INTERVISTË

Studenti ekselent: Programi Erasmus më dha një eksperiencë që Shqipëria nuk ta ofron

Beniamin Shurdhi është një student ekselent i degës gjuhë shqipe. Për Portalin Shkollor, ai sjell një pjesëz nga eksperienca e tij me programin "Erasmus". Kjo le të shërbejë si një thirrje për studentët shqiptarë, që të jenë të hapur ndaj shkëmbimeve.

Beniamin Shurdhi është një student ekselent i degës gjuhë shqipe. Studimet bachelor ai i kreu në Universitetin e Tiranës, në degën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, ndërkohë që studimet në nivel master i kreu fillimisht në Universitetin e Tiranës, e më tej në Berlin. Për Portalin Shkollor, ai sjell një pjesëz nga eksperienca e tij me programin "Erasmus". Kjo le të shërbejë si një thirrje për studentët shqiptarë, që të jenë të hapur ndaj shkëmbimeve të tilla.


Cili është shkollimi juaj?

Unë kam studiuar Gjuhë-Letërsi në nivelin Bachelor, në Universitetin e Tiranës. Më pas kam përfunduar Masterin e Shkencave ``Gjuhësi e sotme`` me rezulatet ekselente po në këtë Universitet.


Me çfarë vështirësish je përballur gjatë periudhës së studimeve?

Jam përballur me çdo vështirësi që përballet çdo student shqiptar në raport me studentët e universiteteve perëndimore, si p. sh., mungesa e një karte studenti që të mundëson përfitime dhe ulje në shërbime të ndryshme; mungesa e një tregu pune të dedikuar posaçërisht për studentët etj.


A mendon se Universiteti në Shqipëri krijon lehtësira për studentët ekselentë?

Jo, Universiteti në Shqipëri nuk krijon lehtësira për asnjë kategori studentësh, aq më tepër për studentët ekselentë. Normalisht, është detyrë e çdo universiteti që të krijojë mundësi dhe shanse të barabarta për çdo student, sepse përcaktimin ekselent e merr pas përfundimit të studimeve dhe Universiteti gjatë periudhës së studimeve nuk mund të të krijojë lehtësira, sepse duhet të jesh i barabartë me të gjithë studentët e tjerë.


Si e ndërmore vendimin për t'u bërë pjesë e programit Erasmus?

Për t`u bërë pjesë e programit Erasmus nuk të duhet të marrësh ndonjë vendim të madh. Mjafton të plotësosh të gjitha kriteret e vendosura nga universiteti pritës në përputhje me marrëveshjen me universitetin në të cilin studion dhe automatikisht bëhesh pjesë e këtij programi. Programi Erasmus, si program shkëmbimi studentor, në fokusin e tij nuk ka vetëm aspektin mësimor, por edhe shkëmbimin e kulturave ndërmjet studentëve, i cili e formëson studentit jo vetëm profesionalisht, por ndikon edhe në personalitetin dhe karakterin e tij.


Si u gjinde atje? A mund të bësh një krahasim mes universitetit në Shqipëri dhe atij në Gjermani?

Në Gjermani unë kam studiuar në Berlin dhe, duke qenë se Berlini është një metropol internacional, jam gjendur dhe jam përshtatur menjëherë atje. Unë për asnjë çast nuk e kam ndjerë veten inferior për shkak të origjinës sime, por, përkundrazi, e kam parë veten si të barabartë me çdo kombësi tjetër, përfshirë edhe vetë gjermanët, sepse, në fund të fundit, arti dhe shkenca nuk kanë as pasaportë e as kombësi. Madje në çdo bisedë që kam pasur me miqtë e mi të huaj jam përpjekur gjitmonë të promovoj vendin tonë.

Të krahasosh universitetet shqiptare me ato gjermane është njësoj si të krahasosh strukturën sociale dhe standardin e jetesës së shoqërisë gjermane me atë shqiptare; pra, pak a shumë, si të krahasosh natën me ditën, dimrin me verën e kështu me radhë. Ndryshe nga Shqipëria, universitet publike gjermane mbështeten nga shteti me shifra marramendëse, çka mundëson një mësimdhënie tepër cilësore dhe mundësi ideale për kërkimin shkencor. Të gjithë filtrat apo mekanizmat e vendosura nga shoqëria e universiteti atje bëjnë që në bazë të çdo arritjeje apo suksesi të qëndrojë vetëm merita e gjithsecilit e asgjë tjetër. 


A mendon se eksperienca jashtë është një armë e fuqishme për të konkuruar bindshëm në tregun e punës?

Teorikisht është një armë e fuqishme, sepse sjell një përvojë dhe një eksperiencë të cilën këtu nuk mund ta fitosh, por, fatkeqësisht, tregu i punës në Shqipëri është tejet i deformuar, për shkak se baza e pranimit në punë nuk është merita dhe aftësia e individit, por miqësia apo lidhjet shoqërore dhe për të ndryshuar këtë mendësi apo sistem pune do të duhen edhe disa dekada të tjera. 

 

Cilat janë synimet tuaja pas përfundimit të programit Erasmus dhe masterit?

Shumë e thjeshtë. Të më krijohen të gjitha kushtet për të bërë punë dhe kërkim shkencor.



(Intervistoi P.Shtini; Portali Shkollor)

2,689 Lexime
5 vjet më parë