Tregu i punës

Studenti Saimir Balliu: Inxhinieria elektrike, sfida ime profesionale

Në një intervistë për portalin shkollor "Albas", Saimir Balliu, na rrëfen mbi sfidat e punësimit që çdo i ri i sapo diplomuar përballet mbas përfundimit të universitetit. Se cilat janë ato dhe çfarë ka rrëfyer për ne. Lexoni intervistën e mëposhtme.

Ishte vetëm 18 vjeç, kur i vendosi vetes një qëllim! Të bëhej një inxhinier elektrike dhe të sfidonte tregun e punës. Ky është Saimir Balliu, studenti i inxhinierisë që përmes këtij rrëfimi na tregon hap pas hapi vështirësitë që ka hasur gjatë këtyre pesë viteve në universitet, si dhe në tregun e punës, sfidat, por edhe mundësitë e kualifikimeve që ka mundur t'i përvetësojë me anë të praktikës profesionale.


Në një intervistë për portalin shkollor"Albas", ai na tregon se inxhinieria elektrike është profesioni që plotëson ëndërrat e tij, madje thekson se duke u mbështetur në zhvillimet teknologjike që po prek bota e elektrikës në Shqipëri, ky profesion po shikohet si një ndër profesionet më të kërkuara dhe me më shumë të ardhura, duke u bërë një profesionist i vlerësuar.

Si çdo student tjetër i sapodiplomuar dëshira e tij është të punojë në profil për të cilin ka studiuar. Normalisht, tregu i punës në Shqipëri është shumë i vështirë për të pasur një karrierë të konsoliduar, por ai shprehet se me kënaqësi do të bënte dhe një punë tjetër të përafërt.

Kur prindërit e nxisnin atë të mësonte e të kishte rezultate të shkëlqyera në mësime, ata me shumë mundësi do të kenë pasur qëllimin që djali i tyre të jetë një model suksesi. Fundja shumë prindër të tjerë këmbëngulin në rezultate të mira në mësime për fëmijët e tyre. Por rezultatet e arsimit të tij lidhen me kombinimin e një djali me pasion për progres dhe prindërve që nuk hoqën dorë në rrugëtimin e gjatë të mbështetjes në arsim.


Sipas tij të studiuarit inxhinieri, është një përvojë e madhe mjaft sfiduese. Aktivitetet e studentëve nuk kanë të ndalur,mundësitë për të zhvilluar veten në sferën që ka përcaktuar një student janë të shumta. E rëndësishme është vetëm sa njeriu të arrin ta menaxhojë kohën në mënyrë sa më racionale. Një tjetër përparësi që të jep studimi tregon Saimiri janë mundësitë për tu njohur me njerëz profesionistë që të ndihmojnë çdoherë, krijimi i lidhjeve me njerëz që kanë vizione të mëdha për të ardhmen dhe bashkëpunimi me ta. Ajo që kam mësuar gjatë viteve të studimit thotë i riu, është pavarësimi, pjekuria dhe formësimi i një karakteri ku gjërat i sheh me një sy kujdesi të ç'do detaji.


 Pse keni zgjedhur pikërisht të studioni inxhinieri?

Rruga ime drejt këtij profesioni ka nisur që pas mbarimit të shkollës 9-vjeçare, pas sugjerimeve të ndryshme vendosa të arsimohesha në një shkollë profesionale për të qenë më i orientuar drejt një fushe të caktuar. Gjithmonë kam qenë kurioz për funksionimin e pasjeve elektrike, mënyrën e lidhjes së rrjetit elektrik dhe për këtë vendosa të zgjidhja degën elektroteknik. Pas marrjes së bazave dhe aftësimit praktik, si të gjithë që synojnë rritjen e aftësive vazhdova studimet e larta po në këtë profil.


Çfarë mendoni se do të sjellë për ju ky profesion?

Përpos plotësimit të ëndrrës sime, pres rritjen e aftësive profesionale për të përballuar me profesionalizëm çdo kërkesë të klientëve dhe duke qenë se është një profesion i kërkuar mendoj se do të më bëjë të arrij të jem një profesionist i kërkuar dhe një inxhinier i mirë.


Çfarë e motivon një inxhinier, a është një profesion i vështirë për të bërë karrierë në Shqipëri?

Si çdo profesion dhe ai i inxhinierit ka të bukurat dhe vështirësitë e tij. Dhe pas përfundimit të studimeve ne jemi gjithmonë në kërkime dhe studime të vazhdueshme për tu njohur me zhvillimet më të fundit në këtë fushë, për përvetësimin e teknikave të reja, për të qenë koherent me tregun evropian dhe përshtatjen më efektive me kërkesat e tregut vendas. Sfida profesionale e këtij profesioni është komunikimi me profesionalizëm me klientët, ofrimi i zgjedhjeve më efektive për kërkesat e tyre si dhe drejtimi korrekt i stafit.


Shkollat profesionale po zënë një vend të rëndësishëm në zanate të caktuara, siç është dhe ai i elektricistit. A mendoni se të pasurit një zanat vlen sot më shumë se një arsim universitar?

Të rinjtë po e kuptojnë gjithnjë e më shumë rëndësinë e të pasurit një zanat. Ndaj vit pas viti zgjedhja e shkollave profesionale po rritet, por jo gjithmonë i kanë pasur kushtet për kualifikime të gjithë nxënësve. Unë jam një ndër të shumtat raste që kam zgjedhur shkollën profesionale. Pas përfundimit të saj jo të gjithë nxënësit janë të aftë nga ana praktike e ushtrimit të këtij zanati, por mendoj se për ata që kanë pasur dëshirë dhe kanë përvetësuar këto aftësi vendet e punës nuk mungojnë, Për ata që kanë mundësinë dhe përkushtimin për të vazhduar në nivele më të lartë studimet shkolla profesionale, i vjen në ndihmë ashtu si edhe mua,duke marrë bazat aty përthithja e njohurive në universitet është më e lehtë. Ndaj mendoj se shkollave profesionale duhet t'ju jepet më shumë mbështetje e të krijohen më shumë kushte për nxjerrjen e të rinjve të specializuar në zanatet e ndryshme.


Cilat mendoni se janë kriteret që duhet të plotësojë të rinjtë për t'u punësuar?

Çdo pozicion pune ka specifikat e veta, disa lidhen vetëm me arsimin, disa me eksperiencën por mendoj se kryesorja e të gjithave është dëshira dhe vullneti. Shumë kompani ofrojnë trajnime për aplikantët prandaj e rëndësishme është që të rinjtë të jenë të gatshëm të aftësohen duke i përthithur sa më shpejt këto njohuri dhe gjithmonë të japin më të mirën e tyre.


Duke parë që tregu i punë sa vjen dhe bëhet më i vështirë, sa mendoni që kualifikimet që ju do bëni do t'ju ndihmojnë në këtë drejtim?

Tregu i punës është gjithmonë në kërkim të personave të kualifikimeve dhe të abdetuar me risitë më të fundit, por më e rëndësishme se këto kualifikime është qëllimi që ne i vendosim vetes, gatishmëria që kemi për të mësuar, dëshira për të dhënë më të mirën në një pozicion pune si dhe përshtatja e shpejt dhe me profesionalizëm.


 Një pjesë e mirë e studentëve zgjedhin të shkojnë jashtë në përfundim të studimeve. Po ju a e keni menduar ndonjëherë  të largoheni?

Asnjëherë nuk ka qenë në mendimet dhe në synimet e mia për t'u larguar jashtë vendit pas kryerjes së studimeve. Gjithmonë kam menduar të kryej studimet dhe kualifikime të ndryshme dhe ti vë këto njohuri në zbatim në Shqipëri, duke dhënë më të mirën time, duke kontribuar në vendin tim. Ndaj dhe studentëve të tjerë do ju bëja thirrje që mos të largohen por të punësohen në vend dhe të gjithë aftësinë profesionale dhe energjinë ta shfaqin për të mirën e vendit tonë.


Cilat janë pritshmëritë tuaja në të ardhmen?

Siç e përmenda dhe më sipër përveç kërkimevetë shumta rreth profesionit për tu përshtatur më mirë kërkesave të tregut synimi është kryerja e specializimeve të ndryshme për inxhinierinë elektrike. Si çdo i ri në këtë profesion synon për të ardhmen e tij eksperienca pune në pozicione të ndryshme duke arritur këtu kështu ngjitjen e shkallëve tëkarrierës me zotësi dhe profesionalizëm.


E teksa intervistës po i vinte fundi, vihej re se Saimiri kishte ende shumë për të na treguar mbi profesionin e tij. Por ndërkaq, si në djalë shumë aktiv dhe tip shumë kërkues, Saimiri është nga ata persona që lexon shumë, thellohet shumë në atë që lexon. I pëlqen të lexojë libra që kanë lidhje me historinë, merret me aktivitete sportive. Rast ky për t'u marrë shembull nga çdo i ri shqiptar, për të mos qëndruar përherë vetëm në kornizën e dijeve nga universiteti.


Në fund të intervistës, ai ndau diçka me ne për të rinjtë shqiptarë. 


"U them të rinjve shqiptarë të shkojnë drejt asaj fushe që kanë pasion dhe talent, nëse profesionin e zgjedh nga dëshira dhe jo i imponuar, nga rrethanat momentale apo nga të tjerët ata gjithmonë do të japin më të mirën, dhe të jenë të sigurt se çdo gjë do i vlerësohet dhe mundësitë do të jenë të shumta".


Intervistoi: Marina Kërçeli


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,923 Lexime
4 vjet më parë