Seria “Më quajnë...” vjen me 4 tituj të rinj
Disa nga personazhet më të famshëm të historisë tregojnë, në vetën e parë, ngjarjet e jetës së tyre. Duke shfletuar këto libra, fëmijët argëtohen dhe mësojnë për jetën e këtyre personazheve që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e njerëzimit.
Ibrahim Kodra, Tefta Tashko, Musine Kokalari dhe Mbreterasha Teutë janë tituj më të rinj që i shtohen serisë “Më quajnë...”. Disa nga personazhet më të famshëm të historisë tregojnë, në vetën e parë, ngjarjet e jetës së tyre. Duke shfletuar këto libra, fëmijët argëtohen dhe mësojnë për jetën e këtyre personazheve që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e njerëzimit.
“Më quajnë... Ibrahim Kodra”
Piktori Ibrahim Kodra lindi në Ishëm të Durrësit më 1918 dhe vdiq më 2006 në Milano, ku jetonte prej më shumë se gjysmë shekulli. Me një krijimtaritë madhe prej gjashtë mijë veprash, ai konsiderohet si një nga modernët më të fuqishëm të piktorëve shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të XX. Në historinë ë artit modern shqiptar e europian, Ibrahim Kodra ishte një nga profilet origjinale më spikatëse që edhe pse jetoi jashtë Shqipërisë, ngjyrat dhe tema shqiptare ishin në thelbin e tij artistik. Bota e njohu si një pararendës të një qytetërimi të ri.
“Më quajnë... Tefta Tashko”
Tefta Tashko Koço (1910 - 1937), kjo bijë e një familjeje atdhetare, ishte ndër të parat soprano shqiptare, që solli muzikën operistike në vendin tonë. Bashkë me një grup artistësh ajo hodhi themelet e muzikës profesioniste shqiptare dhe njëkohësisht u bë një nga interpretueset më të shquara të këngës sonë popullore. Koleksioni i disqeve me këngët e saj është një dëshmi e bukur dashurie e përkushtimi ndaj artit dhe popullit të saj.
“Më quajnë... Musine Kokalari”
Lindi në Adana të Turqisë dhe kaloi fëmijërinë në Gjirokastër, qytetin përrallor, që i dukej sikur fluturonte. Ajo është shkrimtarja e parë shqiptare, që u vlerësua që në fillim për artin e saj me nivel të lartë. Në shkrimet letrare apo ato publicistike ajo vuri në qendër gruan shqiptare tradicionale dhe shpalosi nevojën për emancipimin e vajzave. Ishte një intelektuale demokrate, antifashiste e antikomuniste e shpallur, që besonte te liria e mendimit dhe te liria e artit. Që gjatë Luftës themelon me intelektualë të tjerë Partinë Social-Demokrate. Mbas çlirimit, luftoi politikisht për mbrojtjen e lirive demokratike dhe të pluralizmit politik. Për këtë arsye, regjimi komunist e burgosi në moshën 27-vjeçare. Ajo provoi për 16 vjet tortura të paimagjinueshme në burgjet e diktaturës dhe më pas, në internim, punoi në ndërtim, mes stërmundimit, persekutimit, vetmisë dhe përgjimeve të Sigurimit të Shtetit. Megjithatë nuk e ndërpreu punën për mbledhjen e folklorit, për studime etnografike, gjuhësore etj. Deri në fund, ajo mbeti e papërkulur dhe besnike e artit të saj dhe idealit socialdemokrat.
“Më quajnë... Mbretëreshë Teuta”
Mbretëresha ilire Teuta është një nga figurat më spikatëse të grave në historinë europiane, që kanë drejtuar shtete dhe fuqi të mëdha. Ajo ishte gruaja e mbretit të lavdishëm Agron, i cili vdiq papritur në vitin 231 para erës sonë dhe ishte ajo që mori në dorë fatet e Ilirisë. Shkodra në atë kohë ishte një nga qytetet e dëgjuara në Adriatik e Mesdhe. Me një zgjuarsi dhe kurajë të veçantë, kjo stratege ushtarake i dha një dritë të re qytetërimit ilir. Por, në një luftë të pabarabartë me Senatin Romak, më së fundi ajo pranoi të tërhiqej nga froni, në mënyrë që vendi i saj të mos digjej e shkretohej nga ushtritë e huaja. Populli e mbajti atë të gjallë në këngët dhe legjendat e tij.
Blini online librin që dëshironi duke klikuar në www.librarialbas.al
(Portali Shkollor)
Dhurojuni të vegjëlve tuaj Abetaren mbarëkombëtare!
Libri digjital, Albas prezanton metodologji të mësimdhënies bazuar në TIK
Albas Office përuron librarinë e saj të pestë