Propozime për rishpërndarjen e kohës së punës dhe pushimit në arsim
Shkrimi shqyrton kalendarin e pushimeve për vitin 2024, duke theksuar se punonjësit e administratës mund të kenë deri 125 ditë pushimi. Fiqiri Çifliku sugjeron rishpërndarjen e kohës së punës dhe pushimit, për një punë më efektive dhe më shumë kohë me familjen, duke përfshirë ndryshime në sistemin arsimor.
Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
Kalendari i festave zyrtare për vitin 2024 ka plot 16 ditë pushimi të paguar. Nëse i shtojmë edhe faktin se në rastet kur festa apo festat zyrtare bie/bien në ditën apo ditët e pushimit javor (e shtunë dhe/ose e diel), atëherë pushimi shtyhet në ditën apo ditët pasardhëse të punës (e hënë dhe e martë). Për këtë arsye pushim kanë qenë edhe datat 1 prill 2024, 6 maj 2024, 17 qershor 2024 dhe 9 dhjetor. Pra gjatë vitit 2024 kemi gëzuar plot 20 ditë pushimi për shkak të festave.
Nëse i shtojmë edhe 105 ditë, të shtuna dhe të diela, që janë pushim javor, shkojnë diku tek 125 ditë pushimi në vit. Nëse i shtojmë edhe pushimet vjetore sipas Kodit të Punës, të ndryshuar, 30 ditë kalendarike dhe në rastin më të mirë pa asnjë ditë raport mjekësor, rezulton që një punonjës i administratës publike të ketë rreth 5 muaj pushime ose 40 % të vitit kalendarik.
A duhet të jetë kështu, apo mos vallë po abuzojmë me veten, me financat e shtetit dhe me ekuilibrin e veprimtarive të punës?
Ndoshta ka ardhur momenti të marrim disa masa për ta ndryshuar situatën duke menduar për të punuar më pak gjatë ditës e duke shtuar ditët efektive të punës, për të ruajtur 40 orë punë në javë.
Pra të punojmë 6 ditë nga 6.40 minuta , duke besuar se do të jetë punë më efektive sesa puna një ditë më të gjatë me 8 orë e 30 minuta.
Pra në këtë mënyrë mund të bëjmë një rishpërndarje të kohës së punës dhe pushimit gjatë gjithë vitit. Nuk po pretendoj që java të ketë 36 orë pune, të ndara në 6 ditë, kjo do të ishte ideale dhe mjaft produktive. Në këtë pikë do ta lidh edhe me shkollën dhe marrëdhënien që duhet të sigurojmë midis prindërve dhe fëmijëve, për të kaluar sa më shumë kohë së bashku.
Nga njëra anë shkolla duhet të zgjasë kohën e qëndrimit në mjediset e saj, duke e plotësuar me veprimtari edukative, të paktën deri në orën 15.00. E shoh të arsyeshme që edhe e shtuna të ishte ditë mësimi pasi jep mundësinë për të ndarë ngarkesën ditore të punës me mësimdhënien dhe krijimin e hapësirave për veprimtari edukative.
Nga ana tjetër e koordinuar me shkurtimin e kohës së punës për punonjësit, prindërit i marrin në dorëzim menjëherë fëmijët duke i larguar nga pajisjet inteligjente të teknologjisë duke zvogëluar risku ndaj ekspozimit të tyre me aspekte të rrezikshme të transmetimit të materialeve të papërshtatshme në rrjete.
Sigurisht këto ndryshime do të kërkonin dhe ndërhyrje të rëndësishme për organizimi e fuqisë punëtore në shkolla dhe ri konceptimin e detyrave për secilin prej tyre. Kur them dita e shtunë mësim, nuk them se duhet të ndryshojë koha e punës së mësuesit, ajo nuk duhet të ndryshojë. Thjesht kërkohet të përdoren me efikasitet të gjitha burimet njerëzore që sot kemi në sistem duke filluar nga studentët që kryejnë praktikën shkollore gjatë arsimit të lartë, praktika profesionale për licencim, mësuesit ndihmës, punonjësit e SHPS, oficerët e sigurisë dhe moria e koordinatorëve. Të gjithë duhet të jenë në funksion të nxënësve, për të siguruar mirëqenie dhe cilësi në arsim.
Në këtë kontekst duhet të vijojmë të punojmë fortë me inteligjencën artificiale duke e përdorur atë për të zhvilluar dijet, ndërkohë që mësuesit punojnë për të edukuar nxënësit gjatë kohës së qëndrimit në shkollë.
Çdo arnë apo ndryshim i pozicioneve të mobilieve në shtëpi nuk do të sjellë asgjë të re thjesht do të zgjasë agoninë e shoqërisë. Sot është koha të veprojmë me guxim për të mos u ankuar sa herë që na ndodhin ngjarje.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Hartimi i projektit kurrikular
Të drejtat dhe detyrat e nxënësve, mësuesve e prindërve
Sugjerime për përmirësimin e udhëzimit mbi ndalimin e telefonave celularë në mjediset shkollore