Studentja e Mjekësisë: Çfarë mund të na rikthejë në godinat e Universitetit!
Studentët e Mjekësisë nuk po tërhiqen nga protestat ku kundërshtojnë ligjin e ri të qeverisë, ndërkohë është bërë publike edhe tarifa e studimit e cila është përllogaritur 240 mijë lekë të reja nëse nuk nënshkruajnë kontratën 5-vjeçare. Studentja e Mjekësisë Nina Ahmetaj rrëfehet për më tej në një intervistë.
Studentët e Mjekësisë nuk po tërhiqen nga protestat ku kundërshtojnë ligjin e ri të qeverisë, ndërkohë ditën e djeshme është bërë publike edhe tarifa e studimit e cila është përllogaritur në 240 mijë lekë të reja nëse nuk nënshkruajnë kontratën 5-vjeçare.
Për të frenuar largimin e bluzave të bardha nga vendi, qeveria ka vendosur që studentët të cilët nisin këtë vit shkollën për Mjekësi, do të duhet të punojnë 5 vite pasi të kenë përfunduar studimet në Shqipëri, e më pas ta pajisen me diplomë. Lidhur me këtë vendim të qeverisë, studentja e Mjekësisë Nina Ahmetaj ka treguar arsyet se e bojkotit dhe se cili mund të jetë pakti që ata të tërhiqen. Studentja për gazetaren Marina Kërçeli, tregoi se arsyeja se pse ajo dhe kolegët e saj protestojnë është sepse shkelet e drejta e tyre si qytetarë, për të zgjedhur vetë mbi jetën dhe profesionin në të ardhmen.
Ndër të tjera shpjegon se dëshira e saj si studentë është që të qëndrojë këtu edhe pas përfundimit të universitetit por nëse situata nuk merr zgjidhje atëherë ligjin e qeverisë do ta ndjekin edhe me rrugë ligjore.
Intervista e plotë:
Ju protestoni kundër ligjit të ri për studentët e Mjekësisë, mund të rendisni disa nga arsyet?
Arsyet siç i kemi thënë në çdo dalje publike janë shumë të thjeshta; ligji bie ndesh me të drejtat themelore të njeriut, si ajo për të lëvizur lirisht, apo për të zgjedhur vendin e punës, atë ç’ka është më e mira për ne si studentë dhe mjekë të ardhshëm. Ligji gjithashtu është diskriminues, pasi aplikohet vetëm për Studentët e Mjekësisë.
Pse zgjodhët bojkot dhe jo dialog me ministrinë e Arsimit?
Ministria na e tha që në takimin e dytë konsultues në qershor: Ne i marrim vendimet e s’ju pyesim fare. Pavarësisht protestave dhe thirrjeve tona në periudhën e sezonit të verës, Ministria nuk doli të përballej me ne, madje dhe në kominisone kemi luftuar për të qenë pjesë e për t’u dëgjuar. Dhe tani që jemi në tetor, në javën e dytë të bojkotit, kemi kërkuar përballje në daljet televizive e nuk kanë pranuar. Ndaj ne vendosëm të bojkotonim.
Cilat janë disa nga kufizimet që ju jep ligji i ri mbi kontratën 5-vjeçare, ju si studentë?
Kufizimi kryesor është në detyrimin për të shkuar në vendin e punës që na caktohet nga Qeveria dhe qëndrimi me detyrim për 3 vite. Shkelet e drejta ime si individ dhe qytetare për të zgjedhur vetë mbi jetën dhe profesionin tim pas 3 vitesh.
Çfarë do të kërkonit nga qeveria dhe cilat janë disa nga kushtet për mos të braktisur ushtrimin e profesionit në Shqipëri?
Të përballet me Studentët e Mjekësisë, të na dëgjojnë dhe të na përgjigjen për pyetjet dhe kërkesat tona. E për sa i përket „braktisjes“ së Shqipërisë, ne e duam Shqipërinë. Shumica e studentëve duan të ushtrojnë profesionin e tyre këtu me dëshirë; por si fillim duhen përmirësuar kushtet në të gjitha qendrat spitalore të Shqipërisë, të rriten pagat mjaftueshëm, të trajtohen mjekët me dinjitet.
Si u gjendët përballë këtij ligji, ishit njoftuar më herë para marrjes së vendimit?
Të prerë në besë, pasi na u premtua që nuk do merreshin vendime pa u konsultuar me ne dhe pa interferuar me sezonin tonë të provimeve, por ligji kaloi në të gdhirë të datën 21 korrik. E tillë është politika fundja, por është një goditje në formimin tonë si profesionistë dhe qytetarë të këtij vendi.
Pse mendoni se nuk u dëgjuan thirrjet tuaja, para se të miratohej ligji në Parlament?
Kjo pyetje mendoj se i takon përfaqësuesve të Ministrisë dhe deputetëve të Parlamentit. Pavarësisht të gjithave, ne ishim persistentë dhe edhe përpara miratimit të ligjit e bëmë përpjekjen tonë duke u bërë thirrje video mesazheve deputetëve të Parlamentit për të mos e votuar si ligj, pasi nuk u pranuam të flisnim në Seancë.
Ku ka dështuar qeveria përballë studentëve të mjekësisë dhe Mjekësisë në vendin tonë, në përgjithësi?
Në mos-përballjen me ne. Në faktin që mbyllin veshët përballë kërkesave dhe pyetjeve tona. Në faktin që na detyrojnë dhe nuk na ftojnë.
Sa e ndjeni përgjegjësinë për qytetarët e këtij vendi, të cilët kanë sytë nga ju për mjekësinë në vite?
Përgjegjësia profesionale është e madhe, ndaj dhe mjekësia zgjat 6 vite pasi kërkon një përgatitje të mirë për të dalë përballë pacientëve në të ardhmen. Fakti që studentët po ngrihen ndaj këtij ligji të padrejtë nuk do të thotë që studentët po ngrihen për të ikur, por për faktin që duam të rrimë këtu jo vetëm 2/3 apo 5 vite; duam të rrimë dhe të shërbejmë me dëshirë në këtë vend ku duhen bërë mjaftueshëm ndryshime.
Emigracioni në rritje ka sjellë edhe rënien e mjekëve në zonat rurale, cila është zgjidhja sipas jush që të gjithë qytetarët të kenë akses në mjekësi?
Detyra ime si studente mjekësie në vitin e 4 është të studioj që të kem mundësinë të jem sa më e përgatitur për të dalë përpara pacientëve nesër. Zgjidhjet për problematika të tilla u takojnë politikbërësve. Por sigurisht, përmirësimi i kushteve, edukimi i qytetarëve, rritja e pagave dhe lehtësirave për profesionistët kane disa opsione.
Çfarë mund të ndryshojë vendimin tuaj për tu larguar nga vendi pas përfundimit të shkollës?
Unë kam dashur të studioj jashtë, por vendosa të studioj këtu. Të kryesh një cikël arsimi jashtë vendit për të marrë më të mirën si për vete, por dhe për vendin tënd në të ardhmen nuk ka asgjë të keqe. Gjithsesi, dëshira mbetet për të ushtruar profesionin në vendin tim, pranë familjes.
Vështirësitë tuaja si student në ciklin 6+4 vite akademike?
Literatura është një problem shumë i madh. Strukturimi i lëndëve dhe kurrikulat. Fakti që nuk kemi një godinë tonën ku mund të zhvillojmë leksionet dhe seminaret.
Cili do jetë hapi i rrallës pas bojkotit?
Bojkoti është një rrugë paralele me rrugën ligjore që ne kemi zgjedhur, të dërgimit të padisë në Gjykatë Kushtetuese. Gjithsesi, çdo hap i mëtejshëm do të behët i ditur në vijim.
Jeni të lutur të shprehni, çfarë do lloj argumenti shtesë nëse diçka mungon në pyetjet e sipërpërmendura!
Kërkojmë mbështetjen e studentëve të Fakulteteve të tjera dhe të qytetarëve, pasi ky ligj nuk prek vetëm studentët e Mjekësisë, por gjithë shoqërinë shqiptare.
M.K-dritare.net
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Hartimi i projektit kurrikular
Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri