“O fortuna!”

"Përballë shumë furtunave bëhem e qetë si valë"

Silvi Bakiri, autorja e librit “O fortuna!” na tregon se si lindi ideja për publikimin e këtij libri, përse zgjodhi këtë titull dhe cilat janë të veçantat e krijimeve të saj...Një libër për të cilin kanë punuar vetëm gra dhe i dedikohet një gruaje.

Silvi Bakiri, autorja e librit “O fortuna!” në një intervistë për Portalin Shkollor tregon se si lindi ideja për publikimin e këtij libri, përse zgjodhi këtë titull dhe cilat janë të veçantat e krijimeve të saj...Një libër për të cilin kanë punuar vetëm gra dhe i dedikohet një gruaje.


E sinqertë në rrëfimin e saj tregon se personazhet që flasin në vetën e parë janë meshkuj. Kjo ishte sfida e autores, të arrinte të depërtonte brenda karakterit mashkullor të tipologjisë njerëzore; sepse aty mund të lexosh për njerëz me vese, njerëz perfeksionistë, pushtues, apo "weirdos".


Silvi ka eksperimentuar dhe ka besuar tek idetë unike, duke qëndruar larg stileve të të shkruarit të njohura tashmë për lexuesit dhe duke u dhënë vargjeve shumë nga vetja. Në hyrje të librit Rita Petro ndër të tjera shkruan: “Ajo përpiqet ta mbushë poezinë e saj me vetveten dhe kjo ështënjë gjë vërtet e rëndësishme për një poet.” 


Si gazetare Silvi ka marrë shumë intervista, por sot vjen në rolin e të intervistuarës dhe na tregon më shumë për vargjet e fortunat e saj.


Përse vendosët të shkruani një libër?

Në fakt, ishte vërtet një çast vendosjeje... Ka disa kohë, ndoshta rreth dy vjet që shkruaj, kryesisht poezi dhe pak rreshta. Nëse dëshironi të dini pastaj fillimet e lidhjes me poezinë, ato janë shumë të hershme, që prej fëmijërisë. Të gjithë fëmijët kanë prirje të merren me një art të caktuar. Unë kisha prirje më të fortë për letërsi, e për këtë arsye kam qenë gjithnjë "e preferuara" e zyshave të letërsisë. (Qesh)


Natyrisht që poezitë naive të atyre viteve, (të cilat, i ruaj ende me fanatizëm në një bllok) u sofistikuan me një tjetër stil (po e quaj) më vonë.


Këto poezi, së bashku me disa proza relativisht të shkurtra, mendova t'i përmbledh në një libër. Së pari, sepse e dashuroj librin fizik, jam koleksionuese e çdo libri të mundshëm dhe, së dyti, sepse mendoj që ato krijime meritonin të sistemoheshin diku. Ideja e cila më erdhi thuajse në mënyrë instinktive pasi shkrova prozën e fundit ishte: Kaq do të jetë ky libër! 


Cila është e veçanta e krijimeve tua?

Nuk di ekzaktësisht ta përcaktoj, por sipas mendimit tim, e veçanta është që disa personazhe, me të njëjtin profesion, gjenden të teletransportuar nga një prozë në një tjetër, e cila ka krejtësisht tjetër subjekt dhe kontekst, pa asnjë lidhje me prozën e parë. Më është dukur një eksperiment interesant.


Dhe tjetër, fakti që personazhet që flasin në vetën e parë, janë meshkuj. Kjo, është diçka që kam dashur prej kohësh ta eksploroj. Një lloj sfidë me veten se sa mirë do të arrija të hyja brenda karakterit mashkullor, të tipologjisë njerëzore; sepse aty mund të lexosh për njerëz me vese, njerëz perfeksionistë, pushtues, apo "weirdos". Të gjitha këto, karakteristika që sipas meje, i manifestojnë më shpesh meshkujt, natyrisht, padashur të përkufizoj këtu.


Përpara se t’iu shkruaja lexova disa vargje, e më pas ndalova tek “Ajo, ai”. Ju jeni “ajo”?

Tek proza "Ajo, Ai" dhe "Ai, Ajo" është çdokush që e ka ndjerë veten paksa të shkëputur nga, po e quaj:"Realiteti i normalshëm" që ka tendencën të tipizojë dhe ndonjëherë kufizojë potencialin njerëzor, sipas klisheve të caktuara e hera-herës të imponuara nga jashtë. Pra, presupozohet të jetë gjithkush që ndihet paksa "i huaj" nga bota e jashtme, e cila funksionon me rend, me logjikë, me përcaktime dhe konvencione, që duhen patjetër, sepse fundja, na orientojnë në jetë.


"Ai dhe Ajo", janë një lloj idili lirie, sinqeriteti dhe mendjehapësie gati absolute të dëshiruar nga çdokush, por jo gjithmonë realiste. Pikërisht prandaj ekzistojnë librat. (Qesh)


“O fortuna!” Përse ky titull?

O Fortuna! (me pikëçuditëse) është vendosur për arsye krejt komerciale. Njëra prej poezive quhet gjithashtu kështu, e m'u duk zgjedhje e veçantë dhe praktike. Por jo edhe jo kaq rastësisht në fakt, sepse në atë poezi (O Fortuna!) jam e tëra unë, flas unë - mendoj me vargje, si edhe, sepse doja për titull diçka si thirrje, deklamative. Kjo!


A ka pas një fortunë në jetën tuaj?

Në jetën time, siç vetë jeta është, ka pasur një dhe më shumë furtuna. Disa miq e mikesha thonë se edhe si karakter nuk jam më pak (qesh), por në fakt, përballë shumë furtunave bëhem e qetë si valë, dhe stoike në zgjedhjen për të vazhduar përpara. Ky kontrast ndoshta më ka bërë "të furtunshme". (Qesh)


Ju vetë çfarë mesazhi doni të përcillni nëpërmjet krijimeve tuaja?

Nuk mendoj se këto krijime kanë për qëllim të përcjellin mesazhe të caktuara, të ngurta. Madje, në disa prej tyre kam ironizuar idenë për ta parë përcjelljen e mesazhit si qëllim.

Edhe tek poezitë, mund të shohësh se kanë një lloj dinamike të pasforcuar mendoj. Diku është jeta që rrjedh; normale, e drejtë, e padrejtë; me të gjitha ngjyrat e saj, por gjithmonë me një kontekst. Diku tjetër, ka personazhe butaforikë që shërbejnë për të zbuluar një mesazh. Pra, jo për ta servirur atë.


Cilat janë komentet që keni marrë, çfarë ju ka mbetur në mendje?

Deri tani kanë qenë pozitive. Ka pasur disa kritika për faktin se ndoshta kam kaluar në një stil paksa "snob". Por gjithmonë, brenda preferencave individuale të secilit. Jam e ndërgjegjshme që preferencat e secilit në letërsi, ashtu si kudo, janë të shumëllojshme.


“Gentlewomen” dhe “O fortuna!” cili është emëruesi i përbashkët?

I bashkon vetëm fakti se të dyja: edhe Gentlewomen, edhe libri, kanë krijuese gra. Libri ka autoren, shkrimin hyrës, fotografen, modelen, gra. Si edhe i dedikohet një gruaje: gjyshes time.


Gazetarinë dhe letërsinë mund t’i quajmë të ngjashme, por çfarë i bashkon me ekonominë për të cilën ju keni studiuar? Si qëndrojnë tek ju?

"Gazetaria është letërsi në nxitim", ka thënë Hemingway. Patjetër që gazetaria përpunon brumin e një shkrimtari të ardhshëm, nëse ky dëshiron të bëhet shkrimtar. Vetëm se letërsia është më e qashtër intelektualisht në krahasim me gazetarinë. Disa e quajnë gazetarinë edhe lavire intelektuale. Megjithatë, unë e vlerësoj shumë si profesion atë të gazetarit, sidomos në ditët tona...


Ekonomia është formimi im akademik dhe nuk e lidh gjë me këto më lart. Për këtë arsye, qëndrojnë qartazi të ndara.


Cila është motoja juaj në jetë?

Fal, por mos harro!


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

3,501 Lexime
7 vjet më parë