Pedagogët në protestë, kërkojnë rritje pagash dhe përmirësim kushtesh
Pedagogët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës por edhe fakulteteve të tjera të Tiranës, kanë dalë sot në protestë pasi kërkojnë rritje të pagave. Pedagogët kërkojnë që qeveria t’i përfshijë në paketën e ndihmës për të përballuar çmimet e rritura si pasojë e krizës dhe të krijojë kushte më të mira pune.
Pedagogët e Universitetit të Tiranës, kanë dalë sot në protestë përpara godinës së universitetit, ndërsa kërkojnë rritje page. Ata njëzëri kanë paralajmëruar bojkot të procesit mësimor, nëse nuk plotësohet kërkesa e tyre.
Një pedagog i FSHN tha për mediat se kauza e tyre është për të sjellë një nivel më të mirë arsimimi, e cila nis me krijimin e kushteve për mësimdhënësit. Ai tha se veç pagës ka edhe çështje të tjera shqetësuese si mungesa e sigurisë në punë, mungesa e hapësirave apo mjedisi i punës. Ai tha se qeveria duhet të kthejë sytë nga arsimi, edhe pse “fëmijët e tyre i kanë dërguar jashtë”
“Ka një sërë çështjes që jemi të pakënaqur. Është edhe problemi i sigurisë dhe i shëndetit në punë. Sulmohet profesori në auditor, në shkollën e mesme. Edhe këto janë të rëndësishme si paga. Shqetësim janë edhe kushtet e punës dhe mjedisi i punës. Nuk kemi vend ku të ndërrohemi, të gjitha këto vijnë se pushtetarët tanë fëmijët e tyre i nxjerrin jashtë prandaj nuk e kanë prioritet. Po ju kujtoj një thënie të një profesori tim “kurrë mos jeto në një vend ku nuk ka mjek dhe mësuese” se është si në ferr. Qeveria nuk mundet ti kthehet ata që kanë ikur jashtë, por të ndalojnë ata që janë këtu, duke rritur pagat dhe duke siguruar kushtet e punës. Fenomen tjetër është dhe heshtja e intelektualëve. Kjo heshtje është e tmerrshme. Shumë mendojnë c’më duhet mua. Të kritikosh të kundërshtosh, të fshinë menjëherë nga faqja. Vihet re kufizimi i lirisë së shprehjes, pushteti i shuan zërat kritikues. Dikur intelektualët orientonin opinionin publik. U realizofshin qëllimet dhe kërkesat tona”- tha ai.
Një tjetër pedagog që ka 35 vite në këtë punë, tha se për herë të fundit pagat janë rritur që prej vitit 2004 dhe është turp për ministren e Arsimit, dikur kolege, që nuk ulet me pedagogët të dëgjojë dhe të marrë hapa për zgjidhjen e shqetësimin e tyre.
“Kjo kauzë ka vlerë jo vetëm për ne, por gjithë vendin. Unë jam bindur që gjithë ju keni fëmijë në shkollë dhe e dini cilësinë e arsimit. Kjo vjen edhe nga dinjiteti i profesoratit dhe sidomos në universitete publike. Në vite numri studentëve ka ardhur duke u rritur, por jo mbështetja e qeverisë. Jam këtu prej 35 vitesh, numri i studentëve është 10-fishuar, paga ka mbetur aty ku është. Trajtimi ynë si persona të një shtrese, ne marrim ca rroga që u ngritën në 2004 dhe qeveria as që do t’ia dijë. Dërguam njëherë peticion dhe nuk shohim asnjë reagim për të ndihmuar këtë shtresë të qëndrojë atje ku duhet. Kështu rritet edhe cilësia e arsimit. Me një profesor që hallakatet dhe mundohet të gjejë rrugë të tjera për të plotësuar atë minimum të jetesës. Kjo të çon këtu, por le të jetë një sinjal dhe të arrijë aty. Ministres që është ish kolege nuk i falet të ulet me ne sepse është për të mirën e vendit, jo vetëm për të mirën tonë”- tha pedagogu.
Ata paralajmëruan se nëse qeveria nuk reagon, do të mblidhen më 5 tetor në sheshin “Nënë Tereza” me pedagogët nga i gjithë vendi.
Kërkesat e pedagogëve
- Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës
- Rritja e financimit për kërkimin shkencor
- Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmëri shëndeti në punë’
- Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë
- Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare
- Rivlerësimi i orës mësimore pas ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosfierencimit të orës mësimore të leksionit
- Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
- Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
- Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike
Kaltra Tafani
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shkolla qendër komunitare, plani vjetor i shkollës
Çfarë është qeveria e nxënësve?
Etika e komunikimit, fjalori i nxënësve të shkollave si (nuk) duhet të jetë, nga Muhamet Selmani