Shqiptarok!
Fjala malok s’duhet përdorur. Jo se përmban tone diskriminuese apo sajohet keq nga të tjerët, por sepse nuk ka kuptim; ashtu siç nuk do të kishte kuptim po të thonim fushokë apo kodrinokë.
Mesa duket, unë qenkam malok, por duke u rritur në një mjedis me të tjerë të llojit tim, në një vend që për mua quhet Burrel, e për të tjerë “malokëri”, nuk e kam ndjerë dhe aq, të them të drejtën, ç’domethënë të jesh… “malok”.
Që tani e tutje mos prisni që fjalon malok ta vendos mes thonjëzash apo ta përdor më pak, pasi kjo e fundit nuk ka konotacion diskriminues siç pretendojnë disa. Le të jem unë malok. Nuk më shqetëson “poshtërimi” që mund të sjellë kjo fjalë; më shqetëson në fakt, rruga dhe mënyra që ka ndjekur ky tog shkronjash për të ardhur deri te ne e për të shkaktuar, le të themi, zallamahi.
“Çfarë nënkupton kjo fjalë? Pse përdoret sot? A duhet të përdoret?”- këto janë tri pyetjet që më mundojnë më së shumti.
Mbrëmë, gjithë natën mendova për etimologjinë e fjalës malok. Arrita në një përfundim: me shumë gjasë vjen nga mal dhe kokë. Një trajtë fillestare mund të ketë qenë kokëmal, pastaj malkokë, më tej malkok e në fund malok. Domethënë, ta kesh kokën si mal.
Ky etiketim, siç mund ta dini, lidhet me ata njerëz që jetojnë apo kanë origjinën nga veriu i Shqipërisë. Kufi të saktë nuk kemi, por shqiptarët janë kaq të zotë (si në çdo disiplinë tjetër të mundshme), sa e dallojnë menjëherë nëse dikush është malok apo jo. Ore, menjëherë! Gjithsesi, praninë e këtij etiketimi, të gjendur mes nesh, mundem ta justifikoj. Mjafton veç pak sfond letrar e gjeografik.
Po të nisemi nga Eposi i Kreshnikëve, përcaktimi “kokëmal” merr kuptim. Muji dhe Halili përshkruhen si viganë e shumë të fuqishëm, trupmëdhenj e luftëtarë të shquar. Aktivitetin e tyre e përqëndrojnë në Bjeshkët e Namuna, e duke qenë se truri kontrollon çdo veprim tonin, e truri ndodhet brenda kafazit të kafkës, i cili ndodhet brenda në kokë, themi se ngjizja kokë-mal zë fill këtu. Madje, as Tanusha nuk i shpëton dot maleve dhe kokës.
“…E unë Tanushën vetë e kam pa,
Gja mat bukur nuk sheh përbi dhé,
Vetulla e saj, e drejt’ si fiskaja,
Shtegu i ballit, porsi shtegu i malit…”
Ndalemi te rreshti i fundit; Tanusha është maloke, sepse balli i saj i ngjan shtegut të malit dhe sigurisht, balli është pjesë e kokës së njeriut.
Më tej, me Ernest Koliqin te “Hija e Maleve”, zbulojmë se edhe aty njerëzit u përngjajnë mjediseve të ashpra malore. Ka edhe vrasje, dhunë e poshtërim. Mirëpo, të gjitha këto ishin në funksion të penës së këtyre shkrimtarëve, për të goditur atë mentalitet të vjetëruar. Por, për çfarë funksionon ky skenar sot, në nje kohë kur ai mentalitet është fashitur e për më tepër, edhe sikur të duan këta malokët që thoni ju, të vrasin e të presin, s’e bëjnë dot kurrsesi, pasi ekziston ligji që i dënon?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë te konstatimi më i frikshëm dhe më shqetësues që kam ndeshur: automalokët…
Automalokë, janë ata njerëz që vetëquhen të tillë, në një formë të stisur, aspak origjinale dhe shumë shpesh krejt jashtë kontekstit. Funksionon si një trend; si një tentativë e vazhdueshme për të fshehur mungesën e thekshme të përmbajtjes, duke u munduar të përsosin formën. Kjo arrihet duke keqtrajtuar, keqinterpretuar nocione të tilla. Keq, keq, keq! Një imazh i keqtrajtuar, i keqinterpretuar e gjithashtu i keqkuptuar. Një mekanizëm vetëndërtues e vetëmbrojtës; pa themele e pa mure.
Fjala malok s’duhet përdorur. Jo se përmban tone diskriminuese apo sajohet keq nga të tjerët, por sepse nuk ka kuptim; ashtu siç nuk do të kishte kuptim po të thonim fushokë apo kodrinokë. Është absurde që në një kohë ku vendi ynë zien nga probleme me përmasa të frikshme, shqiptarët e kthejnë në temë tavolinash, mollë sherri apo edhe kompliment një etiketim të tillë…bosh. Kjo gjë duhet të ndalojë. Fundja, vendin e lindjes, emrin, racën, ngjyrën e lëkurës e madje edhe dëshirën për të ardhur në jetë nuk e kemi në dorë ne. Lëreni njëri-tjetrin të qetë. Nëse s’mundeni ta bëni as këtë, të paktën thirreni njëri-tjetrin shqiptarok…
(Irvi Çela, shkolla “Ernest Koliqi”; Portali Shkollor)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Ese: Mjedisi dhe njeriu
Festat e Nëntorit, format që zgjodhën nxënësit për të treguar dashurinë ndaj atdheut të tyre