Skandal në Tiranë/ Fëmijës 3-vjeç i thyhet këmba në kopshtin privat “Stinët”, manipulohet ngjarja
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në ambientet e kopshtit privat “Stinët” në Tiranë. Një fëmijë 3 vjeç ka pësuar thyerjen e këmbës brenda kopshtit privat “Stinët”. Nuk dihet ende si ka ndodhur konkretisht ngjarja, por në video shihet se edukatorja ka ushtruar dhunë ndaj fëmijës së vrarë që qante.
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në ambientet e një kopshti në Tiranë. Në redaksinë e një emisioni investigativ ka denoncuar një prind, i cili pretendon se vajza e tij është dhunuar brenda kopshtit privat “Stinët” në rrugën “Kushtrimi i lirisë” në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në datën 1 Nëntor 2023 dhe si pasojë, e vogla është me këmbë të thyer.
Siç shihet edhe nga pamjet e rënda, 3-vjeçarja ka përfunduar me të dyja këmbët në allçi.
Prindërit e vajzës janë njoftuar nga kopshti në orën 15:00 kur dyshohet se dhuna ndaj të miturës ka ndodhur rreth orës 10:20 të mëngjesit.
Denoncuesi: Ka qenë data 1 Nëntor 2023. Vajza u çua nga ime shoqe në orën 8 e 20 dhe ne ikëm në punë siç çdo ditë. Kur e çuam vajzën në mëngjes ishte në rregull, si çdo ditë tjetër. Në orën 3, njoftohet nusja që “hajde merre vajzën sepse ka dhimbje tek këmba dhe po grindet, diçka e ka pickuar”. Nusja niset direkt dhe kur mbërrin aty, goca ishte futur poshtë një tavoline. Këmba ishte e enjtur dhe ishte fryrë sa koka e vajzës. Nusja kishte ndeshur edukatoren dhe drejtoreshën të cilat po e prisnin duke qarë. Thoshte me veten e vet se “çfarë i kam bërë unë vetes”. Nusja nuk e pati mendjen në ato momente se çfarë po ndodhte me edukatoren, por pa edhe drejtoreshën duke qarë dhe drejtoresha i tha që “hajde të hipim në makinë dhe ta çojmë direkt në pediatri”. U nisën në pediatri dhe më mori nusja direkt në telefon dhe më tha që po ikim në pediatri. Kur shkova, mora fëmijën dhe u shokova kur i pashë këmbën që ishte e enjtur në një gjendje skandaloze. Më pas morëm letrën e hyrjes që ta kontrollojë mjekja dhe kur mjekja pa tha “që nuk është rast për mua, ka diçka tek këmba dhe nuk di të ju kthej përgjigje. Ju sugjeroj që të shkoni tek “Ushtaraku”. Kur mbërritëm në Urgjencën e “Ushtarakut”, u futëm brenda dhe kërkuam ndihmën e shpejtë dhe aty dolën mjekët që ishin specialist të kësaj fushe dhe në momentin që i bënë grafinë, grafia doli në një thyerje shumë të keqe, ishte thyer këmba, pjesa e kofshës në një gjendje skandaloze.
Pas denoncimit të nënës së vajzës së vogël 3-vjeçare që u dhunua në kopshtin privat “Stinët” në Tiranë, rasti shkon në Komisariatin Nr.1 dhe hetohet nga shefi i krimeve Ylli Çako. Ky i fundit ka sekuestruar pamjet filmike të kopshtit, ku duket qartazi dhuna në këtë video. Por ai nuk ka vazhduar me procedurën për arrestimin e personit apo personave që kanë ushtruar dhunë ndaj të miturës.
Sabri Hoxha, ekspert mjekoligjor: Grafia është tregues i një thyerje të kofshës së majtë, të kockës femorale. Është një thyerje me zhvendosje, futet tek thyerjet e rënda e cila ka nevojë për ndërhyrje, por është në varësi se si e vlerësojnë mjekët specialistë në rastin konkret.
Arben Llangozi, avokat: Njëkohësisht, edhe drejtoresha e kopshtit ka pasur detyrim që të kallëzojë në institucionet përkatëse këtë krim të ndodhur në këtë kopsht, gjë që nuk e ka kryer. Personeli mjekësor ka detyrimin ligjor të bëjë kallëzim për vepra penale të cilat i konstaton gjatë ushtrimit të detyrës së saj, por nuk e ka përmbushur spitali apo personat përgjegjës që janë marrë me këtë punë ose akuzohen për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre.
Ajo që mund të themi është se ende nuk dihet si ka ndodhur konkretisht ngjarja brenda kopshtit dhe se si fëmijës i është thyer komplet kocka e këmbës së majtë, por ajo që dihet është se 3-vjeçarja ka pësuar trauma të rënda psikike si pasojë e dhunës ç’njerëzore të edukatores, pasi nga video e nxjerrë deri më tani, shihet se ajo e godet fëmijën me shpulla dhe vizore vetëm sepse e vogla qante prej dhimbjes që ka pasur në këmbë. Ngjarja ndërkohë prej disa ditësh është mbajtur e fshehtë dhe është tentuar të manipulohet.
Asnjë person nuk është vënë në pranga, ndërkohë që aktiviteti në kopshtin ‘Stinët’ vijon normalisht
Ditën e sotme disa nga mediet kanë transmetuar se pranë kopshtit privat “Stinët” që ndodhet në rrugën “Kushtrimi i lirisë” në kryeqytet, në të cilin u dhunua një vajzë 3-vjeçare, ku si pasojë të miturës i është thyer këmba, dhe ndodhet në spitalin e Traumës ku do t’i nënshtrohet dhe një ndërhyrje kirurgjikale. Në këtë kopsht vijon ende aktiviteti normalisht. Gjatë ditës së sotme, pas publikimit të lajmit në emisionin investigativ, në afërsi të kopshtit kanë qenë disa punonjës policie, por nuk dihet ende nëse prania e tyre lidhet me shoqërimin e edukatores që ka dhunuar të miturën apo drejtoreshës së kopshtit.
Kaltra Tafani
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Hartimi i projektit kurrikular
Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri