Sugjerimi i ditës- Romani “Erërat që trazojnë mjegullën”
Një sugjerim i shtëpisë botuese “Albas” për festat e funditvitit, për të gjithë dashamirësit e leximit, është libri i dytë i autorit Ervin Nezha, “Erërat që trazojnë mjegullën”, (Kronikat e Naltinës).
Me afrimin e festave dhe pushimeve dimërore, kredhja në libra vjen si nevojë, veçanërisht kur ndeshemi me vepra të që lënë gjurmë në brendi.
Një sugjerim i shtëpisë botuese “Albas” për festat e funditvitit, për të gjithë dashamirësit e leximit, është libri i dytë i autorit Ervin Nezha, “Erërat që trazojnë mjegullën”, (Kronikat e Naltinës). Autori Ervin Nezha nuk është i ri për publikun, edhe pse mjaft i ri në moshë. Lexuesit e librit të parë me tregime të autorit ishin të kurdondodhur në panairin që lamë pas këtë nëntor, çdo ditë pranë stendës “Albas”, në pritje të daljes nga shtypi të librit të dytë të autorit.
Ky roman shënon një kontribut të vyer në letrat shqipe, për stilin, gjuhën, ligjërimin dhe trajtimin e ngjarjeve fantastike, që spikaten nga realizmi magjik. Ky roman risjell legjendën e Gjergj Elez Alisë dhe Bajlozit të Zi, tashmë parë nën një panoramë kalorësiake dhe gotike, në një mjedis plot mite dhe besëtytni, ku lufta për pushtet zhvillohet me kontraste të forta.
Në tabanin e legjendës tradicionale të Gjergj Elez Alisë farkëtohen linja të reja, që lënë një impakt të fortë të lexuesi edhe pasi e kanë përfunduar veprën, sepse narrativa e shkruar ka fuqinë ta magjepsë lexuesin në vazhdën e shijimit, duke e ndjellë më shumë për të mësuar historinë.
Prizmat ku ndërtohen ngjarjet e legjendës së famshme të Gjergj Elez Alisë ndikojnë te lexuesi në krijimin e qasjeve të reja dhe individuale.
Gjuha e përdorur prodhon mendim te lexuesi, duke e grishur me pyetje të reja mbi vendet apo personazhet, të cilat në këtë roman vishen me ngjyra më të plota nga sa i kemi parë dhe njohur deri më tani. Në vegjëli, këngët nga gjyshet na dëftonin një histori epike, ku Gjergji, pas 9 vjetësh, ngrihet nga shtrati i vdekjes për të luftuar Bajlozin e Zi, pushtuesin që vjen nga deti për të uzurpuar tokat tona dhe për të shpëtuar të motrën, e cila për 9 vjet i shërbeu te koka.
Në këtë roman, historia shtresëzohet dhe kaurdiset me një mjeshtëri të pashoqe, kjo falë aftësisë së autorit për të tejçuar një gjuhë të pastër te lexuesi. Për pasojë, subjekti përftohet i kthjellët, pa e humbur në as edhe një faqe.
Perspektiva e Bajlozit të Zi është një hallkë kaq e vyer në tregim, duke i lejuar lexuesit të shkojë thellë në njohjen e të dyja situatave. Të pyesësh një fëmijë, i cili është rritur me mitin e Gjergj Elez Alisë, Bajlozin mund të ta përshkruajë si “katilin”, pra antagonistin e historisë, se të atillë na e kanë treguar gjyshet tona asokohe. Madje, edhe figura e tij është kaq sterrë dhe gati e paplotë, sa emërtohej te fëmijët me emërtimin “I ligu”.
“Do të sulmonte qytetin dhe do ta rrënonte atë në një mënyrë të tillë, që t’i ngjante Kartagjenës së lashtë, që romakët e bënë shkrumb. Por shpejt brenda vetes pendohej sa herë mendonte kështu. I zmbrapste mendimet, sepse siç duket, nuk donte vërtet që kjo të ndodhte... I vinte çudi, që për herë të parë në jetë po ndiente njëlloj dhembshurie të tepruar, sidomos për njerëzit e kësaj toke...”– fragment nga libri.
Në roman, lexuesi takohet me Bajlozin, me gjeneralin e një ushtrie, i quajtur Marko Gali, një burrë fisnik, i matur, i veshur me virtyte, pra, jo një përbindësh nga sa e kemi mësuar portretizojmë nga këngët lirike. Ngjarjet marrin teposhtën, nxitur kushtëzimi i rrethanave, dhe jo vetëm nga një gjeneral ushtrie venedikase, me mision negocimi dhe mbikëqyrjeje. Marko Gali qante vdekjen e Abelerios, mikut të tij të zemrës, ashtu sikurse Akili vajtonte për vdekjen e Patroklit.
“Ishte e çuditshme sjellja e këtij bajlozi të ri, që ndryshe nga të parët, nuk kishte ardhur për të shkretuar, therur dhe grabitur, por për të negociuar. Edhe fytyra e tij, ndryshe nga e të tjerëve, shprehte paqe dhe butësi. Mos shtirej? Edhe mund të qe e mundur, por prapëseprapë këtë nuk e besonte.” – fragment nga libri.
Vlen të theksohet, se autori Ervin Nezha pasqyron vazhdimisht copëza tregimesh në rrjetin e tij social; tregime që evokojnë magjepsje dhe zgjojnë kërshëri mes brezave.
Librin e gjeni në mjediset e librarisë Albas, por edhe në www.librarialbas.al !
Përgatiti: Xhoana Jaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Intervistë me Ermal Hasimja: “E shkuar e pakryer”, një histori përballë dhimbjes, kujtesës dhe përpjekjes për të mos harruar
Festivali i Poezisë së Pabotueme
Shoku im Maksi