Për engjëjt e zemrës sime, ata që më kujtojnë ç’mësuese dua të jem
“Të dish të duash është mësimi më i rëndësishëm, por dhe më i vështirë që mund t’u jap nxënësve të mi. Dashuria është thelbi i çdo të mire”- Marsela Neni Haxhimusai. Mësuesja ndan letrën më të veçantë për 7 Marsin.
"Edhe kur flokët do të na i mbulojnë thinjat,
Në mend do të sjellim një emën nderues,
Emnin e bukur porsi fëminija,
Emnin e thjeshtë e të madh: “Mësues".
Llazar Siliqi
Dita e 7 Marsit më kujton mësuesit e profesorët e mi, gjithsecilin prej tyre, e në veçanti disa: ata më të mirët, ata më të dashurit, ata më të drejtët, ata më metodistët, ata më të talentuarit, ata që mësimdhënien e konsideronin art, ata që më nxisnin, ata që më bënin të mendoja, ata që më mësuan të fantazoja, ata që më mësuan të ndjeja e të vlerësoja. Nga kjo armatë e madhe “burime dijesh”, “7-Marsi im” ka fytyrën e atyre mësuesve që më donin, atyre mësuesve që i doja dhe mësuesit me “5 yje” ishin ata që “më donin dhe i doja”.
Për mua dija është dashuri në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale.
Të dish të duash është mësimi më i rëndësishëm, por dhe më i vështirë që mund t’u jap nxënësve të mi. Dashuria është thelbi i çdo të mire. Nëse nxënësit e mi arrijnë të kuptojnë këtë mësim, atëherë ata kanë mësuar: të dinë të duan veten, të dinë të duan tjetrin, të dinë të duan mjedisin, të dinë të duan dhe vlerësojnë familjen, të dinë të duan prindërimin dhe fëmijët, të dinë të duan gëzimin, të dinë të përballojnë hidhërimin, të dinë të duan gjërat që me të vërtetë kanë vlerë, të dinë të duan punën dhe atë çka bëjnë, të dinë të duan librat, shkollën, dijen (madje dhe detyrat e shtëpisë), të dinë të duan jetën, të dinë të duan Zotin…etj.
Nëse ata do të dinë të duan, ata nuk do të gënjejnë, nuk do të mashtrojnë, nuk do të vrasin, nuk do të jenë grykës, nuk do të vjedhin, nuk do të abuzojnë me pushtetin, nuk do të shfrytëzojnë të tjerët dhe me njëmijë firma ju them dhe dhjetëra “nuk” të tjera.
Në rrugëtimin tim si mësuese jam përpjekur ta përcjell dijen fillimisht duke i kuptuar dhe pastaj duke i dashur nxënësit e mi. Shpeshherë jam lënduar, kam qarë, jam zhgënjyer, jam ndier e fyer, jam zemëruar,…kam dështuar.
Ndonjëherë e kam ndier të nevojshme të rekuperoj forcat e mia “për të dashur sërish” pas shumë “zemërthyerjesh”. Mësuesit që kanë klasë kujdestari besoj se e kuptojnë fare qartë situatën e një fillim shtatori ku ndihesh kaq i shteruar dhe me aspak dëshirë për të rinisur sërish rrugën e vështirë të edukimit me një klasë të re në kujdestari, me një brez të ri jo veç nxënësish por dhe prindërish.
Ndonjëherë për një çast vetja të duket si ajo nëna që mendon të abortojë krijesën e saj, pasi beson se nuk ka mundësi ta rrisë siç duhet e t’i përkushtohet sa ç’duhet, aq më shumë kur ky fëmijë është pas disa fëmijëve të tjerë që i kanë dalë “harrakatë”…
Por dashuria nuk fle. A mund të flejë zjarri?! Ajo veç dremit. Mjafton një buzëqeshje, një gjest, një “faleminderit mësuese” dhe kambanat nisin të bien. Sa mirë që ekzistojnë festat! Ato na afrojnë më tepër me nxënësit. Një palë sy ndryshe zgjohen brenda nesh.
Profesori im i dashur i fizikës, “babloku” siç e quaja unë, gjithë këtë proces do ta ilustronte me procesin e shkarikimit dhe karikimit të baterisë përmes burimeve të ndryshme të energjisë… , disa fjalë të mira në televizion, urime e kohë cilësore me nxënësit dhe kolegët, dhjetëra mesazhe në msn, viber, instagram. Disa edhe pse kanë shkruar “romane” nuk janë as të sigurt nëse është adresa e mësueses apo nëse mësuesja vazhdon të ketë të njëjtën adresë…
Fjala e mirë, respekti, nderimi e ngrenë peshë zemrën e mësuesit. Me sytë e përlotur kujtoj se “fara e mirë mbin edhe midis gurëve”.
“Ka shpresë për mësuesin. Ka shpresë…”
*Gëzuar 7- Marsin të nderuar mësues! Mirënjohje për rolin tuaj të paçmuar në shoqëri dhe punën tuaj fisnike!
Marsela Neni Haxhimusai
Mësuese në shkollën e mesme ʺMahir Domiʺ, Elbasan
(Portali Shkollor)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Festat e Nëntorit, format që zgjodhën nxënësit për të treguar dashurinë ndaj atdheut të tyre
“Romeo dhe Zhuljeta” nën interpretimin e gjimnazistëve