Të nxënit dhe mësimdhënia kontekstuale

Të nxënit dhe mësimdhënia kontekstuale fokusohet në kontekstin e asaj që duhet t'u mësojmë nxënësve sipas këndvështrimit të tyre dhe realizohet vetëm atëherë kur nxënësit e përpunojnë informacionin ose njohuritë sipas mënyrës që për ata ka kuptim.

Faza kërkimore



1. Bën pyetje historike
Për çdo situatë më e rëndësishme në procesin e kërkimit është pikënisja. Mësuesit duhet të udhëhiqen nga treguesit e mëposhtëm:

• angazhojnë interesin e nxënësve;

• identifikojnë pyetjet që do të kërkojnë; (një pyetje e përgjithshme kërkimore e ndjekur nga nën-pyetje);

• planifikojnë procesin e kërkimit;
2. Identifikon dhe gjen burimet përkatëse
• Nxënësit të udhëhequr nga mësuesi vendosin cilët burime janë të dobishme, cilët nuk janë dhe cilët duhen trajtuar me kujdes (me anë të një shembulli mësuesit udhëzojnë paraprakisht nxënësit);

• Nxënësit krijojnë fakte dhe dëshmi historike bazuar në burime.
3. Analizon lidhjen shkak-pasojë
• Nxënësit analizojnë lidhjet shkak-pasojë për ndërtimin e ngjarjes duke u bazuar në burimet e gjetura.
4. Ndërton interpretime historike, vlerëson burimet
• Nxënësit mbajnë shënime nga studimi i tyre për burimet dhe ndërtojnë interpretimet historike.

• Nëpërmjet reflektimit dhe diskutimit të drejtuar nga mësuesi, nxënësit janë në gjendje të zhvillojnë përgjigjet për pyetjet hetimore.
5. Kontrollon interpretimet e nxjerra dhe/ose interpretimin e tanishëm historik
• Nxënësit tregojnë zgjerimin, thellimin dhe transferimin e dijeve të tyre.
6. Shpjegimi dhe komunikimi
• Nxënësit shpjegojnë dhe prezantojnë përgjigjet e pyetjeve të tyre nëpërmjet mediave të ndryshme (me shkrim; me goje; TIK);

• Nxënësit respektojnë mendimet e shokëve të tyre qofshin ato dhe të ndryshme nga të tyret.


Përkufizimi i të nxënit dhe mësimdhënies kontekstuale


Berns dhe Erickson (2001) e përkufizuan të nxënit dhe mësimdhënien kontekstuale si konceptim i mësimdhënies dhe të nxënit që ndihmon mësuesit të lidhin përmbajtjet lëndore me situatat e botës reale dhe nxënësit të lidhin njohuritë dhe zbatimet e tyre në jetën e përditshme. Të nxënit dhe mësimdhënia kontekstuale fokusohet në kontekstin e asaj që duhet t'u mësojmë nxënësve sipas këndvështrimit të tyre dhe realizohet vetëm atëherë kur nxënësit e përpunojnë informacionin ose njohuritë sipas mënyrës që për ata ka kuptim. Të nxënit kontekstual vë theksin te procesi i të nxënit përmes "ndërtimit" dhe jo memorizimit si dhe te përfshirja e nxënësit ne veprimtaritë në klasë.

Johnson (2002) e përkufizoi të nxënit dhe mësimdhënien kontekstuale si një proces edukimi që i ndihmon nxënësit të kuptojnë thelbin e lëndëve akademike në kontekstin e jetës së tyre të përditshme, pra në kontekstin e rrethanave personale, sociale dhe kulturore të tyre. Kur flasim për kontekstin, nënkuptohet lidhja me jetën sociale të situatës së krijuar nga mësues i brenda në klasë.


Parimet e të nxënit dhe të mësimdhënies kontekstuale

Gjatë zbatimit të mësimdhënies dhe të nxënit kontekstual, mësuesit duhet të kenë parasysh disa parime mbi të cilat mbështetet ai.


a) Konstruktivizmi

Konstruktivizmi është procesi i ndërtimit të njohurive të reja në strukturën kognitive të nxënësve, bazuar në përvojat dhe njohuritë e mëparshme të tyre. Përvoja formohet nga dy faktorë të rëndësishëm, p.sh. objekti kthehet në subjekt të vrojtimit dhe aftësi për të interpretuar vete objektin.


b) Hetimi

Hetimi është procesi i të nxënit që bazohet mbi kërkimin dhe zbulimin përmes të menduarit në mënyre sistematike. Njohuria është rezultat i procesit për gjetjen e saj dhe jo një renditje faktesh. Kështu, ne procesin e planifikimit materialet e hetimit nuk memorizohen por stimulohen me qëllim që nxënësit t'i gjejnë ato sipas mënyrës së tyre të kuptimit të situatës.


c) Të pyeturit

Të nxënit mbështetet tek të pyeturit dhe të përgjigjurit. Te pyeturit mund të shikohet si reflektim i kuriozitetit të individit, ndërsa të përgjigjurit si reflektim i aftësisë së të menduarit të tij. Në procesin e të nxënit, mesuesi i orienton nxënësit si të gjejnë vetveten. Te pyeturit ka rol shumë të rëndësishëm në këtë proces pasi përmes tij mesuesit udhëzojnë nxënësit si mund të gjejnë e sistemojnë ato që kanë mësuar.


d) Komuniteti i të nxënit

Ne mësimdhënien dhe të nxënit kontekstual, të nxënit mund të kryhet përmes grupeve të të nxënit. Nxënësit ndahen në grupe anëtarët e të cilëve janë heterogjene. Mesuesit mund të kombinojnë nxënës të shpejtë dhe të avashtë, me rezultate të mira dhe jo të mira. Në këtë mënyrë, ata mësojnë nga njëri-tjetri.


e) Reflektimi

Reflektimi është procesi i drejtimit (korrigjimit) të përvojës së mësuar nga organizimi i ngjarjeve ose i ngjarjeve që kanë ndodhur realisht gjatë të nxënit. Reflektimi përfshihet në strukturën kognitive të njohurive të formuara tek nxënësit.


f) Vleresimi

Vlerësimi është procesi prej të cilit mësuesit mbledhin informacionin mbi progresin e të nxënit të nxënësve. Vlerësimi është i nevojshëm për të përcaktuar nëse nxënësit janë aktualisht duke mësuar ose jo, nëse njohuritë e nxënësve kanë ndikim si në zhvillimin intelektual ashtu edhe mendor të tyre.


Zbatimi i mesimdhenies kontekstuale

Gjatë procesit të mësimdhënies mësuesit përdorin metoda të ndryshme. Ata pyesin vazhdimisht veten se cila është mënyra më e mirë e shpjegimit, me qëllim që informacioni të përvetësohet dhe të përdoret nga të gjithë nxënësit; si duhet të komunikojnë me nxënësit të cilët nuk vendosin lidhje ndërmjet asaj që janë duke mësuar dhe asaj që mendojnë se u duhet në jetë. Kurrikula dhe mësimdhënia e bazuar në zhvillimin e kompetencave dhe në të nxënit kontekstual ndihmon mësuesit dhe nxënësit në përballjen e sfidave të mësimdhënies dhe të nxënit.


Në përgjithësi nxënësit kanë vështirësi në kuptimin e koncepteve në lëndë të ndryshme (si p.sh. konceptet matematike) kur u shpjegohen me metoda abstrakte, leksioni. Ata kërkojnë me ngulm t'i kuptojnë e konceptet ashtu si ato lidhen me vendin e punës dhe me shoqërinë në të cilën ata do të jetojnë dhe punojnë. Tradicionalisht, është pritur që këto lidhje ata t'i vendosnin vete, jashtë klasës dhe shkollës.


Përherë e me shume mësuesit sot po dëshmojnë se interesi dhe arritjet e nxënësve në matematike, shkencë dhe gjuhët përmirësohet dukshëm nëse ata ndihmohen për të bërë lidhjet ndërmjet njohurive dhe përvojave që kanë pasur ose me njohuritë që kanë përvetësuar. Përfshirja e nxënësve në mësim dhe në të nxënë rritet dukshëm kur atyre u mësohet pse po i mësojnë konceptet dhe si këto koncepte mund të përdoren në kontekstet e botës dhe të jetës reale.


Sipas teorive të të nxënit kontekstual, të nxënit ndodh vetëm kur nxënësit e përpunojnë informacionin ose njohuritë e reja në mënyre të tillë që për ata të ketë kuptim brenda sistemit të tyre të referimit (botëve të tyre të brendshme të memories, përvojës dhe reagimit).


Ngritur mbi këtë konceptim, teoria e të nxënit dhe mësimdhënies kontekstuale fokusohet në aspekte të shumëfishta të mjedisit të të nxënit, qoftë ai klasë, laborator, laborator kompjuteri ose mjedis pune. Mësuesit duhet të zgjedhin dhe/ose të krijojnë mjedise të nxëni që ndërthurin forma të ndryshme të përvojës sipas rezultateve të nxënit. Në një mjedis të tillë, nxënësit zbulojnë marrëdhënie, që kanë kuptim për ata, ndërmjet ideve abstrakte dhe zbatimeve praktike në kontekstin e botës reale. P.sh., në fizikë, nxënësit e studiojnë përcjellshmërinë termike si nevojë për të zgjidhur problemin se si cilësia dhe sasia e materialit izolues në ndërtesa ndikojnë në sasinë e energjisë që duhet për ta mbajtur ngrohtë ose ftohtë ndërtesën. Në biologji ose kimi, nxënësit mund t' i mësojnë konceptet baze shkencore si nevojë për zgjidhjen e një situate që ka të bëje me përhapjen e AIDS ose të një situate tjetër qe ka të bëje me mënyrat se si bujqit vuajnë prej shkatërrimit mjedisor, nga njëra anë, dhe si ndikojnë ata vetë në këtë proces, nga ana tjetër.


Roli i mësuesit sipas qasjes së mësimdhënies dhe të nxënit kontekstual është të planifikoje, zbatoje, reflektoje dhe rishikoje mësimin. Ai shikohet si lehtësues, organizator i procesit të mësimdhënies/të nxënit/vlerësimit, si model, mentor i të nxënit, specialist i përmbajtjes dhe shpërndarës i njohurive. Situatat e të nxënit të parashikuara prej tij përfshijnë detyra të zgjidhjes së problemeve. Të nxënit me bazë problemin gjeneron të menduarit kritik tek nxënësit si për te gjetur përgjigjet ashtu edhe të nxënit. Nxënësit nxiten të identifikojnë dhe të vlerësojnë njohuritë dhe aftësitë që kanë dhe të bëjnë më të mirën e mundshme për t'i përdorur ato. Ata mund të fillojnë me një problem real ose të simuluar dhe më pas të përdorin aftësitë e të menduarit kritik për të hetuar dhe zgjidhur probleme të tjera.


Si përfundim, qasja e të nxënit dhe mësimdhënies kontekstuale kërkon që mësuesit të jenë me shumë lehtësues. Ka ardhur koha që nxënësit të mësojnë duke ndër vepruar me mjedisin rreth tyre dhe mësuesit t'ua lehtësojnë këtë proces.


Strategji të mësimdhënies dhe të nxënit kontekstual


Gjatë procesit të mësimdhënies dhe të nxënit kontekstual, mësuesi mund të përdore strategji, të cilat:


Bazohen te zgjidhja e problemit - Mësimdhënia dhe të nxënit kontekstual fillon me një problem real ose të simuluar. Nxënësit përdorin aftësitë e të menduarit kritik dhe qasjen sistemike për të hetuar problemin ose çeshtjen e ngritur dhe shfrytëzojnë fusha të gjëra të përmbajtjes për të zgjidhur problemin. Problemet që lidhen me familjet e nxënësve, përvojat shkollore, vendin e punës dhe komunitetin i tërheqin nxënësit më tepër dhe i japin kuptim të nxënit të tyre.


Përdorin kontekste të shumëfishta - Teoritë kognitive të situatave sugjerojnë se njohuritë nuk mund të ndahen prej kontekstit fizik dhe social brenda të cilit ato zhvillohen. 

Për me tepër, është shumë e rëndësishme të dihet se si dhe ku një person merr dhe krijon njohuritë. Përvojat e të nxënit pasurohen kur nxënësit zhvillojnë aftësitë në kontekste të shumëfishta (p.sh shkollë, komunitet, vend i punës, familje).


Mbështeten në diversitetin e nxënësve - Në tërësi, përbërja e nxënësve është duke u bëre më diverse dhe rritja e diversitetit sjell diferenca në vlera, gjendjen sociale dhe perspektivat e tyre. Këto diferenca mund të shërbejnë si pikënisje për të nxënit dhe mund t' i shtohen kompleksitetit të përvojave të të nxënit kontekstual. Bashkëpunimi dhe veprimtaritë e punës në grup marrin parasysh dhe respektojnë diversitetin e nxënësve, zgjerojnë perspektivat dhe ndërtojnë aftësitë nderpersonale.


Mbështeten tek të nxënit e vet-rregulluar - Nxënësit duhet të bëhen nxënës të të nxënit gjatë gjithë jetës, që të jenë të aftë të kërkojnë, analizojnë dhe të përdorin informacionin me pak ose me aspak mbikëqyrje. Për këtë, ata duhet të ndërgjegjësohen si ta përpunojnë informacionin, si të zbatojnë strategji të problem zgjidhjes dhe përdorin njohuritë e fituara.

 

Përvojat e të nxënit kontekstual duhet t'u krijojnë mundësitë nxënësve të provojnë dhe të vërtetojnë; t'u japin kohë dhe strukturat e nevojshme për reflektim; t' i ndihmojnë për të kaluar nga të nxënit e varur në atë të pavarur.


Përdorin grupet e të nxënit të pavarur - Nxënësit ndikohen nga njohuritë dhe kontribuojnë tek njohuritë dhe bindjet e të tjerëve. Grupet e të nxënit ose komunitetet e të nxënit krijohen në vendet e punës ose në shkollë, në përpjekje për të këmbyer njohuritë, për t' u fokusuar te synimet dhe për t'i lejuar të gjithë të mësojnë dhe të nxënë prej njeri-tjetrit. Në grupet e të nxënit ne shkollë, mësuesit veprojnë si trajnerë, lehtësues dhe mentorë.


Përdorin vlerësime autentike - Të nxënit dhe mësimdhënia kontekstuale synojnë të ndërtojnë njohuri dhe aftësi në mënyra të kuptimshme, duke i përfshirë nxënësit në jetën reale ose kontekste autentike. Vlerësimi i të nxënit duhet të bëhet dhe shtrihet sipas metodave dhe qëllimeve të mësimdhënies. Vlerësimet autentike tregojnë (perveç të tjerave) se të nxënit është kryer; janë lidhur me procesin e mësimdhënies dhe të nxënit dhe u sigurojnë nxënësve mundësi dhe drejtime për përmirësim. Vlerësimi autentik përdoret për të monitoruar progresin e nxënësit dhe për të informuar praktikat e mësimdhënies.


Mbështetën tek të nxënit me projekte - Ato fokusohen në konceptet dhe parimet themelore të disiplinës, përfshijnë nxënësit në hetime për zgjidhjen e problemeve dhe të detyrave të tjera, krijojnë mundësitë që nxënësit të punojnë në mënyrë të pavarur për strukturimin e të nxënit të tyre dhe kulmon me produkte reale.


Mbështeten tek të nxënit gjatë shërbimeve - Ato sigurojnë zbatime praktike të njohurive, aftësive dhe qëndrimeve të fituara për plotësimin e nevojave të komunitetit përmes projekteve dhe veprimtarive.


Mbështeten tek të nxënit në vendin e punës - Të nxënit realizohet nëpërmjet veprimtarive që kryhen në vendin e punës. Ato integrohen me përmbajtjen dhe u shërbejnë si nxënësve ashtu edhe mësuesve.


(Portali Shkollor)

11,468 Lexime
6 vjet më parë