“Më quajnë Musine Kokalari”

Si u realizuan ilustrimet në librin për Musine Kokalarin

“Më quajnë Musine Kokalari” është libri që u vlerësua si libri më i mirë për fëmijë në Panairin e XX të Librit. Autorja Persida Asllani dhe ilustruesja Semela Mero punuan fort që ky libër të jetë i dashur për lexuesit e vegjël.

Ilustrimet janë shumë të rëndësishme për të gjithë librat e serisë “Më quajnë...”. Sigurisht që Semela Mero është mbështetur në informacione dhe dokumente për të sjellë figurën e Musine Kokalari te lexuesit e vegjël. Çelësin e suksesit na e tregon Semela gjatë një interviste për Portalin Shkollor.


Semela, ju jeni ilustruesja e librit Më quajnë Musine Kokalari. Mund të na thoni diçka më shumë për realizimin e këtij projekti?

Që prej vitit 2013, shtëpia botuese Albas ka realizuar serinë Më quajnë. Kjo seri është një autobiografi, një rrëfim emocional i personazheve si model frymëzues për lexuesin e vogël. Fillimisht kjo kolanë përmbante personazhe të shquara nga bota, si: Leonardo da Vinçi, Kleopatra, Ajnshtajni, Mari Kyri, Gandi, Marko Polo, Kristofor Kolombi, Pikaso etj. Duke u nisur nga kjo ide, ne menduam ta pasurojmë këtë seri me personalitete shqiptare, që kanë dhënë kontributin e tyre në një fushë të caktuar, si psh., Skënderbeu, Ismail Qemali, Nënë Tereza, mbretëresha Teuta, Aleksandër Moisiu, Ibrahim Kodra, Tefta Tashko Koço dhe Musine Kokalari.  


Si erdhi te ju kjo figurë e njohur, ndoshta më shumë për të rriturit sesa për lexuesit e vegjël?

Ky libër u realizua në bashkëpunim të ngushtë me autoren, Persida Asllani, me kryeredaktoren Natasha Pepivani, për të zgjedhur paragrafë të caktuar që mendonim se duhet të ilustroheshin. Sigurisht, përveç tekstit të përfshirë në libër, u mbështetëm edhe në botimin e Veprës së Zgjedhur 3 të Musine Kokalarit nga Biblioteka Kombëtare. Ditari i Musinesë gjatë viteve të studimit ishte një material tejet i vlefshëm për shumë detaje të tjera të ilustrimeve, si p.sh., ndjesitë dhe përshkrimet e Musinesë studente në qytetin e magjishëm të Romës. Gjithashtu, përveç ditarit, edhe dokumentet nga arkivi ishin të nevojshme për periudhën e burgosjes dhe jetën e Musinesë gjatë internimit.


Ka ndonjë arsye të veçantë pse zgjodhët pikërisht këtë stil për ilustrimet tuaja?

Duke qenë se, siç e përmenda, ky libër është pjesë e një kolane, stili është pothuajse i ngjashëm me atë të gjithë serisë. Por çdo personazh ka karakteristika të caktuara, rrethana dhe kronologji jete të ndryshme, gjë që përcakton, për shembull, ngjyrat dhe stilin e zgjedhur. Për të ilustruar fëmijërinë e Musinesë mbizotëron ngjyra gri e qytetit të gurtë të Gjirokastrës, ndërsa studimet në qytetin e Romës janë paraqitur me ngjyra më të gjalla, duke shprehur kështu edhe ndjesitë dhe përshtypjet e Musinesë për qytetin, për të cilin ajo thotë: “Roma është e gjitha një muze”. Ndërsa ilustrimet e periudhës së gjyqit, burgosjes, internimit janë në ngjyra të errëta për të përshkruar më së miri vetminë dhe zymtësinë e jetës së saj në këto periudha. Desha të theksoj këtu përdorimin e karikaturës për të karakterizuar si personazh “pushtetin”, “sigurimin”, “regjimin”. Figura e Musinesë paraqitet shpeshherë më e vogël, por më krenare në raport me karikaturat, për të treguar se pavarësisht se ishte “e vogël”, krenaria dhe idealizmi i saj ishin shumë herë më të mëdha se përndjekja, burgosja dhe internimi. Ajo shfaqet si një figurë dinjitoze deri në fund të jetës. 


Pavarësisht se kjo seri i drejtohet fëmijëve të moshës mbi 9 vjeç, ajo mund të lexohet nga të gjitha grupmoshat, edhe nga të rriturit. Mendoj se është një vlerë për bibliotekën e gjithsecilit.


Lexim të mbarë!


Librin mund ta blini online duke klikuar në www.librarialbas.al


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

4,078 Lexime
7 vjet më parë