TAKIMI ZYRTAR

Partneritet mes Shqipërisë dhe SHBA për arsimin, Ministrja Kushi takim me Marie Royce dhe Yuri Kim

Ministrja Evis Kushi ka zhvilluar një takim me Ndihmës Sekretaren e Shtetit për Çështjet e Arsimit dhe Kulturës të SHBA Marie Royce dhe Ambasadoren Yuri Kim. Gjatë takimit është nënvizuar rëndësia e veçantë që mishëron partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA.

Ditën e sotme, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka mikpritur pranë ambienteve të MASR, Ndihmës Sekretaren e Shtetit për Çështjet e Arsimit dhe Kulturës të SHBA Marie Royce dhe Ambasadoren Yuri Kim. 


Në postimin e saj në rrjetin social Facebook, Ministrja Kushi shprehet së gjatë takimit “është nënvizuar rëndësia e veçantë që mishëron partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA, si dhe është vlerësuar bashkëpunimi shumë i mirë mes dy vendeve tona në fushën e arsimit”. 


“Njëkohësisht, shpreha gjithë gatishmërinë time për të vazhduar dhe zhvilluar më tej punët e mira nëpërmjet programeve e projekteve të ndryshme në arsim” - cilëson Ministrja Kushi.  

 


Ndër të tjera, ajo shpreh mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të SHBA me programet e studimit për studentët dhe ekspertët shqiptarë: 

“Prej vitesh të tëra tashmë, SHBA kontribuojnë me programe studimi për studentë dhe ekspertë shqiptarë, të cilët pas përvojës së jashtëzakonshme profesionale që marrin në SHBA, sjellin gjithmonë frymë të re dhe vlerë të shtuar në çdo institucion publik apo privat ku angazhohen. Mirënjohje!” nënvizon Ministrja Evis Kushi.

Përgatiti për publikim N.Allkja.Biçaku 

Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,283 Lexime
4 vjet më parë