Provimi i gjuhë-letërsisë, maturantët shprehen të zhgënjyer: Teza ishte absurde, hodhi poshtë mundin tonë
Maturantët duket se kanë dalë të zhgënjyer nga provimi i detyruar i gjuhës dhe i letërsisë. Sipas tyre ky provim ishte i një shkalle vështirësie shumë të madhe dhe se nuk përngjante me asnjë format të publikuar më parë, në një kohë që nga MASR u tha se këtë vit do të kishte thjeshtëzime.
Nga Ministria e Arsimit u tha se testet e provimit të kësaj mature do të ishin të një shkalle më të thjesht vështirësie prej situatave të papritura në vend, siç qe tërmeti dhe pandemia, prej të cilave dhe mësimi nuk u zhvillua në mënyrë normale. Por maturantët sot janë shprehur se testi i gjuhës shqipe dhe i letërsisë jo vetëm që nuk ishte i ngjashëm me testin e publikuar një javë më parë nga QSHA, por se ai ishte i një formati krejtësisht të ri, që nuk ka qenë aplikuar as vitet e shkuara. Sipas maturantëve në test kishte dy vepra në vargje, ndërkohë ata janë shprehur se përgjigjet e testit nuk iu rezultojnë në librat që kanë mësuar prej tri viteve të gjimnazit.
Ne sot kemi marrë mendimet e tyre, pak pasi ata dhanë këtë provim të detyruar të Maturës Shtetërore.
Ja si janë shprehur ata konkretisht:
Arlind Devole, maturant te shkolla “Qemal Stafa”
Me plot kuptimin e fjalës testi ishte absurd. Të thuash i vështirë është gjë tjetër pasi ne ishim përgatitur për çdo gjë, por jo për këtë lloj provimi. Struktura ishte shumë e shpërndarë me pyetje që kalonin sa nga njëra fushë në tjetrën në mënyrë drastike. Në disa raste ndesheshe me pyetje të tilla si: Cila është fjalia që ju mendoni se i përshtatet më mirë vazhdimit të tekstit? (Ku çdokush mund të zgjidhte kë përgjigje të dëshironte). Nga ana tjetër madje duhej të bënim interpretim fotoje apo të caktonim fatet e personazheve. Në letërsi nga ana tjetër u thye çdo rregull ku u dhanë dy vepra në vargje, gjë që nuk kishte ndodhur më parë. E për më tepër Lasgushi dhe Homeri, sikur të kishim porositur që me rastin e pandemisë të na i vështirësonin sa më shumë gjërat! Thjesht nuk e di më se çfarë kërkojnë të përcjellin me këtë lloj testi...? Bravo ju lumtë!
Frenki Çipi, maturante te shkolla “Qemal Stafa”
Shkurtimisht, dua të them se Provimi Shtetëror i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë që zhvilluam sot doli jashtë pritshmërive tona. Testi jo vetëm që nuk ishte i një shkalle më të thjeshtë vështirësie, siç pretendoi Ministria e Arsimit se do të ishte, por nuk ishte i ngjashëm as me Testin Model të publikuar një javë më parë nga QSHA. Një test i tillë, i një vështirësie të lartë, krahasuar me testet e viteve më parë, por edhe me modelin e punuar në konsultime, hedh poshtë të gjithë mundin tonë dhe të mësuesve tanë gjatë kësaj periudhë të vështirë. Në kushtet në të cilat ne u ndodhëm, bëmë maksimumin për t’u ndjerë mjaftueshëm të përgatitur për këto provime të rëndësishme. Me përkrahjen e mësuesve dhe motivimin që na jepnin çdo ditë menduam se ishim gati përballë kësaj sfide vendimtare për të ardhmet tona. Si mund të prononcohesh se do të thjestësojmë testin dhe të vendosësh në provim dy tekste në vargje (ndryshe nga çdo hartim tjetër testi), ku njëra prej tyre ishte e L.Poradecit, një prej autorëve më të vështirë për t’u zbërthyer?!
Borana Sulo, maturante tek shkolla “Qemal Stafa”
Provimi as nuk i afrohej asaj çka ne prisnim. Mënyra sesi ishte strukturuar nuk i ngjasonte as modelit që na ishte prezantuar nga QSHA dhe aq me pak provimeve të viteve e të kaluara. Mbase po përpiqeshin të kompensonin faktin që provimi me alternativa "supozohet" të jetë më i lehtë dhe prandaj vendosën vepra të tilla, por duke mos marrë tamam parasysh shkallën e vështirësisë që një autor si Lasgush Poradeci ka. Ishte i një niveli mbi mesatar dhe mund të them me siguri të plotë që rezultatet kanë për të pezulluar shumicën prej nesh.
Nina Ahmetaj, maturane te shkolla “Qemal Stafa”
Testi nuk ishte aspak siç e prisnim. Dihet që gjuha dhe letërsia nuk kanë qenë asnjëherë test i thjeshtë (madje ka qenë më penalizuesi), por dhe në kushte të tilla të hartohet në mënyrë të tillë, na duket shumë e çuditshme. Pjesa e gjuhës nuk i përmbahej aspak testit model që nxori QSHA dhe kishte pyetje që të hanin vërtetë kohë, (çdo pyetje me nga një paragraf për të lexuar) kur në fakt në gjimnaz edhe pse gjuha është lëndë më vete prej disa vitesh, nuk merren të gjitha konceptet aq të zgjeruara. Për sa i përket letërsisë, u habitem shumë kur pamë Lasgushin dhe Iliadën e Homerit. Jemi të vetedijshëm që nuk ka ligj që një vepër që ra vjet ose që ra te modeli nuk mund të bjerë në provim, por të bien dy vepra në vargje ishte pak befasuese, kur dinim që do kishte një prozë dhe një vepër në vargje.
K.Ç, maturantë shkolla “Petro Nini Luarasi”
Kishte disa probleme me këtë test, sepse nuk ishte i njëjti format me testet provë, që ka nxjerrë dhe QSHA. Shkalla e vështirësisë ishte mbi mesataren. Kishte shumë pyetje që shumë prej nesh i quajnë të pakuptimta: pyetje të paqarta dhe alternativat ishin jo fortë të kuptueshme, ose që nuk kishin lidhje. Teza pati dy vepra në vargje. Jam nxënës ekselentë por ndihem i zhgënjyer edhe i demoralizuar për provimet e tjera. Shpresoj të mos bie më poshtë se nota 8-të në provim, jam pa fjalë....
Maturant nga shkolla “Ernest Koliqi”
Dua të them dy gjëra për provimin e letërsisë. E para është që, në një provim që u tha se do të ishte lehtësuar s’mund të vesh një nga autorët më të vështirë (personalisht më i vështiri), Lasgush Poradeci. E dyta, pash disa që po komentonin për faktin që janë dhënë dy poezi, teknikisht po, por po ashtu dhe jo, sepse “Iliada” nuk konsiderohet poezi e plotë, më shumë futet në kategorinë e prozës. Më pas pjesa e Gjuhës Shqipe ishte ajo çka përmbante problemet kryesore. Problemi im dhe i shumë maturantëve ishte se struktura e testit ishte komplet e ndryshuar nga ajo çka na është dhënë dhe thënë. Ne jemi udhëzuar se provimi do të ishte me dy pjesë, gjuha dhe letërsia ku secila do të kishte dy tekste letrare dhe joletrare përkatësisht. Kjo gjë realisht nuk ishte zbatuar. Një tjetër problem është teksti që fliste për Sarandën i cili, duke u konsultuar me disa maturantë të tjerë dhe persona të kësaj fushe, shkurtimisht nuk ngjante shqip fare, por si një përkthim i dobët dhe i turpshëm. Gjithashtu pyetjet te Gjuha ishin praktikisht të "lodhura" mbasi një prej tyre ishte "Përshkruaj mesazhin e kësaj fotoje", ndonëse pyetje e thjeshtë ka dy probleme, çdo person e percepton në mënyrën e vetë dhe s’jam në test gazetarie, por Gjuhe Shqipe. Për ta përfunduar shkalla e vështirësisë ishte mbi mesatare te letërsia ndërsa gjuha ishte e mikësuar duke kaluar nga gjëra bazike te gjëra që shumë nxënës kanë hasur vështirësi.
Maria Ceni, shkolla “Qemal Stafa”
Unë nuk e di se kush e ka hartuar këtë test, por mendoj që duhet të ishte marrë parasysh më tepër testi provë i bërë nga QSHA dhe jo të përdorej një strukturë e panjohur nga ne. Gjithmonë në teste ka qëlluar një pjesë letrare nga një autor i huaj dhe një pjesë letrare nga një autor shqiptar. Duke ndjekur fjalët e ministres apo prononcimeve nga Qendra e Shërbimit Arsimor, të cilët thanë se niveli i testit do të jetë mesatar dhe pak më i thjeshtë, për të na favorizuar sado pak (ashtu siç u premtua), u përgatitëm për një test ndryshe. Me pyetje me “tentativa”, pasi pyetjet e testit së bashku me alternativat përkatëse (tepër të ngjashme me njëra-tjetrën) ishin thika me dy presa. Në test ishte një poezi e Lasgush Poradecit (një autor shqiptar me një gjuhë të pasur stilistike dhe simbolike) dhe një pjesë nga Iliada (pjesë e mitologjisë greke). Veprat nga autoret janë ato të cilat në një mënyrë apo një tjetër cilësojnë nivelin e vështirësisë së testit, i cili e përseris ishte mbi mesatare. Shpresoj që të paktën për provimet e tjera niveli i vështirësisë të mos jetë i tillë… dhe për brezat e tjerë të mos zhvillohen teste të strukturuara në mënyrë të tillë!
E. M, shkolla “Muharrem Çollaku”
Provimi ishte i vështirë dhe i ngarkuar gjithashtu alternativat ishin shumë të përafërta ndërkohë që nga ana tjetër disa pyetje kërkonin përgjigje rreth mendimit tone. Disa pyetje kërkonin mendimin tonë duke zgjedhur një nga temat e përfshira në përgjigje ndërkohë që nxënës të ndryshëm kanë mendime të ndryshme pra përderisa shprehja e mendimit nuk ishte me shkrim atëherë se dimë se si për skanerin është alternativa e duhur.
Përgatiti: Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Të drejtat dhe detyrat e nxënësve, mësuesve e prindërve
Hartimi i projektit kurrikular
Udhëzuesi i përditësuar për mësimin në kushtet e shtëpisë