Reflektim

Psikologia Denata Toçe: Bashkëpunimi me mësuesit ndihmës ndihmon në suksesin e fëmijëve me aftësi ndryshe

Mësuesit ndihmës janë ndër specialistët që meritojnë mbështetjen dhe kujdesin maksimal si profesional ashtu edhe social, për të sjellë rezultate sa më të dobishme në lehtësimin e procesin të edukimit të fëmijëve në vështirësi, por edhe për komunitetin për të qenë pjesë funksionale e arsimit gjithëpërfshirës.

Nga Denata Toçe

Psikologe këshillimi dhe Analiste e sjelljes BCBA


Të dashur prindër, mësues dhe nxënës,


Fillimi i vitit shkollor është një moment emocionues dhe sfidues për vogëlushët dhe prindërit, veçanërisht për fëmijët me vështirësi si në zhvillimin e tyre ashtu edhe në fushën psikologjike apo emocionale. Si psikologe dhe analiste e sjelljes, dëshiroj t'ju inkurajoj dhe mbështes gjatë këtij udhëtimi të rëndësishëm. Çdo fëmijë është unik dhe sjell me vete aftësi dhe potencial të veçantë, pavarësisht vështirësive që mund të përballen.


E rëndësishme është të besoni në aftësitë e tyre dhe të krijoni një mjedis mbështetës dhe pozitiv. Çdo hap i vogël përpara është një arritje e madhe. Shkolla është një hapësirë për të mësuar, jo vetëm njohuritë akademike, por edhe aftësitë sociale dhe emocionale që do të ndihmojnë në rritjen dhe zhvillimin e tyre të mëtejshëm. 


Ndihma nëpërmjet specialistëve të cilët i trajtojnë këta fëmijë, është një mbështetje e pashoqë për të ndihmuar gjatë gjithë procesit të edukimit. Është i domosdoshëm për të lehtësuar procesin për fëmijën në vështirësi por edhe për komunitetin e fëmijëve të tjerë për të qenë pjesë funksionale e arsimit gjithëpërfshirës. Këta specialistë, pjesë e të cilëve janë edhe mësuesit mbështetës, janë aty për të çuar përpara këtë mision dhe meritojnë mbështetjen dhe kujdesin maksimal si profesional ashtu edhe social, për të sjellë rezultate sa më të dobishme. 


Mos harroni, çdo fëmijë zhvillohet me ritmin e vet dhe është thelbësore që të fokusoheni në përparimin individual, jo në krahasimin me të tjerët. Lidhja e ngushtë me mësuesit, bashkëpunimi dhe mbështetja e vazhdueshme do të ndihmojnë që ky vit shkollor të jetë i suksesshëm për të gjithë.


Me shumë dashuri dhe mbështetje! 




Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,059 Lexime
2 muaj më parë