Promovimi i dy veprave të reja “Dritëhijet, fatet” dhe “Katër burrat” në mjediset e Shtëpisë Kadare
Mbrëmjet që mbledhin të rinjtë për të biseduar rreth librave janë aq magjike dhe të frytshme. Larg banaliteteve të ditës, kjo është kohë e kaluar në mënyrë cilësore. Le t’ju çojmë pak tani virtualisht në një promovim tepër interesant, që u zhvillua këtë javë në Shtëpinë Muze “Kadare” në kryeqytet.
Këtë javë, në mjediset e Shtëpisë-Muze “Kadare” u zhvillua një takim letrar me dy autoret e reja, Xhoana Jakun dhe Xhentiana Muskaj, të cilat prezantuan para të pranishmëve dy botimet e tyre: “Dritëhijet, fatet” dhe “Katër Burra”. Shtëpia “Kadare” hap dyert për të gjithë autorët e rinj, për t’i ndihmuar ata të shfaqin lirshëm krijimtaritë letrare.
Mbrëmja vijoi me diskutime dhe pyetje mbi tematikat e librave, nuk mungonte humori dhe ngrohtësia e të pranishmëve. Redaktorja e të dyja veprave, Sevi Lami Agolli, ndau me të pranishmit rrugëtimin dhe bashkëpunimin me dy autoret. Pasi foli veç e veç për të dyja veprat, ajo evidentoi dhe pikëtakimet dhe dallimet mes dy veprave. Autoret secila foli mbi librin e saj, mbi stilin e saj, kohën që i është dashur për këtë vepër, mesazhin që përcjellin ato dhe pritshmëritë e tyre për këto vepra.
Një ndër temat interesante në këtë takim ishte se, thuajse çdo ditë dëgjojmë dhe lexojmë kritika të shumta për të rinjtë, të cilët duket se nuk trumbetojnë vlera për shoqërinë që do donim. E teksa jemi duke kritikuar, përpiqemi gati-gati si me lupë të kërkojmë të rinjtë që bëjnë përpjekjen e tyre të mirë dhe japin kontribut. Por kur i kemi para, i shohim, çfarë bëjmë? Në letërsi për shembull është krijuar stigma se një autor i ri në botim nuk mund të jetë kurrë si një autor i vjetër! E kështu, PO ne i biem të mirës me një shkelm paragjykues! Por kjo është një panoramë përgjithësuese e lexuesve...Ata, të vërtetët, që humbin mes rreshtash të librave, e njohin, nuhasin cilësinë dhe dinë të vlerësojnë pa përjashtime një autor apo një tjetër...
Të pranishmit, të rinj në moshë, por lexues të vjetër ishin futur në lëmin njerëzor e filozofik të romaneve duke folur mbi ta me plot pasion e duke u drejtuar autoreve pyetje të shumta. Nuk do të mjaftonte ky artikull, për t’ua sjellë të plotë shtjellimin e tyre, por le të ndalemi pak më poshtë te nxitja për të lexuar secilin roman, se çfarë trajtohet në to.
Xhoana Jakun dhe Xhentiana Muskajn i karakterizonte një modesti fisnike prej autoresh që gjendeshin për herë të parë para lexuesve, por veprat e tyre pastaj “flisnin” krejt të kundërtën...
“Dritëhijet, fatet” nga Xhoana Jaku
Ky vëllim i titulluar “Fatet” është vëllimi i parë i serisë “Dritëhijet”. Në këtë libër gjendet vetëm njeriu si qenie e avancuar, i cili ndërvepron me mjedisin e jashtëm. Ngjarjet në këtë libër zhvillohen në mjedise të ndryshme, herë të vërteta dhe herë imagjinare, por gjithnjë të ndërtuara me ngjyrat njerëzore. Realiteti utopik është i ndërtuar mbi hipotezat dhe teoritë e njohura shkencore. Ndërtimi i një pakice njerëzish me përparësi ndryshe shënon etapën e parë të ecurisë eksperimentale, për të nisur një udhëtim të ri ndryshe nga sa jemi mësuar të përjetojmë, ku dy histori zhvillohen paralelisht, thuajse pa u puqur në një plan.
Në njërën histori kemi nuanca të realitetit tonë, ndërkohë në historinë tjetër kemi një komunitet që na vjen ndryshe nga sa jemi mësuar të njohim.Përdorimi i nocionit “hije” shoqëron veprimet, mendimet dhe sjelljet e secilit personazh. Hijet janë të panjohurat dhe traumat. Hijet janë emocionet. Hijet janë edhe shtatë letrat e shpërndara mes kapitujve të librit. Letrat janë produkt i vrojtimit të botës përmes lenteve të emocioneve dhe frekuencës së ngjyrave. Sa hije kanë personazhet? Si e përcaktojnë kuptimësinë e jetës emocionet dhe hijet? A flet subkoshienca gjuhën e hijeve?
“Bazuar në këto shembuj, e gjej veten dhe sot. Në krijimin e herëpashershëm të një tabloje ku takohen fusha reale, si shkenca, dhe ato të krijuar nga fantazia. E kam të pashmangshme t’u ndahem dualizmave jetësorë, ndaj e gjej veten të pakah.”- tha autorja Xhoana Jaku, e cila u shpall fituese e Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj për vitin 2022, me motivacionin për romanin e zhanrit fanta-shkencë “Dritëhijet, fatet”, me një fantazi të çlirët dhe rrëfim shumështresor, të shprehura përmes një zhanri pak të lëvruar në letërsinë tonë.
“Katër burrat” nga Xhentiana Muskaj
Me nota shumë të forta feminizmi "Katër Burra" në dukje lë përshtypje se u dedikohet grave dhe vajzave. Por jo. U dedikohet gjurmëve që një individ njerëzor lë tek një individ tjetër njerëzor. Ndaj dhe shumë pak personazhe kanë emra, që lexuesi të gjej individët që kanë lënë gjurmë te ai.
Dorëshkrimi “Katër burra” i autores Xhentiana Muskaj u vlerësua si vepra më e mirë në prozë e paraqitur në konkursin “Fjalë grash”, i zhvilluar nga Shtëpia Botuese “Albas”, me motivacionin: për rrëfimin origjinal dhe modern; për lojën psikologjike dhe gjuhën mjaft të pasur.
Ky roman psikologjik nis me një dilemë, zgjidhja e së cilës na fut në një labirint psikologjik për ta zgjidhur. Cilët janë këta burra dhe çfarë ndikimi kanë ata te rrëfyesi pa emër dhe shpeshherë pa gjini?
“Ata nuk janë katër, janë më shumë se katër. Dy nuk jetojnë më, me dy e lidh gjaku, një e ka lënduar më shumë dhe një më pak dhe një e bën të qesh. Po t’i bësh llogaritë dalin se janë shtatë burra, por u bënë katër. Dhe është edhe një dikush tjetër mes shtatë burrave që u bënë katër. Diku rrëfen askushi dhe diku rrëfen dikushi, që është mes shtatë burrave të bërë katër. Ata kanë ndikim në veprime, pasoja dhe vendime. Dhe në fund mbetet vetëm një dhe nuk është burrë” - tha autorja e tij Xhentiana Muskaj.
Përgatiti Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Intervistë me Ermal Hasimja: “E shkuar e pakryer”, një histori përballë dhimbjes, kujtesës dhe përpjekjes për të mos harruar
Festivali i Poezisë së Pabotueme
Shoku im Maksi