Radioamatorizmi, sporti i rrallë dhe kampionët
Drini Dervishi, mësuesi në gjimnazin “Vasil Kamami” ka formuar ekipin e ri të radioamatorëve elbasanas i cili përbëhet nga 10 djem e vajza të cilët kanë kaluar testin e AKEP dhe kanë tashmë certifikatën e kodit Mors.
Fizika dhe radioamatorizmi janë dy pasionet e Drinit. Ndërsa vazhdon profesionin e mësuesit në gjimnazin “Vasil Kamami”, Drini Dervishi ka ngritur tashmë ekipin e ri të radioamatorëve elbasanas. 10 djem e vajza kanë kaluar testin e AKEP dhe kanë tashmë certifikatën e kodit Mors. Shpejtësia e transmetimit nëpërmjet kodit Mors është pak e njohur, por ka qenë mjaft i përhapur gjatë periudhës së komunizmit. Drini mban vendin e 11 në botë si radioamator, dhe është renditur ndër 50 sportistët më të mirë në Shqipëri për vitin 2015 dhe 2016.
“Kam filluar të merrem me radioamatorizëm qysh në moshën 10 vjeçare. Në atë kohë funksiononte shumë mirë ky sport, madje ekipi i femrave ka dalë shumë herë fitues në kampionatin kombëtar. Kam 37 vjet që merrem me radioamatorizëm dhe nuk do të ndalem pasi ky lloj sporti, ndryshe nga shumë të tjerë, mund të vazhdojë gjatë gjithë jetës”.
Në një prej kompeticioneve botërore, të zhvilluar në shtator 2015 në Ohër të Maqedonisë, Drini Dervishi u rendit i 11-ti në botë, në marrje me kufje me gërma e shifra të sistemit ZEUS.
“Jemi duke u përgatitur për kampionatin botëror që do të zhvillohet në Hungari në shtator. Sigurisht që do të marrin pjesë ata sportistë që kapin normat e botërorit, në aktivitetin që do të organizojë Federata në verë. Shumë prej të rinjve që e kanë marrë certifikimin e parë nga AKEP, po kërkojnë edhe mbështetje, pasi pjesëmarrja është gati private, duke mos u trajtuar si të gjitha sportet e tjera individuale. Në shkollën e mesme “Vasil Kamami” nga shtatori 2016 ka një organizim dhe një vëmendje tjetër për këtë sport, në kuadër të programit “Shkolla, qendër komunitare””.
Kabineti i fizikës po shfrytëzohet edhe për përgatitjen e radioamatorëve të rinj, që e kanë marrë shumë seriozisht këtë sport, gati të panjohur për të rinjtë.
Me zhvillimin e teknologjisë, radioamatorizmi është harruar, por sipas Drinit ai do të vlejë gjithmonë, jo vetëm si sport por edhe në shërbim të emergjencave civile.
“Sporti i radioamatorizmit i shërben jo vetëm pasionit të shumë njerëzve, por është zgjidhje edhe në raste emergjencave civile kur mungon energjia elektrike apo interneti. Mund të marrim shembuj edhe në kohët e sotme se si radioamatorët kanë shërbyer në raste fatkeqësish natyrore. Kështu në Itali pas tërmetit, radioamatorët shërbyen për të komunikuar dhe sollën ndërhyrjen e shpejtë për shumë raste emergjencash."
Pak histori
Radioamatorizmi në Shqipëri u krijua në vitin 1952 si pjesë e shoqatës së shumë sporteve. Deri në vitin 1991 ky pasion zhvillohej në ambiente të mbyllura. Transmetimi bëhej me taste vertikale me 19-21 grupe në minutë në shifra dhe 26 grupe në minutë germa. Ndërkohë në marrje me kufje 42 grupe në minutë për shifrat, dhe 32 grupe në minutë për germë dhe fjalë të hapura.
Gjatë periudhës së komunizmit ky sport u zhvillua në mënyrë të izoluar dhe pa asnjë kontakt me botën. Vetëm në vitin 1990, ish presidenti i federatës së radioamatorizmit Myftar Fana, dhe trajneri i Elbasanit Fatos Demeti, këmbyen për herë të parë eksperiencën me Federatën Hungareze të Radioamatorizmit. Për shumë vite u la disi në harresë dhe së fundi radioamatorët shqiptarë po marrin pjesë në shumë aktivitete ndërkombëtare, ku kanë zënë edhe vende shumë të mira në renditje.
(Bardha Ndregjoni)
Ceremonia e ndarjes së “Medaljeve të Arta” për 188 maturantë, Manastirliu: 80% e ekselentëve studiojnë në universitetet shqiptare
Pasurimi i bibliotekave shkollore, Manastirliu: Mbi 20 mijë libra për nxënësit në gjithë vendin
Dita e Diasporës, Manastirliu: Nis nga Janari programi “Mësues për Greqinë”, mbështetje financiare për mësuesit e diasporës