Qartësime mbi risitë e dhënies në një ditë të provimit të licencës dhe të portalit
Shumë nga ju janë ende të paqartë se “kur” dhe mbi të gjitha “si” do të zhvillohen në një ditë provimi i licencës dhe ai i portalit. Artikulli më poshtë vjen si një paraqitje e të dhënave se çfarë dihet deri më tani për këtë risi, ende pa dalë udhëzimi zyrtar i procedurave të reja.
Nga eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku
Ministrja e Arsimit pak ditë më para nga Qendra e Shërbimeve Arsimore deklaroi se do të lehtësojnë procedurat e testimit të kandidatëve që dëshirojnë të jenë pjesë e Portalit “Mësues për Shqipërinë”. Ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë aplikantët të cilët gjatë muajit maj e qershor 2024, do të japin provimin e shtetit për të përfituar licencën për ushtrimin e profesionit të mësuesit në sistemin parauniversitar.
Të gjithë kandidatët që rezultojnë kalues në testin për përfitimin e licencës, nëse dëshirojnë mund të realizojnë, në të njëjtën ditë edhe pjesën e përgjithshme të testimit për provimin e portalit “Mësues për Shqipërinë” 2024.
Në këtë mënyrë rreth 3500 kandidatë të provimit të shtetit për 24 profile mund të kursejnë kohë dhe të zhvillojnë të dy testet brenda një dite. Ndërkohë që edhe provimet për pjesën tjetër të kandidatëve do të zhvillohen në një kohë më të shkurtër. Nga të dhënat historike të viteve të kaluara kanë qenë rreth 6500-7000 aplikantë që i janë nënshtruar testimit. Në këtë mënyrë zbutet edhe presioni ndaj komisioneve të vlerësimit të dosjeve (KVD) pranë DRAP apo ZVAP, pasi në këtë rast volumi i punës, ulet me rreth 50%.
Edhe pse ende nuk ka një udhëzim të zbardhur për mënyrën e testimit, vlerësimit dhe të regjistrimit të kandidatëve për të marrë pjesë edhe në portal, ministrja ka cituar se ky provim do të ketë 20 pyetje dhe do të zgjasë 30 minuta. Pyetjet e pjesës së dytë lidhen me didaktikën, pedagogjinë, pjesën e metodologjisë dhe drejtshkrimin.
Nuk është e qartë ende se si do të konvertohen pikët e grumbulluara për të dyja pjesët e testit pasi 100 pikë i ka pjesa e testit të licencës dhe 70 pikë pjesa e dytë, për pjesën e Portalit.
Nisur nga përvoja e viteve të kaluara procesi i aplikimit për të marrë pjesë në testimin “Mësues për Shqipërinë”, do të kryhet gjatë muajit qershor dhe në Korrik-Gusht, testimet për kandidatët që janë licencuar në vitet e mëparshme, kandidatët që janë në sistem dhe dëshirojnë të jenë në listat e portalit, për të kryer lëvizje paralele gjatë vitit apo ata që dëshirojnë të mbartin pikët e testit e të dosjes nga viti i kaluar. Në këtë rast aplikantët do të vlerësohen me një test të përgjithshëm, duke përfshirë pjesën shkencore dhe pjesën e përgjithshme.
Nën dritën e këtyre deklarimeve mbetemi në pritje të zbardhjes së udhëzimeve përkatëse nga ana Ministrisë së Arsimit për mënyrën e vlerësimit të kandidatëve konvertimit të pikëve dhe renditjen e tyre në një listë të përbashkët.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Ceremonia e ndarjes së “Medaljeve të Arta” për 188 maturantë, Manastirliu: 80% e ekselentëve studiojnë në universitetet shqiptare
Dita e Diasporës, Manastirliu: Nis nga Janari programi “Mësues për Greqinë”, mbështetje financiare për mësuesit e diasporës
Pasurimi i bibliotekave shkollore, Manastirliu: Mbi 20 mijë libra për nxënësit në gjithë vendin