Rita Petro: Kriza dhe shkëlqimi i librit në kohë pandemie
Dita Nërkombëtare e Librit - Investimi për librin është investim për njerëz të bukur e të përgjegjshëm, për njerëz mendjehapur, kurajozë e tolerantë. Një qeveri që investon për librin, në radhë të parë ka investuar për vetveten. Lum kush e kupton këtë!
Sivjet na munguan disa aktivitete apo panaire libri. Mbase do të mungojnë dhe disa tituj të mirë të planifikuar për këtë vit, për shkak të krizës së pandemisë.
Por kurrë ndonjëherë libri nuk ka qenë kaq pranë nesh sa në këto kohë izolimi.
Kurrë ndonjëherë nuk kemi prekur kaq libra brenda një dite për t'i lexuar apo për t'u fotografuar me ta. Dhe sa të bukur na bën mdriçimi i librit!.
Kurrë ndonjëherë bibliotekat nuk janë kthyer në pjesë të skenës sonë kur jemi para ekranit.
Kurrë ndonjëherë më shumë se këto ditë shkrimtarët, filozofët e shkencëtarët, por dhe njerëz të tjerë i janë kthyer vetevetes me vetëdijën për të shkruar ndjesitë dhe meditimet e veta në lidhje me dilemat e ekzistencës humane.
Kurrë ndonjëherë ata nuk kanë qenë më pranë lexuesve të vet se këto ditë me zërin e tyre dhe me mesazhet e tyre.
Kurrë ndonjëherë nuk i jemi kthyer filozofëve e shkrimtarëve të mëdhenj të botës (Boccaccio, Camus, Marquez, Shakespeare etj) për të gjetur te ata riciklimin e historisë njerëzore dhe të dramave brenda shpirtit tonë, për të gjetur kuptimin e jetës sonë, temë të cilën e trajton dhe ajo që konsiderohet si vepra e parë e shkruar letrare e botës, "Epi i Gilgameshit".
Nuk jam penduar kurrë për profesionin tim si shkrimtare dhe botuese. Të transmetosh te të tjerët dije dhe t'i pasurosh ata shpirtërisht e mendërisht nuk ka profesion më të bukur. Ndaj këtë ditë feste të librit uroj të gjithë poetët e shkrimtarët, kolegët e mi botues, Gëzuar! E mbi të gjithë uroj lexuesit tanë të nderuar; ata që na kënaqin me vlerësimet e tyre, që na bëjnë të përsosemi me vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.
Libri bashkon mendjet, zemrat, shpirtrat. Libri është dashuri që s'të lë kurrë të ndihesh i vetmuar apo i varfër. Sfida më të mëdha na presin për ta përballuar këtë krizë që të gjithëve po na dëmton materialisht. Por prania e librit kaq pranë nesh këto ditë, na bën të mos heqim dorë kurrë.
Nga: RITA PETRO
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Emmanuelle Favier në Shqipëri, takon lexuesit në stendën e “Albas”
"Fausti" Gëte - lexim i komentuar nga Rita Petro (Pjesa II)
Latif Ajrullai, mësuesi idealist dhe sipërmarrësi vizionar