Rrëfehet misionari i shqipes në Angli, Lutfi Vata: Libri është pulsi i dijes, mësuesi gjaku që e ushqen atë
Ai është cilësuar si njeriu misionar i ruajtjes së gjuhës shqipe në Londër, duke hapur shkolla të posaçme për fëmijët e emigrantëve shqiptar atje. Këtë herë Lutfi Vata, vjen me një rrëfim ndryshe për kontributin 15 vjeçar.
Lutfi Vata me të drejtë është quajtur misionar i shkollave shqipe në Londër, pasi ai ka rreth 15 vite që kontribuon në përhapjen dhe mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Angli. Gjatë një interviste dhënë për Portalin Shkollor, bie në sy dashuria atdhetare për përhapjen e gjuhës shqipe te të vegjlit trashëgimtar, që rrënjët i kanë te vendi i shqiponjave. Sipas tij: “Fëmijët sot nuk janë një mekanizëm zinxhir por janë një e veçantë personale, e cila duhet ruajtur dhe mbrohet, duke ju dhënë dije dhe duke ju dhënë të drejtën që mendimi i tyre të dëgjohet”. Në këtë intervistë ai ka folur jo vetëm si drejtues i shoqatës Ardhmëria, por edhe si një ish-mësues shqiptar me mesazhe të shumta për ish-kolegët. Për më tepër ju ftojmë të lexoni intervistën e mëposhtme.
Z.Vata ju keni rreth 15 vite që kontribuoni në përhapjen dhe mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Angli. Së fundmi keni hapur një tjetër klasë të re në Londër, ku do të përfshihen fëmijë të grupmoshës 4-5 vjeç. Si po funksionon kjo klasë?
Është klasa e brezave. Kështu e kemi quajtur, pasi prindërit që sjellin fëmijët e grupmoshës 5/15 vjeç, në shkollat tona, kanë edhe fëmijë më të vegjël. Lindi si një aspekt cilësor dhe ndihmesë kjo klasë. Para përgatiten, fokusohen, marrin drejtimin për më vonë të nisin rrugën e mësimit konkret.
Si i përzgjidhni mësuesit? A janë ata shqiptar dhe veçanërisht njohës të mirë të gjuhës shqipe? Çfarë i karakterizon?
Përzgjedhja bëhet duke pasur si bazë dy aspekte: profesionalë dhe motivues. Jo gjithmonë ato janë bashkudhëtare, ndaj ne i nënvizojmë dhe i kërkojmë. E para lidhet me kualifikimin shkollor që ka individi mësues. Kemi midis nesh profesioniste të cilat janë jo vetëm të diplomuara nga universitete shqiptare por edhe nga Anglia, flasim gjithmonë në fushën e arsimit. Kemi profesioniste të gjuhës të cilat kanë një fokusim më të gjerë profesional jo vetëm në gjuhën shqipe për fëmijët e shkollave tona. Mësimdhënia e gjuhës shqipe diplomatëve anglezë, në Ministrinë e Jashtme, rasti i zonjës Aida Haziri. Gazetarja për mediat, e cila shpërndan eksperiencë në tre gjuhë, rasti i zonjës Anila Kadija. Mësuese të tjera që punojnë edhe në sektorin e arsimit anglez si zonjat Diti Gashi dhe Klodiana Gjona. Ndërsa përzgjedhja motivuese ka aspektin e pasionit. Kemi në kolektivin e mësueseve, profesioniste të sapoardhura nga Shqipëria të cilat kanë aq shumë pasion sa nuk e shohin si barrikadë mosnjohjen e Londrës dhe hapat e para në emigracion. Ndër vite shoqata Ardhmëria i përzgjedh mësuesit me kompetencë dhe empati.
Ju vetë keni qenë pjesë e arsimit shqiptar, para se të shpërnguleshit në Londër, si mësues por edhe drejtues i një shkolle. Fare mirë mund të na flisni për dallimet ose të përbashkëtat e të qënurit mësues në Shqipëri dhe në Londër. Cilat janë ato?
Ka të përbashkëta dhe të veçanta. Jemi popuj të ndryshëm në disa aspekte dhe udhëtojmë në një linjë në disa të tjera. E përbashkëta është se në të dyja vendet vendoset parësor qëllimi për t’i edukuar dhe mësuar brezat. Ndërsa, ndryshimi është tek metodika. Këtu lidhet fantazia krijuese me metodikën mësimore. Bëhet e pamundur për të mos i mërzitur fëmijët, për ti stimuluar dhe për ti zhvilluar fantazinë gjuhësore. Ka rregulla mbi mbrojtjen dhe imazhin e tyre që ne dikur as që i mendonim jo më ti zbatonim. Fëmijët sot nuk janë një mekanizëm zinxhir por janë një e veçantë personale, e cila duhet ruajtur dhe mbrohet, duke ju dhënë dije dhe duke ju dhënë të drejtën për ti dëgjuar mendimin e tyre.
Tek cilat metoda bazoheni për mësimdhënien e klasave shqipe në Angli?
Metodikat janë klasike. Bazohemi mbi materialet të cilat vet mësuesit kanë në dispozicion në përpilimin dhe përzgjedhjen e tyre për programin mësimor. Materialet të cilat Shtëpia Botuese për Diasporën na ka ofruar këto dy vitet e fundit nëpërmjet Ambasadës Shqiptare në Londër. Përmend sensibilizimin e madh me të cilin zoti Qirjako Qirko ka drejtim të shkollave tona shqipe në Mbretërinë e Bashkuar. Materiale nga Libri – Doracak i Shkollave të Mësimit Plotësues. Gjithashtu informacione shumë të rëndësishme nga MASHT, kurrikulë e mësimit apo eksperienca të marra nga pjesëmarrja e mësuesve tanë në Seminaret e Gjuhës shqipe, që Ministritë e Arsimit përkatëse të Kosovës dhe të Shqipërisë organizojnë çdo vit, ku publikohet edhe një libër i veçantë. Libër me materialet e seminareve mbarëkombëtare me mësueset dhe mësuesit dhe veprimtarët/et e shkollës së mësimit plotësues në gjuhën shqipe në diasporë. Okazion në të cilin edhe mësueset tona kanë paraqitur temat e tyre dhe janë pritur në veçanti me shumë sukses.
Si janë pritur në tërësi kurset e gjuhës shqipe nga emigrantët në Londër? Sa të interesuar janë shqiptarët për këto shkolla, a e kanë me interes që ta përçojnë gjuhën shqipe te fëmijët e tyre?
Kurset e gjuhës shqipe, nga eksperienca ime personale, priten me shumë interesim. Por Londra është shumë e madhe dhe jo gjithmonë mundemi të organizojmë kurse të tilla në çdo vend ku është edhe kërkesa. Jemi munduar në pika strategjike ku edhe mundësohet qarkullimi nëpërmjet mjeteve të transportit publik. Është shpesh edhe një përshtypje personale, kur një prind ndihet mirë dhe i kënaqur jep sinjal pozitiv tek të tjerët në ambientin e shoqërisë apo familjarëve përreth tij. Kështu interesimi rritet gjithnjë e më shumë. Ne vazhdojmë regjistrime të reja për çdo të shtunë! Çdo aktivitet që bëjmë ka gjithmonë në krahë punën e përbashkët me familjet.
Nga ana tjetër, sa e vështirë është për fëmijët të mësojnë gjuhën tonë shqipe ndërkohë që mësojnë dhe studiojnë edhe në gjuhën e vendit ku jetojnë?
Fëmijët asnjëherë nuk do ta kenë të vështirë nëse gjuha ju flitet sapo lindin, kjo është një e vërtetë pa asnjë diskutim, baza është familja. Por, siç themi ne, nuk është asnjëherë vonë! Kemi eksperienca në shkollat tona me fëmijë që nuk kanë ditur asnjë fjalë dhe janë tani ata që e recitojnë dhe e këndojnë gjuhën tonë të artë. Kanë vështirësi , emocionohen edhe harrojnë vargjet nganjëherë në skenë, por vazhdojnë të mësojnë pasi kjo është detyra jonë. Të mos kenë frikë kur nuk arrijnë diçka pasi ata do të munden gjithmonë duke ju qëndruar ne mbi krye dhe duke i ndihmuar. Gjuhët nuk janë mundim, por pasuri për trurin dhe zemrën e tyre. Kjo e nënës është gjuha më e bukur në botë, ndaj shqip pa u lodhur asnjëherë. Kur ka ndonjë mungesë, mësueset interesohen direkt me prindërit, ju japin edhe mundësinë e një të shtune pushim. Ne i kuptojmë vështirësitë që mund të hasin.
E ndiqni Portalin Shkollor? Nëse po, cila është përshtypja juaj për këtë media shqiptare online dedikuar arsimit? Po ndonjë sugjerim dëshironi ta ndani me ne?
E ndjekim dhe e kemi gjetur shumë interesant. Një sugjerim që mund të ndaj me ju bashkëpunoni me mësueset tona dhe ato do t’ju japin një informacion bazë vërtetë emocionues dhe me eksperiencë fantastike!
Keni një mesazh tuajin për kolegët në Shqipëri, nëse do të na lejoni ta marrim ende në konsideratë profesionin tuaj të vjetër si mësues, veçse si drejtues i shoqatës Ardhmëria?
Libri është pulsi i dijes, mësuesi gjaku që e ushqen atë në çdo faqe të shfletuar nga fëmijët tanë, të bëjmë të pamundurën që brezat ti duan librat. Mision për të cilin natyra na e ka dhuruar këtë privilegj!
(Intervistoi Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Festat e Nëntorit, format që zgjodhën nxënësit për të treguar dashurinë ndaj atdheut të tyre
Për ty nëna ime, sepse nënat janë frymëzim i jetës