Edicioni i 35-të i Panairit Ndërkombëtar të Librit në Shkup

Panairi i Librit në Shkup/ Albas, ndër të paktat shtëpi botuese shqiptare që merr pjesë, ekspozon mbi 40 tituj të rinj

Ka nisur edicioni i 35-të i Panairit të Librit në Shkup, i cili do të zgjasë deri në datën 10 maj. Por ditët që dashamirësit e librit do t’i shpenzojnë enkas për librin,nuk i ofrojnë atyre shumë alternativa titujsh nga shtëpitë botuese nga Shqipëria dhe Kosova, pasi edhe këtë vit janë të pakta ose mungojnë.

Është hapur edicioni i 35-të jubilar i Panairit Ndërkombëtar të Librit në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, në Shkup. Panairi i Librit, i cili mbahet në arenën sportive Boris Trajkovski, do të zgjasë deri më 10 maj, çdo ditë nga ora 10 e mëngjesit deri në orën 20 të mbrëmjes. 


Në këtë panair, përveç shtëpive botuese maqedonase me numrin më të madh të pjesëmarrjes, ka edhe botues nga Serbia, Bullgaria, Greqia etj. Por sërish këtë vit nga lexuesit e interesuar është vënë re se stendat nga shtëpitë botuese nga Kosova mungojnë fare, ndërsa nga Shqipëria është vetëm një e tillë.

 

Ndërkohë nga shtëpitë botuese shqiptare në Maqedoni marrin pjesë vetëm tre prej tyre, përfshirë Albas. 


Gjatë vizitës në këtë panair jubilar të bie në sy që organizimi i tij është bërë i gjithi në gjuhën maqedonase edhe pse ka botues shqiptar që operojnë në Maqedoninë e Veriut.  


Informacioni nga institucionet organizuese e mbështetëse të panairit për shtëpitë botuese shqiptare pjesëmarrëse në këtë panair është gjithashtu i anashkaluar. 


Sakaq, vizitorët mund të hyjnë në Panair duke paguar 80 denarë, ndërsa 50 denarë për person është çmimi për grupet e organizuara të nxënësve dhe studentëve.



Pjesëmarrja e ALBAS-Tetovë në Panairin e 35-të të Librit në Shkup 

Shtëpia Botuese "Albas" këtë vit sjell edhe më shumë tituj të rinj për të gjitha grupmoshat. Janë mbi 40 libra të rinj që i bashkohen gamës së botimeve të mëparshme në stendën e dedikuar, e që vijnë të gjithë me çmimin e zbritur me  20-30 %.  


Titujt e ekspozuar janë nga më të larmishmit, si për të rritur ashtu edhe për fëmijë, nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Nga seria klasikë dhe modernë për të rritur veçojmë titujt e rinj “Sojliu mendjemprehtë, Don Kishoti i Mançës” nga Miguel Servantes, i përkthyer mjeshtërisht nga Bajram Karabolli; “Zonja Bovari” nga Gustav Flober, përkthyer nga Primo Shllaku si dhe “Dashnori i zonjës Çetërli” nga D.H. Lawrence, përkthyer nga Ukë Bucpapaj. Nga librat për jetën stendës së Albas nuk i mungon këtë vit botimi tjetër i autorit të huaj Robin Sharma, me titull “Manifesti i heroit të përditshmërisë”, përkthyer nga Albana Kozeli.


Për lexuesit e vegjël përmendim librat e autorit të shquar shqiptar Bedri Dedja, si dhe librat klasikë për të vegjël dhe seritë e ndryshme si seria “Më quajnë...”, seria “Miushi lexues”, “Koni dhe Maksi” etj. 

Për t’u njohur për më tepër me të gjithë titujt e ALBAS mund të klikoni këtu 


Interesimi i lexuesve për librat e botuar nga Albas deri më tani ka qenë interesant, ndërkohë ditën e sotme janë vërejtur shtime të grupeve të nxënësve të organizuara nga shkollat e që gjatë fundjavës pritet të jenë edhe më të larta. 

Ju mirëpresim në stendën e Albas në Panirin e Librit në Shkup!

Ejani dhe bëjeni fundjavën më të bukur dhe pse jo të gjitha ditët që po i dedikohen librit nëpërmjet këtij panairi! 


Nanila Allkja Biçaku

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,525 Lexime
1 vit më parë