Shpend Rrukiqi, mësuesi magjistër që theu barrierat suedeze përmes punës dhe vendosmërisë
Puna dhe vendosmëria thyejnë barrierat. Ju sjellim historinë e rrugëtimit të shqiptarit nga Kosova, mësuesit Shpend Rrukiqi, i cili në Uddevalla ka qenë personi kyç i implementimit të kurrikulës së re. Ai ndan me ne mesazhe të forta e të vlefshme.
Sfidat nëpër të cilat ka kaluar dhe fitoret e arrira e kanë bërë personazhin që ne do të sjellim sot, jo vetëm një njeri me ideale e virtyte, por profesionistin më të zotë në Uddevalla, Suedi, sa i përket mësimdhënies. Ai është kosovari Shpend Rrukiqi. Në vitin 2011 ai ka qenë personi kyç që ka implementuar kurrikulën e re të ashtuquajtur LGR11, për lendet e matematikës dhe shkencave të natyrës në komunën suedeze ku ai jeton. Duke parë angazhimin, interesin dhe përfitimin që kanë nxënësit dhe shoqëria, komuna i ka mundësuar studimet në “Magjistër i Pedagogjisë Speciale”.
“Unë i kam thyer barrierat dhe sfidat fal vendosmërisë dhe dëshirës për të përfaqësuar denjësisht popullin të cilit i përkas, kam folur dhe jam prezantuar me krenari gjithmonë si shqiptar”, është shprehur Shpend Rrukiqi.
A nuk është frymëzuese e gjitha kjo! Ju ftojmë të lexoni intervistën që ne kemi zhvilluar me të...
Z.Rrukiqi, varësisht se nuk jetoni që prej fillimit të viteve ’90 në Kosovë por në Suedi, ju vazhdoni dhe jepni kontributin tuaj në ide, veçanërisht për arsimin. Keni botuar disa libra në lidhje me mësimdhënien, për t’i ardhur në ndihmë edhe kolegëve mësues shqiptar. Nga e gjithë kjo bie në sy dashamirësia dhe patriotizmi juaj për atdheun. Mund të na rrëfeni për fillimet tuaja të ikjes nga Kosova dhe emigrimit në Suedi, për të kaluar më pas te vendimi për t’u bërë mësues. Në fakt ju vini nga një familje arsimtarësh kosovar, apo jo?
Babai im ishte edhe mësuesi im i parë deri me 4 mars 1975 kur edhe u burgos së bashku me vëllanë Ajetin ( që tani është hero i popullit) dhe tre kushërinj të afërm Ademin, Arifin dhe Ymerin. Lagja Rrukiqi ne vitet ’70, ishte një vatër diturie dhe mbi të gjitha, vatër e ngritjes patriotike dhe kombëtare për Kosovën. Edhe pse ne ishim vetën 13-14 familje, në vitet 70 kur në Kosovë nuk kishte shumë njerëz të shkolluar, farefisi Rrukiqi kishte avokat, inxhinier po mbi të gjitha shumë mësimdhënës të niveleve të ndryshme. Ajo që na bënte të dalloheshim nga tjerët ishte sidomos numri i femrave të shkolluara e sidomos numri i femrave që kishin kryer studimet për mësimdhënie. Frika nga arsimi dhe ngritja e shqiptarëve si komb bëri që në vitin 1975 pikërisht me 4 mars pushteti sulmon në mënyrën më barbare familjen tonë duke burgosur dhe dënuar me shumë vite burgim, të keqtrajtuar dhe të izoluar nën akuzat për nacionalizëm dhe irredentizëm. Që nga viti 1975 ne kemi vuajtur të “zitë e ullirit” siç thotë një fjalë popullore. Fëmijëria ime përfundojë në moshën 7 vjeçare kur mu obligua të përballem me sfidat më të renda që mendja e njeriut mund të imagjinojë. Kjo më bëri edhe më të vendosur për të ecur në rrugën e dijës edhe përkundër pengesave të pa imagjinueshme. Jam përballur shumë me ndalesat që më janë bërë për ta vazhduar shkollimin nga i ashtuquajturi komiteti i mbrojtjes, po asnjëherë nuk jam dorëzuar, përkundrazi ishin motivim shtesë që unë të mos dorëzohem. Mbas shkollimit të mesëm studiova për inxhinier teknologjike për 5 vite dhe fatkeqësisht kur isha krejt në përfundim të studimeve në vitin 1992 u detyrova të marrë rrugën e kurbetit pa arritur të marrë kurorën e studimeve dhe përpjekjeve pesë vjeçare. Në Suedi kam jetuar si azilkërkues 5 vite në pritje të leje qëndrimit e duke bërë punët më të rënda fizike dhe ndarë edhe qindarkën e fundit për të ndihmuar familjen dhe të afërmit. Mbas marrjes së leje qëndrimit fal njohurive që kisha për gjuhën suedeze dhe respektit që kisha fituar me punën më të rënda arrita të punësohem menjëherë në një fabrikë gypash, ku punova 2 vite në tre turne po asnjëherë nuk hoqa mendjen nga studimet dhe shkollimi. Burokracia e tepërt në Suedi në atë kohë nuk pranonte asgjë nga shkollimi ynë. Kërkuan që unë të fillojë nga niveli zero, mirëpo këmbëngulja ime dhe aftësitë gjuhësore që kisha më bëri që të rrugëtojë shpejt dhe bindshëm duke kaluar testen dhe pengesat burokratike që shteti kishte vendosur për të huajt. Asnjëherë nuk pranova që të jem viktime e rregullave dhe normave që kishin vendosur për shkollimin e të huajve, por gjithmonë kam luftuar të tregojë se ne kemi në vete vlera dhe njohuri. Ky ishte edhe shkaku ku në shenjë revolte më dërguan të zëvendësojë për dy javë një mësues që ishte aksidentuar – për të më bindur që ne nuk kemi aftësitë që posedojnë edhe suedezët. Këmbëngulja por edhe puna ime tregoi që unë mbaja një nivel të lart intelektual dhe komuna ku unë jetoja për të më mbajtur si mësimdhënës në vitin 2000, vendosi të më financojë shkollimin për mësimdhënës në Universitetin e Goteborgut duke më paguar gjitha shpenzimet dhe duke më dhënë rrogë të plotë mujore gjatë gjithë kohës së studimeve. Në vitin 2005 përfundova studimet master për matematik dhe kimi.
Gjithë këto sfida, të cilave ju ja keni dalë mbanë, të frymëzojnë medoemos, për t’u ndalur në një pyetje që për të gjithë do të përbënte interes: sa e vështirë ishte realisht të integroheshit në shoqërinë suedeze, si qytetar, banor i saj por edhe si profesionist?
Gjërat kanë ndryshuar shumë që nga vitet ‘90. Vlera e njeriut përgjysmohet në momentin e largimit nga vendi i lindjes. Gjuha është çelësi i ecjes para, unë gjuhën suedeze e mësova herët. I huaj është i huaj dhe gjithmonë do mbetet i huaj – “guri i rënd peshon në vendin e vetë”. Për t’u integruar dhe për të marrë pozitën dhe vendin që meriton, ti duhet të kesh angazhim, përkushtim, sjellje dhe të gjendesh një hap para vendaseve. Në Suedi ekziston një ndarje në “Ne dhe Ata”. Ndajë për Ne duhet shumë punë dhe gjenerata për t’u bërë Ata. Mirëpo puna, angazhimi dhe vendosmëria thyen barrierat. Unë i kam thyer barrierat dhe sfidat fal vendosmërisë dhe dëshirës për të përfaqësuar denjësisht popullin të cilit i përkas, kam fol dhe jam prezantuar me krenari, pra “vertikalisht” gjithmonë si shqiptar. Asnjëherë nuk jam munduar të bëhem suedez dhe mendojë që është pikërisht kjo që ka bërë që unë sot të gëzojë një respekt të veçantë në mesin e vendaseve.
Dimë që ju keni dhënë leksione matematike falas për nxënës në Uddevalla të Suedisë, duke kontribuar në një farë mënyre për këtë vend të cilit ja “theve barrierat”, siç ju thatë më sipër. Çfarë mund të specifikoni nga kjo marrje dhe dhënie me këtë vend, si po ndiheni tani atje, teksa jeni i plotësuar krah familjes dhe i arritur profesionalisht?
Para dy vitesh isha me punë në një komunë tjetër afër komunës ku jetoja, arsyeja ishte pagesa shumë më e lart që më u ofrua, e pa zakonshme për një mësimdhënës, mbasi kishin dëgjuar për angazhimin tim. Sa herë dilja në shëtitje takoja nxënësit (po edhe prindërit e tyre), që unë i kisha para se të ndërroja punë, por të cilët e kishin përjetuar jo mirë ikjen time dhe ndërkohë kërkonin t’i ndihmoja me matematikën. Në anën tjetër ishte komuna që financojë shkollimin tim, po ishte edhe ky vend që më ndihmojë të mbajë vetën, familjen dhe farefisin, ndaj e ndjeva si obligim moral ta bëjë këtë. Mirëpo një vit më pas, drejtoria e arsimit në komunën ku jetoj këmbënguli që unë me çdo çmim të kthehesha, duke më ofruar kushte jashtëzakonisht të mira. Vlen të theksohet që në vitin 2011 unë isha person kyç për implementimin e kurrillës të re LGR11 për lendet e matematikës dhe shkencave të natyrës në komunën ku jetojë. Në vitet 2014-2015 kam udhëhequr programin shtetëror për ngritjen e cilësisë në lëndën e matematikës për gjithë shkollimin, 7-9, në komunën ku jetoj. Në vitin 2016 mora edhe titullin “mësuesi i parë” që në vete përmban një ngritje të jashtëzakonshme në pagë në krahasim me kolegët. Ndërsa tani financon ngritjen time profesionale në studimet e nivelit të avancuar ( Magjistër i pedagogjisë speciale) duke më mundësuar që të studioj dy ditë dhe të punojë vetëm tri ditë, ndërkohë që marrë një rrogë të plotë. E gjithë kjo duke parë angazhimin, interesin dhe përfitimin që kanë nxënësit dhe shoqëria.
Për ata që të njohin me të drejtë je shembull i përvojave në arsim. Në një paragraf, të njërit prej librave që ju keni botuar, shkruani: “Plan-programi shkollor i centralizuar zvogëlon mundësin e kreativitetit. Mësuesi dhe nxënësi detyrohen të jenë rob të librit, pa pasur hapësirë reflektimi dhe analizimi. Të zënë me pjesën teorike, harrojmë që ekziston edhe një e vërtetë tjetër shumë e madhe në jetën shkollore-jeta sociale dhe emocionale”. Pra ju i mëshoni fortë kreativitetit në mësimdhënie. Çfarë ju bëri të besonit dhe si arrini ta praktikoni këtë gjë në punën tuaj?
Përvoja, angazhimi, studimet, trajnimet që unë kam bërë, tregojnë që jeta sociale dhe emocionale e nxënësit është çelësi i suksesit. Studimet që unë kam bërë në Kosovë tregojnë se mësimdhënësit janë shumë të varur nga libri si dhe plan programi, pra fatkeqësisht pak i kushtojnë kujdes gjendjes shpirtërore të nxënësve. Shikoni vetëm debatet e shumta për peshën e librave që nxënësit bartin ne çantat e tyre në kohën e digjitalizimit. Kjo thotë shumë. Pra ne pak mundohemi të futemi brenda mureve të botës shpirtërore të fëmijëve për të kuptuar se si ne mund ta ndihmojmë një fëmijë. Mësimdhënësit shkojnë, mbajnë orën, dalin nga klasa dhe pastaj misioni i tyre përfundon. A duhet të jetë kështu nëse dëshirojmë të kemi një shoqëri të shëndosh? Përgjigja është jo. Perspektiva relacionale( krijimit të raporteve të mira) është çelësi i suksesit. Kur ke raporte të mira edhe kufijtë i vendos më lehtë, dhe e dini pse, sepse keni krijuar një kapital besueshmërie tek nxënësi. Ky kapital të ofron mundësin të stimulosh, të angazhosh, të aktivizosh, të qortosh dhe të inkurajosh nxënësin kur ka nevojë pa vendosur në luhatje perspektivën e bashkëpunimit.
Po kreativiteti pse?
Shumë mësimdhënës kanë mbetur në zonën e komoditetit, duke u varur në libër dhe duke ofruar mësim faktesh, pa stimuluar fare aftësitë analizuese, reflektuese, dhe zhvillimin e mendimit kritik. Hulumtimet tregojnë se fleksibiliteti dhe variacioni i metodave të ndryshme janë ato që sjellin sukses në mësimdhënie. Një ambient kreativ në klasë krijohet kur idetë dhe mendimet e ndryshme përplasen me njëra-tjetrën e kjo krijohet duke lejuar diskutimet, duke ofruar hapësirë për nxënësit të mendojnë lirshëm në rrafshe të ndryshme dhe duke tërhequr me vete perspektiva të ndryshme të të menduarit dhe analizës. Thyerja e kontratës didaktike, ose një ndryshim apo zhvillim i papritur, shpesh mund të hap një perspektivë krejtësisht të re në punën e përditshme me nxënësit. Tek ne ende punohet si është punuar gjithmonë, shumë mësimdhënës thirren në përvojën shumëvjeçare dhe harrojnë që në fakt kjo është përvojë njëvjeçare e përdorur në shumë vite. Dhe a e dini pse ndodh kjo? Nga frika për të dështuar ose nga përtacia për të mësuar, studiuar dhe ecur përkrah botës. Kreativiteti është i rëndësishëm sidomos kur dihet që as 20% e nxënësve që sot shkojnë në klasën e parë, nuk do të punojnë fare për profesione që sot nuk ekzistojnë. Pra, mbas 20 apo 30 vitesh, rreth 80% e profesioneve do jenë të reja, për të cilat ne sot nuk kemi dijeni.
Si arrihet një marrëdhënie e balancuar në mësimdhënie?
Po filloj me një thënie nga Albert Einstein: “Problemet nuk mund të zgjidhen me të njëjtin mendim që i krijuam ato. Duhet një mënyrë krejt e re e të menduarit për të zgjidhur problemet që kemi krijuar me mënyrën e vjetër të të menduarit ".
Nxënësi duhet të kthehet në qendër të vëmendjes e jo në mesin e problemeve. Pra probleme që ne kemi krijuar për shkak të pa diturisë duke u munduar të kopjojmë sisteme shkollore të “avancuara” që nuk i përshtaten kushteve dhe kulturës tonë. Kur bëhen reforma për arsimin duhet të kihet kujdes se çka rrënojmë dhe çka po ruajmë? Mendoj se këtu është gabuar. Studimet kanë treguar se kushti kryesor që nxënësi të tregojë rezultate të mira në shkollë, është gjendja shpirtërore dhe emocionale e nxënësit. Kjo shton kërkesën e mësuesit për shumë kompetenca shtesë, jashtë kompetencave të lëndës që prezanton. Mësuesi është ai që gjendet më së afërmi nxënësit dhe mbi të peshon një barrë e madhe që nxënësi të ndihet mirë. Pra për një rrugëtim të balancuar, mësuesi duhet të kalojë nga roli i shefit në rolin e trajnerit.
E dini pse? Shefi krijon ndjenjë frike. Trajneri krijon angazhim,besim, ndjenjë grupore – Ne(ndjenjë të përbashkët) e jo Unë e Ju. Pra mësuesit duhet: t`i shohin mundësitë e jo pengesat; të fillojnë nga vetvetja për çdo gjykim të bërë; të zotërojnë aftësinë e bartjes së përgjegjësive dhe të kërkuarit falje, edhe nëse kjo duhet të bëhet ndaj një fëmije; duhet të zotërojnë aftësinë e komunikimit; duhet të zotërojnë aftësinë e fleksibilitetit; duhet të kenë dëshirën dhe guximin për ndryshime; Por njëkohësisht duhet të kenë integritet, që nuk lejohet të shkelet nga askush.
Dimë se në Suedi nxënësit janë primarët në shkolla, që do të thotë, se atje, ndër të tjera gjendja emocionale e nxënësve ka shumë rëndësi për sistemin arsimor, siç ju e theksuat e që ka rëndësi. Çfarë ndryshon realisht atje me mësimdhënien këtu? Cilat janë parimet e mësimdhënies në Suedi?
Në plan-programin suedez të shkollës Skolverket (2001) shkruan: “Në takim me të tjerët ne e kuptojmë veten, sepse vetëm duke e parë vetveten me sytë e të tjerëve, ne mund të formohemi si individ”. Pra dallimi kryesor është se mësuesi është dëgjues aktiv dhe gjithmonë ka për qëllim që të gjejë një interpretim të përbashkët për situatën për të cilën bisedohet. Komunikimi shikohet si bazamenti i krijimit të relacionit ne mes nxënësit dhe mësuesit. Me fjalë tjera mbahet balancimi në mes gjendjes socio-emocionale dhe pjesës teorike. Pra nuk fokusohen tek peshku për të harruar krokodilin.
Besoj ishe tepër i qartë për çka the, për të gjithë ata që i kanë shkuar në fund kësaj interviste të veçantë, me mesazhe të mëdha. Edhe diçka e fundit Z.Rrukiqi, çfarë sugjeroni për arsimin në Kosovë dhe Shqipëri? Keni ju një mesazh që dëshironi ta ndani me kolegët tuaj shqiptar?
Që të rrugëtosh drejt nuk mjaftojnë vetëm kompetencat lëndore. Një mësues, që të rrugëtojë drejtë duhet që, në rrugëtimin e tij, të kompletohet edhe me kompetenca sociale, didaktike, komunikuese, metodike dhe udhëheqëse. Mbi të gjitha të ketë fleksibilitetet.
(Intervistoi Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Festat e Nëntorit, format që zgjodhën nxënësit për të treguar dashurinë ndaj atdheut të tyre
Për ty nëna ime, sepse nënat janë frymëzim i jetës