OPINION

Ta shpëtojmë gjuhën shqipe, nga kthetrat e zhdukjes!

“Të gjithë bashkë, politika, institucionet arsimore, shoqëria, familja TI dhe UNË le të flasim e shkruajmë shqip, le të lutemi e falemi po në shqip e të trashëgojmë ndër breza këtë gjuhe të Perëndisë, që trashëgim na e lanë të parët tanë”-Lindita Kokaj.

Atë që pushtuesit osmanë nuk arritën ta zhdukin për 500 vjet, po e zhdukim vetë ne shqiptarët në këto vite demokraci.

Gjuha amtare shqipe e Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit,  Naimit, Atë Gjergj Fishtës dhe e  shumë e  shumë të tjerëve sot po " rënkon".

Po harrohet shkrimi i dorës, që dikur quhej bukurshkrim dhe në vend të tij përdoren tastierat e kompjuterëve dhe telefonave.

Dikur leksionet merreshin edhe me shkrim dore, e ndërsa sot fotokopje në ccdo shkollë e fakultet.

Dikur pyetjet e provimeve të lirimit dhe të pjekurisë i zhvillonim po me shkrim dore, e ndërsa sot nuk arrijmë të përmbledhim thelbin e mësimeve.

Dikur kishte fletore të detyrave të shtëpisë dhe të klasës, e ndërsa sot nxënësve iu ofrohen fletore pune të printuara gjysmë të plotësuara.

Dikur viheshim në garë kush shkruante kartolinën më të bukur të urimit, e ndërsa sot janë zëvendësuar me ato elektronike me gjysma fjalësh shqip të gërshetuara me fjalë të huaja.

Nuk mjafton vetëm shkolla për të shpëtuar nga "kthetrat e zhdukjes së gjuhës shqipe".

Në librat shkollor, gjen gabime pa fund drejtshkrimore.

Në shkresat zyrtare po ashtu vështirë të mos gjesh gabime.

Në televizione por edhe në media të shkruara, drejtues emisionesh, gazetarë, analistë apo të tjerë të ftuar duket sikur vihen në garë se kush përdor më tepër fjalë të huaja.


Një Shqipëri, ku brezi i ri është gjithmonë në shtegtim drejt vendeve të perëndimit, në një të ardhme jo të largët rrezikon të mbetet pa gjuhen e saj të ëmbël SHQIPE.


Pas viteve - 90 edhe emigracioni po luan një rol për mos përdorimin e gjuhës shqipe në të folur dhe në të shkruar. Të rinjtë e sotëm shqiptar, të cilët kanë lindur dhe janë rritur në shtete të ndryshme të botës, edhe nëse dinë të flasin shqip, flasin gjuhen e dialekteve të zonave të prindërve. Gjithashtu edhe të rinjtë shqiptarë të së nesërmes do të flasin e shkruajnë më mirë gjuhen e çdo kombi tjetër se GJUHEN E TYRE AMTARE SHQIPE.


Çdo ditë po mbeten të paktë në numër studiues, hulumtues dhe mbi të gjitha përdorues të gjuhës letrare shqipe.


Kambanat e alarmit po bien dhe shpresojmë që tingëllima e saj të dëgjohet edhe nga veshët e "shurdhët".



Të gjithë bashkë, politika, institucionet arsimore, shoqëria, familja TI dhe UNË le të flasim e shkruajmë shqip, le të predikojmë, lutemi e falemi po në shqip e të trashëgojmë ndër breza këtë gjuhe të Perëndisë, që trashëgim na e lanë të parët tanë.


Opinion nga Lindita Kokaj



(Portali Shkollor) 

2,983 Lexime
4 vjet më parë