Aktualitet

Plagosja me thikë e nxënësit në Fier/ Mjekët: Ka marrë katër goditje në krah, jashtë rrezikut për jetën

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në një shkollë në Cakran të Fierit. Sipas të dhënave të para të policisë, dy nxënës janë përfshirë në një sherr me njëri-tjetrin, ku për pasojë një prej tyre ka mbetur i plagosur në krah. Sipas mjekëve ai është në gjendje të qëndrueshme.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në shkollën e mesme të Cakranit, në Fier, ku dy nxënës janë përfshirë në një sherr mes tyre. Sipas informacioneve të para nga policia, ngjarja ndodhi rreth orës 08:30, kur një nxënës, B.D., 17 vjeç, ka goditur bashkëmoshatari Y. Xh. me një mjet prerës, duke i shkaktuar disa plagë në krah.


I plagosuri është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal të Fierit për trajtim mjekësor, ndërkohë që autori i goditjes është shoqëruar në komisariat dhe po merret në pyetje. Policia ka njoftuar se kjo është një grindje e çastit mes dy nxënësve, dhe motivet e ngjarjes mbeten të paqarta.


“Rreth orës 08:30, në fshatin Cakran, Fier, në ambientet e shkollës së mesme Cakran, gjatë një konflikti të çastit mes dy nxënësve, njëri prej tyre shtetasi, B. D.,17 vjeç, ka goditur me mjet prerës në krah bashkëmoshatarin shtetasin Y. Xh, të (dy nxënës të kësaj shkolle”, ka njoftuar kështu policia.


Por sipas raportimeve paraprake autori ka dëshmuar se shkak për sherrin është bërë një debat mes të rinjve për një postim në rrjetin social Snapchat mbrëmjen e djeshme dhe ata janë konfliktuar sapo kanë hyrë në oborrin e shkollës.


Drejtori i Qendrës Shëndetësore Cakran, Tonin Xhelaj, tha se i plagosuri kishte marrë katër plagë, dy më të vogla dhe dy më të mëdha, dhe ishte në gjendje të qëndrueshme. Ai u shpreh se i mituri ishte shoqëruar nga shokët e tij, dhe pas ndihmës së parë për ndalimin e hemorragjisë, ai u transportua për ndihmë të specializuar në spitalin e Fierit.


“Se si ndodhi ngjarja, unë nuk mund ta them, sepse nuk isha prezent, por ne na morën në telefon mësuesit që ka ndodhur një ngjarje, sa ngritën grupin për të shkuar në vendngjarje, personin e sollën mësuesit dhe nxënësit, shokët e vet. Kishte pak hemorragji në krahun e majtë, dukej se ishte goditur me mjete prerëse, gjendja e pacientit ishte e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut. Është një grindje e çastit mes shokëve. Motivet nuk i di. Ju dha ndihma këtu, ndaloi hemorragjia dhe më pas u nis për ndihmë të specializuar në spitalin Rajonal të Fierit. Ka marrë katër goditje, dy të vogla, dy pak më të mëdha, por në vlerësimin tim është jashtë rrezikut. Ishte shumë mirë, ishte koshient" tha Tonin Xhelaj.



Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të zbardhur të plotë rrethanat e këtij konflikti.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

917 Lexime
1 javë më parë