Arsimi i lartë

Raundi i dytë i regjistrimeve në universitete

Ministria e Arsimit dhe Sportit bën me dije se raundi i dytë vijon me fazat e mëtejshme të uljes së vizës për kandidatët fitues, duke vendosur në dispozicion të gjitha kuotat e mbetura të paplotësuara për çdo program studimi

Raundi i dytë i regjistrimeve është një moment shumë i rëndësishëm për të gjithë maturantët / kandidatët që synojnë të fitojnë të drejtën për të qenë në auditorët e institucionet e arsimit të lartë.

Me anë të kësaj deklarate Ministria e Arsimit dhe Sportit iu bën thirrje të gjithë maturantëve që të regjistrohen në raundin e dytë të pranimeve në programet e studimit.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, në funksion të këtij procesi ka vënë në përdorim një program të kompjuterizuar që është i lidhur me të gjitha sekretaritë e njësive kryesore ku bëhen regjistrimet. Çdo përditësim lidhur me regjistrimet e kandidatëve do të bëhet në kohë reale.

Kjo do të lejojë edhe kontrollin në kohë reale të veprimeve të kryera nga të gjithë kandidatët në programet e ndryshme të studimit.

Nisur nga fakti se preferencat tuaja janë shprehur përmes aplikimeve me shumë alternativa, shanset për të fituar janë mjaft të gjera. Do të ketë kandidatë që do të fitojnë më shumë se një alternativë duke bllokuar më shumë kuota.

Ministria e Arsimit dhe Sportit bën me dije se raundi i dytë vijon me fazat e mëtejshme të uljes së vizës për kandidatët fitues, duke vendosur në dispozicion të gjitha kuotat e mbetura të paplotësuara për çdo program studimi, deri në plotësimin e të gjitha këtyre kuotave nga kandidatët e rankuar në listën përfundimtare të shpallur më datë 12 tetor 2016 nga institucionet e arsimit të lartë. Pra, nuk do të ketë kuota të paplotësuara në të gjitha ato programe ku ka kandidatë të rankuar në lista.

Për të siguruar një informim sa më të plotë të studentit për mundësitë e regjistrimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka përgatitur një program të informatizuar që i mundëson çdo kandidati të verifikojë në kohë reale mundësitë që ai ka për t’u regjistruar në raundin e dytë, por jo vetëm, edhe mundësitë që do të ketë në fazën e mëpasme të uljes së vizës, po në kohë reale, që gjatë raundit të dytë. Kështu, ju mund të zgjidhni të regjistroheni në ato programe ku rezultoni fitues gjatë fazës së dytë apo në ato që ju shfaqen si mundësi që në raundin e dytë, por që mund të regjistroheni gjatë zbritjes së vizës. Nëse ju zgjidhni këtë të fundit, humbisni mundësinë për t’u regjistruar në programet ku ishit fitues gjatë raundit të dytë, duke liruar vendet për kandidatët e tjerë që presin uljen e vizës. 

Kandidatët që nuk janë shpallur fitues në këtë raund duhet të presin fazat pasardhëse, pasi për regjistrimet në përfundim të çdo faze mundësitë shfaqen në fazën e mëpasme, në fillim të saj, si dhe gjatë regjistrimeve në kohë reale më pas. Ulja e vizës së fituesit të fundit do të bëhet pas mbylljes së procesit të regjistrimeve për raundin e dytë, më datë 16 tetor 2016 dhe do të pasohet nga dy nënfaza të tjera 2-ditore, gjatë të cilave do të plotësohen të gjitha kuotat e mbetura pa plotësuar. 

2,346 Lexime
8 vjet më parë